Pas Holandës dhe Greqisë, listës së shteteve anëtare të BE-së kundër Shqipërisë i shtohet dhe Bullgaria

Tjetër shtet pjesë e BE-së “kërcënon” qeverinë , Borisov: Kusht për anëtarësimin në BE

Listës së shteteve anëtare të Bashkimit Europian që shprehen kundër anëtarësimit të Shqipërisë i shtohet tashmë edhe një tjetër shtet. Pas kërcënimeve nga Holanda që paralajmëron vendosje të regjimit të vizave për shqiptarët, si shkak i rritjes së kriminalitetit të shqiptar, si dhe pas kërcënimit nga Greqia e cila ka shtuar edhe katër kushte për të mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në BE, një tjetër vend i BE-së, i vendos ”barrierë” procesit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Kësaj radhe është kryeministri i Bullgarisë, Boiko Borisov, i cili i kërkon kreut të qeverisë Shqiptare, garantimin e të drejtave të pakicës bullgare në Shqipëri. Nuk dihet nëse kjo përkthehet në bllokim të Shqipërisë nga Bullgaria, kur Ditmir Bushati është shprehur i bindur se hapja e negociatave për anëtarësimin në BE, do të ndodhë qershorin e vitit të ardhshëm. Por qëndrimi lexohet qartë, se kushti që Bullgaria të mbështesë Shqipërinë drejt bllokut, është garantimi i të drejtave të pakicës bullgare në vendin tonë. “Iniciativa e re ligjore përfaqëson një nga angazhimet e qeverisë shqiptare për të përmbushur pesë përparësitë kryesore të përcaktuara nga Komisioni Europian, duke përfshirë të drejtat e njeriut”.

Kërkesa e kryeministrit bullgar

Agjencia e lajmeve “Independent Balkan Neës Agency”, shkruan se Boiko Boisov, në një bisedë telefonike me Kryeministrin Edi Rama, i ka bërë thirrje këtij të fundit, për të përmbushur sipas premtimit, garantimin e të drejtave të pakicës bullgare në Shqipëri. “Një ligj për rregullimin dhe garantimin e mbrojtjes të të drejtave dhe lirive në Shqipëri, do të paraqitet nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati në komisionin parlamentar”, thuhet në shkrim. Ligji shqiptar njeh ekzistencën e tetë pakicave kombëtare: Maqedonasve, greke, egjiptiane, vllahëve, rome, malazeze, serbe dhe boshnjake. Në thirrjen e tij ndaj Ramës, Borisov tha se priste që ligji të përmbajë klauzolën për mbrojtjen e të drejtave të pakicës bullgare në Shqipëri. Sipas një deklarate të qeverisë bullgare më 28 shtator, Borisov mori një garanci nga Rama se projektligji është duke u punuar. “Rama u zotua se Shqipëria nuk do të dëmtonte interesat e pakicës bullgare, sipas deklaratës së qeverisë bullgare”- thuhet në shkrimin e sipërcituar.