Partia Demokratike përgatitet për humbjen e saj shkatërruese, “Republika e Re” një i vdekur që në ngjizje

Nga Albert Vataj

Për shumkënd rezultatet e deritanishëm dhe trendi i mundshëm i përfundimtares së kësaj dite “të acartë” për kampin blu, nuk është befasues, siç mund të jetë për militantët, apo ata të cilët patën kurajë të besonin tek programi perëndimor që kreu i PD, Lulzim Basha u prezantoi shqiptarëve si alternativën më të mira ekonomike që vinte me “Republikën e Re”.

Se ku gaboi Partia Demokratike dhe ku konsiston kjo humbje disfatiste për opozitën shqiptare, kjo ka plot arsyetime dhe faktohen në shumë elementë.

PD gaboi rëndë, shumë rëndë me listën e kandidatëve për deputetë, emrat përbërës të së cilës nuk përmbushnin as minimumin e domosdoshëm të pritshmërisë. E lidhur me këtë, një shkakësi të kësaj humbje të paralajmëruar është edhe linçimi që kreu demokrati Basha i bëri disa prej figurave më të rëndësishme të kësaj partie, personalitete dhe kapacitete që ndoshta nuk kanë qenë përcaktues në fitoret apo sfidat e PD, por ama pa ato emra PD është kjo e këtyre zgjedhjeve, një PD e kapitulluar, një e ashtuquajtur “Republikë e Re” e dështuar.

Një tjetër gabim, i cili është një kontributor po kaq i rëndësishëm në këtë katastrofë elektorale është mosfunksionimi i strukturave të partisë në bazë. Injorimi i rolit të kësaj hallke, ndoshta nga megallomania e kryetari apo edhe nga informaliteti i situatës dhe faktit, ka çuar në minimizimin e këtij roli partiak. Kjo hallkë duke mos u përtërirë, duke mos u konsideruar, duke mos u stimuluar, ka çuar në apati. Krerët e strukturave duke u kollonisur me yndyrën e vet kanë patur fatin e ariut në letargji.

Një tjetër shkakësi e kësaj dite të keqe për Partinë Demokratike dhe opozitën në përgjithësi është padyshim edhe mefshtësia e lidershipit. Pa ndonjë arsye të fortë ai ka qëndruar i heshtur në domosdonë e prezanitmit me publikuan, ditën e betejës. Menaxhimi i informacioneve nga qendrat e votimit, i të dhënave dhe prurjeve, nuk kishte pse ta mbante kreun demokrat gojëkyçur. Ai duhet të ishte në sinkron me palët e tjera të përfshira në këto zgjedhjeve, të apelonte për pjesëmarrje dhe të denonoconet parregullsitë, qoftë edhe duke përdorur alibi. Fundja politikbërja në Shqipëri, ka funksonuar, funksionon dhe do të vijojë kësisoj të funksionojë. Lulzim Basha si kreu i PD dhe i “Republikës së Re” është sot në ditën e tij më të keqe, kjo për shumë arsye, por mbi të gjitha për arsye të vetë mënyrës që Luli ka zgjedhur të bëjë këtë luftë. Natyrshëm nga një betejë ka fitues dhe të humbur, por PD dhe Lulzim Basha nga kjo përballje po del i turpëruar.