Partia Demokratike përmes nënkryetarit, Edmond Spaho hedh idenë e pjesëmarrjes në votime, të detyrueshme

PD habit me këmbënguljen e saj: Pjesëmarrja në votim duhet bërë e detyrueshme

Nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho këmbëngul në idenë e tij që votimi në zgjedhje duhet të jetë detyrim.  Numri 2 i selisë blu në këtë mënyrë ka vijar replikat e tij në distancë edhe gjatë ditës së djeshme me Sekretaren e Përgjithshme të PDIU-së, Mesila Doda, pasi kjo e fundit u shpreh dy ditë më parë se me propozimin e Spahos, PD që solli lirinë po propozon ta kufizojë atë. Në kundërpërgjigjen e tij, Edmond Spaho e akuzoi dje PDIU-në për blerje votash, ndërsa deklaratat e Dodës i cilëson si gjepura duke marrë shembull Greqinë. “Po në Greqi që është djepi i demokracisë dhe kanë votim me detyrim, nuk cenohen liritë e individit? Gjepura! Zullum është të blesh vota, siç bën PDIU dhe që i intereson çdo sistem që lejon shitblerjen e votës. Kështu i morën të gjithë mandatet në 2017-ën dhe pastaj flasin për të drejta dhe liri të njeriut”- thotë Edmond Spaho në reagimin e tij të djeshëm në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”. Pak ditë më parë nënkryetari i PD-së, propozoi që pjesë e aksionit opozitar për reformën Kushtetuese dhe Zgjedhore duhet të jetë dhe detyrimi me ligj për të votuar në zgjedhje. Por Kushtetua jonë e përcakton vetëm si të drejtë dhe jo detyrim pjesëmarrjen në zgjedhje, ndërsa debati ka nisur në Europë pas referendumit për BREXIT. Propozimi i Spahos erdhi pas pjesëmarrjes së ulët në zgjedhjet e 25 qershorit dhe faktit që kryeministri Edi Rama mori mandatin e dytë me më shumë deputetë, ndërsa PD u penalizua, pasi i munguan 200 mijë vota nga 2013. “Duke parë rritjen gjithnjë e më shumë të të pavendosurve, sindromë që në proceset e fundit zgjedhore e ka kapur dhe Shqipërinë, studiuesit gjithnjë e më shumë po e vlerësojnë si të mirë për proceset demokratike votën si detyrim, qoftë edhe për të shprehur refuzimin tënd për subjektet zgjedhore, por gjithnjë në fletën e votimit e jo duke qëndruar në shpi. Kjo shihet si një masë angazhuese, pasi nxit zgjedhësit të shohin më me kujdes programet, idetë, kandidatët dhe për rrjedhojë (çfarë është më e rëndësishme) edhe të thellohen tek rëndësia e votës. Kështu përfshihesh deri në momentin kur tek kutia e fshehtë je me laps në dorë, para fletës së votimit për të përmbushur tek e fundit të drejtën kushtetuese të zgjedhjes.  Aty por vetëm aty vendos se cili do të jetë shënimi yt, preferenca për dikë apo abstenimi ndaj të gjithëve. Tek e fundit nëse shkruhet në ligj, nuk mbetet vetëm akt moral, shprehja “votimi është detyrim qytetar”- do të shprehej Spaho tre ditë më parë. Për të angazhuar qytetarët që të marrin pjesë në zgjedhje, Spaho bëri propozimin në fjalë, por që duket se jo vetëm brenda PD, por edhe jashtë selisë së djathtë një ide e tillë nuk gjen mbështetje.