Pas kthimit nga SHBA-të, Kryeparlamentari Ilir Meta fton Lulzim Bashën për finalizimin e reformës në Drejtësi

Ilir Meta, garancia për KONSENSUS

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta takohet me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Ambasadorin William Brownfield

Mes PS dhe PD nuk ka mbetur më asnjë rrugë bashkëpunimi për kalimin e reformës në drejtësi. Dështimi i takimit Rama-Basha, akuzat e ndërsjellta dhe sherret gati fizike në Kuvend, lënë pak hapësirë që dy palët të ulen edhe një herë në diskutime. Pasi humbën shansin për “paqe” me 6 qershor, lufta mes Ramës dhe Bashës tashmë është vetëm për votat. Rama përpiqet të josh deputetë të votojnë dhe Basha që kërcënon në mbledhje grupi e takime private se do të përjashtoj këto që ngre kartonin për reformës, pa rënë dakort selia blu. Tashmë që edhe ndërkombëtarët kanë “hapur krahun” reforma mund të kaloj në Kuvend, por rreziku që PD të mos e njoh është më i madh se kurrë. Një votim i tillë dhe pse i domosdoshëm ngre pikëpyetje për qëndrimet e ardhshme të PD-së.

Në këtë situatë me konflikte, dyshime dhe kërcënime, i vetmi prej politikanëve kryesorë të vendit që dha një shenjë normaliteti është Ilir Meta. Në cilësinë e Kreut të Kuvendit, Ilir Meta bëri dje një ftesë publike për takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Qëllimi është diskutimi për miratimin e reformës në drejtësi dhe gjetja e rrugëve për kalimin konsensus në Kuvend. Një ftesë pa kërcënime dhe pa ultimatume për detajet e takimit. I vetmi kushtëzim që ka takimi është koha e zhvillimit të tij, deri ditën e hënë. Por koha nuk është kusht i Metës dhe as i Bashës, por pasojë e shpërdorimit që ju bënë negociatave prej shumë muajve.

Çfarë mund të sjellë një takim mes Ilir Metës dhe Lulzim Bashës? Së pari, takimi nuk kërkohet thjesht nga një kryetar partie apo bashkëkryetari i mazhorancës, por nga Kryetari i Parlamentit. Edhe pse Meta është pjesë e koalicionit qeveris, diferenca është e qartë. Procesi i reformës në drejtësi do të kalojë në Kuvend dhe kur flitet për ndryshime kushtetuese, kreu i Kuvendi ka legjitimitetin që të qëndrojë mbi palët. Si numri dy i shtetit, Meta është i vetëdijshëm se kalimi i njëanshëm i reformës mund të dëmtojë gjithë procesin. Pasi reforma nuk është vetëm votimi në Kuvend, por edhe zbatimi i saj më pas me ligje të veçanta që sërish duan shumicë votash.

Së dyti, Meta si negociator mes palëve është më i besueshëm, pasi ka integritetin dhe ruan raporte korrekte institucionale me të dyja palët. Edhe miqesore. Gjatë gjithë procesit të reformës në drejtësi, LSI ka mbajtur një qëndrim të moderuar. Ka refuzuar disa herë propozimet e PD-së, por nuk ngurroi të kundërshtonte dhe variantet e PS-së që binin ndesh me Komisionin e Venecias, duke i dhënë të drejtë për disa pika selisë blu. Në këtë kuptim ftesa e Metës është më pak e paragjykuar se ofertat e Ramës.Jo rastësisht, Meta tha se ishte i hapur për çdo format të takimit, edhe nëse pjesë e tij ishin drejtues të PS dhe PD, apo krerët e grupeve parlamentare.

Së treti ftesa e Metës ka dhe simbolikë të veçantë për ndërkombëtarët. Si Kryetar i Kuvendit dhe i LSI-së Meta ka qenë jashtë retorikës së ditës dhe akuzave të egra mes Ramës dhe Bashës. Nuk e ka kaluar asnjëherë “vijën e kuqe”. Dje dy ambasadorët kryesorë, ai i SHBA-ve Donald Lu dhe Romana Vllahutin e Bashkimit Europian ishin në zyrën e tij para se të publikonte ftesën për Bashën. Sigurisht që një nismë e tillë duhet të ketë dhe mbështetjen e tyre.

Së fundi ftesa e kreut të Kuvendit vjen vetëm pak orë pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një vizitë ku temë kryesore ka qenë reforma në drejtësi. Ndryshe nga Rama dhe Basha që mesazhet i kanë marrë indirekt, ka mundësi që Ilir Meta se është konsultuar në Uashington posaçërisht për reformën e jo vetëm për reformën. Me sa duket kjo ka qenë edhe porosia e Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Ambasadorit William Brownfield.

Takime e publikuara të Metës ishin shumë premtuese se do të mundësonte miratimin e reformës brenda këtij sesioni parlamentar. Ndërsa për takimet e pa deklaruara për median ka informacione se kreu i Kuvendit ka bërë një takim shumë të rëndësishëm në SHBA.

Deri mbrëmjen e djeshme, nga selia blu nuk ka patur asnjë qëndrim për ftesën e Kryetarit të Kuvendit. Basha është duke menduar për detajet e takimit, ose refuzimin.

Nëse PD-ja refuzon ofertën e Ilir Metës, e cila ofron debat, mirëkuptim dhe gjetjen e një zgjidhje PD-PS-LSI, atëhere ka mundësi që SHBA e BE ti heqin vizën bashkëpunimit me selinë blu për reformën dhe do luhen kartat për ta votuar në sallën e Kuvendit me të gjitha mënyrat !