Pas 36 ditë debati dhe dialogu të gjallë, SHBA, arrihet marrëveshja për rihapjen e qeverisë

Presidenti i SHBA, Donald Trump miratoi të premten një projektligj shpenzimesh, duke i hapur rrugën Kongresit të miratojë legjislacionin që i jep fund mbylljes së qeverisë, më e gjata në historinë e vendit.

“Pas 36 ditë debati dhe dialogu të gjallë, shoh se demokratët dhe republikanët janë të gatshëm të lënë mënjanë frymën partiake, mendoj, dhe të vënë popullin amerikan mbi të gjitha”, tha Presidenti Trump në një njoftim të bërë në Shtëpinë e Bardhë. “Ky është një shans që të gjitha palët të punojnë së bashku për të mirën e këtij vendi të bukur“, tha ai.

Projekt-ligji që financon qeverinë deri më 15 shkurt nuk përfshin fonde për ndërtimin e murit të propozuar nga zoti Trump në kufirin me Meksikën. Ai tha se ndërkohë do të formohet një komision dypartiak për të vlerësuar sigurinë e kufirit, por, ndryshe nga pretendimet e mëparshme, ai nuk po kërkon ndërtimin e një muri prej betoni përgjatë gjithë kufirit SHBA-Meksikë.

“Nuk kemi nevojë për 2 mijë milje mur prej betoni njëri cep i kufirit tek tjetri. Nuk e kemi propozuar kurrë këtë,” tha ai.

Njoftimi vjen në ditën e 35 të mbylljes së qeverisë, kur rreth 800 mijë punonjës federalë do të humbasin pagën e tyre të dytë. Ai erdhi gjithashtu menjëherë pas vonimit të fluturimeve në aeroportin LaGuardia të Nju Jorkut për shkak të mungesave të personelit, ndërkohë që sipas Administratës së Aviacionit Federal, vonesat në LaGuardia, si dhe në aeroportet e Filadelfias dhe Newarkut, erdhën për shkak të mungesës së stafit të kontrollit të trafikut ajror.

Njoftimi i Presidentit Trump shënon një kthesë nga pozicioni i tij i së enjtes, kur ai tha se do të pranonte një marrëveshje për të paktën hapjen e përkohshme të të qeverisë federale nëse ajo se përmbante një “paradhënie” për ndërtimin e murit kufitar SHBA-Meksikë.

“Është e logjkshme, muret funksionojnë,” tha zoti Trump të premten, duke argumentuar se një barrierë kufitare do të pengonte kriminelët, trafikantët e njerëzve dhe drogat.

Në një referencë të dukshme ndaj njoftimeve se ai po shihte mundësinë që të shpallte një emergjencë kombëtare në kufi, Presidenti tha se kishte në dispozicion “një alternativë shumë të fuqishme”, por nuk zgjodhi ta përdorte. Ai tha se opsioni ishte ende në tryezë nëse Kongresi nuk arrin dot marrëveshje brenda periudhës trejavore të financimit.

Një numër në rritje ligjvënësish të të dyja partive kanë thënë se kompromisi është e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund bllokimit politik dhe për të rihapur qeverinë.

“Jemi shumë të vonuar. Të gjitha palët duhet të kishin dalë së bashku, të angazhoheshin në debat dhe kompromis konstruktiv për t’i dhënë fund kësaj përplasjeje”, tha Senatorja republikane e shtetit Mejn, Susan Collins. “Mbylljet e qeverisë përfaqësojnë dështimin për të qeverisur dhe nuk duhet të përdoren kurrë si armë për të arritur një rezultat,” tha ajo.

Ndikimi i mbylljes

Mbyllja ka lënë pa pegesë 800 mijë punonjës të qeverisë. Të paktën 420 mijë prej tyre janë detyruar të vazhdojnë të punojnë pa pagesë dhe pjesa e mbetur u dërguan në shtëpi, disa prej të cilëve janë detyruar të kërkojnë punë të përkohshme diku tjetër për të paguar faturat.

Disa shërbime qeveritare janë shkurtuar, pasi rreth 10 për qind e agjentëve të sigurisë në aeroporte nuk kanë dalë në punë. Disa inspektime ushqimore janë shkurtuar ndërsa muzetë dhe parqet janë mbyllur. Gjykatat federale paralajmëruan se mund të mos kenë më para deri në fund të muajit.

VOA