PAS HUMBJES DISFATISTE NE ZGJEDHJE/ Lulzim Basha merr përgjegjësitë e humbjes dhe ngrin veprimtarinë e tij politike për t’i çelur rrugën betejës për kreun e ri të PD

Në një deklaratë për shtyp nga selia e PD, keu i saj Lulzim Basha është shprehur i vendosur për të mos e dhënë dorëheqjen, por ka deklaruar se ngrin të gjitha vendimet e tij funksionale dhe lë hapur garën për zgjedhjet e korrikut për kreun e kësaj force në një proces të ndershëm dhe të barabartë, një anëtar një votë.

“Unë marr të gjitha përgjegjësitë për rezultatin. Demokratët meritojnë një bilanc të plotë mes atyre që punuan me mish dhe me shpirt dhe atyre që u ngritën kundër sapo humbën karriget. Kam vendosur të ngrij të gjitha funksionet administrative si kryetar dhe tua delegojë nënkryetarëve që do të zhvillojnë garën me parimin një anëtar një votë. Gjëja më e lehtë për mua do të ishte të largohesha, por unë e di çfarë ka ndodhur dhe do të luftojë me demokratët, – tha Basha. – Kam reflektuar thellë këto ditë. Unë marr të gjitha përgjegjësitë për rezultatin. Demokratët dhe shqiptarët meritojnë një bilanc të plotë. Sa kam gabuar dhe ku kam gabuar, nuk e përcaktoj unë, por nuk e përcaktojnë as ata që nuk kanë punuar një ditë për fitoren e PD. Këtë e përcaktojnë demokratët dhe shqiptarët”.

Basha mori çdo përgjegjësi për humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhje, por nga ana tjetër akuzoi bandat e Rilindjes që ushtruan trysni për deformimin e votës, përfshirë dhe blerjen e tyre me para droge dhe korrupsioni. Ai tha se marrëveshja me PS nuk funksionoi për të shmangur këtë gjë.

“Me gjithë përpjekjet që bëmë, me imponimin që i bëmë Edi Ramës duke i hequr gjysmën e qeverisë, blerja e votës u bë masivisht. Me para’ të pista droge e korrupsioni, u bë një garë e pabarabartë, ku unë nuk kam ndërmend të konkurroj me të njëjtat mjete. Ajo që ndodhi është triumf i paligjshmërisë. Edhe pse ka pasur oferta për shkëmbim vote me para’, mbi 450 mijë qytetarë refuzuan të shiten. Këta janë frymëzim për mua për të mos e ndalur projektin tonë. Është e qartë se krimi, bandat, droga, trafikantët e drogave kanë vetëm një pengesë dhe unë, PD e qytetarët e ndershëm të vendit nuk jepemi. Kjo është luftë për të ardhmen që do e vazhdojmë deri në fitore. Janë të mashtruar edhe socialistët e ndershëm, sepse mandatet për mazhorancën kanë dalë nga kthinat e krimit dhe bandave. Nuk ka gjë të më trishtë sesa shitblerja e votës”, deklaroi Basha.