Partia Demokratike midis demokracisë dhe autokracisë- Historia e zgjedhjeve në PD

Nga Luljeta Progni

Partia DemokratikePartia Demokratike e Shqipërisë është një rast unik ndër gjithë partitë që u krijuan menjëherë mbas rrëzimit të regjimit komunist në Europën Qëndrore dhe Lindore. Ajo është e vetmja parti që pasi erdhi në pushtet menjëherë pas rënies së komunizmit, ende vazhdon të mbetet një ndër dy alternativat kryesore politike në vend. Fati i simotrave të saj në Europën Qëndrore dhe Lindore ka qenë më pak i suksesshëm – me kohë, ato ose u shpërbënë, ose u bashkuan me parti të tjera, ose u tkurrën në parti të parëndësishme. Ky vitalitet i PD-së i detyrohet një sërë faktorësh, por një nga më të rëndësishmit është drejtimi autokratik me dorë të hekurt, që nga krijimi i saj deri në ditët e sotme nga i njëjti individ, Sali Berisha. Vetë Berisha është po ashtu një tjetër përjashtim në politikën Europiane të këtyre dy dekadave e gjysëm, si drejtuesi më jetëgjatë i një force kryesore politike.

Ky sukses i Zotit Berisha i atribohet ndër të tjera mungesës së traditës dhe kulturës demokratike në vend, mentalitetit komunist në shumicën e popullsisë, mungesës së faktorëve të tjerë të rëndësishëm socialë, veçanërisht media e pazhvilluar dhe shoqëria civile e dobët, prapambetja ekonomike dhe mungesa e sektorit të zhvilluar privat.

Ndonëse Partia Demokratike u krijua si një antitezë e partisë së mëparshme komuniste, Partisë së Punës së Shqipërisë, në vetvete ajo nuk ka mundur dot të kapërcejë mentalitetin dhe modelin politik të organizimit dhe drejtimit të PPSH-së. PD-ja ka propaganduar përherë para publik parimet e demokracisë, lirisë individuale, konkurencës së lirë, por brenda rradhëve të saj, këto parime nuk kanë gjetur asnjëherë zbatim.

Si rezultat i kësaj tradite autokratike, Partia Demokratike gjendet sot në një moment kritik të zhvillimit të saj. Më shumë sesa qarkullim i elitës së saj drejtuese të post epokës Berishiane, ajo duhet të demokratizohet dhe të synojë transformimin në një parti modern, si e vetmja alternativë për mbijetesën dhe konkurueshmërinë e saj politike. Në mungesën e një figure të fortë dhe karizmatike si ajo e Zotit Berisha, ruajtja e kompaktësisë së brendshme të partisë me të njëjtën qasje jodemokratike si ajo e Zotit Berisha do të jetë e vështirë. Ndërsa Zoti Basha, duket se do të arijë që të zëvendësojë elitën e mëparshme drejtuese me një grup njerëzish besnikë ndaj tij, do të jetë e vështirë që ai të ndalojë çarjet brënda PD-së dhe në elektoratin e saj, apo të kontrollojë lindjen dhe konsolidimin e alternativave të tjera të djathta politike në vend.

Megjithëse formalisht PD-ja ka patur dhe ka një sërë organesh drejtuese, përfshi Këshillin Kombëtar, Kryesinë dhe Grupin Parlamentar, në thelb, këto kanë qënë të gjitha forume, që kanë shërbyer vetëm për të zyrtarizuar zgjedhjet dhe vullnetin e Zotit Berisha. Edhe pse në PD ka patur herë pas here procese formale zgjedhjesh përmes votimit apo konkurimit, këto kanë qenë procese fasade për të formalizuar zgjedhjet paraprake po të Zotit Berisha. Karriera në PD nuk është vendosur nga konkurrenca apo aftësitë e individëve, por vetëm nga marrëdhënia dhe qëndrimi i tyre ndaj Zotit Berisha.

Që në fillimet e PD-së, kur disa prej figurave kryesore në krijimin dhe konsolidimin e saj, që tentuan të konkurronin autoritetin dhe vendim-marrjen e Zotit Berisha, u ndeshën me përjshtimin e tyre nga PD-ja. Ky ka qënë fati, herët a vonë, i çdo individi që ka sfiduar apo nuk ka qenë dakord me autoritetin e tij.

Historia e zgjedhjeve brenda PD-së me Sali Berishën

Sali Berisha drejtoi Partinë Demokratike për 23 vjet, me një histori plot ngjarje dhe ulje – ngritje. Ai u zgjodh në krye të saj në një situatë mjaft komplekse, me personazhe gjithashtu komplekse. Në shkurt të vitit 1991, kur kishin kaluar vetëm tre muaj prej themelimit, Sali Berisha u zgjodh kryetar i Komisionit Nismëtar të kësaj partie, pas largimit nga kjo detyrë e kryetarit të parë të PD-së, Azem Hajdarit, i cili një ditë pas themelimit të PD-së, më 13 dhjetor 1990, u zgjodh kryetar i parë në mbledhjen e parë të Komisionit Nismëtar. Hajdari ishte figura më emblematike e ngjarjeve të atyre ditëve, pasi ishte në krye të protestave studentore për rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri.

Sali Berisha një prej intelektualëve që iu bashkua shpejt lëvizjes, u kthye në një prej personazheve më të rëndësishme të zhvillimeve politike të këtij momenti. Azem Hajdari u zgjodh pa kundërshtime kryetar i Komisionit Nismëtar të PD-së, por pa kaluar dy muaj u pa e nevojshme, që ai të zëvëndësohej në këtë detyrë. Janë një sërë ngjarjesh e personazhezh që ndikuan në këtë situatë, që lidhej jo vetëm me performancën e Hajdarit, por edhe me ambiciet e Berishës për t’u zgjedhur kryetar i PD-së.

Referuar dokumentave rreth ngjarjeve të atyre ditëve, por edhe rrëfimeve të protagnistëve, më poshtë renditen ngjarjet, të cilat kulmojnë me zgjedhjen e Berishës në krye të komisionit nismëtar të PD-së.

Komisioni nismëtar i Partisë Demokratike

Një bisedë rreth dy orë me Arben Imamin, pasditen e 13 dhjetorit, u shndërrua në garanci për Sali Berishën, në një situatë kur nuk ishte qartësuar mirë rruga dhe personi që do të ulej në karrigen e kryetarit. Në atë bisedë, Berisha kishte shfaqur hapur ambicien e tij për t’u bërë personazh kryesor në parti. Vetë Imami dëshmon për këtë:

“Në pasditen e 13 dhjetorit kam qëndruar për rreth dy orë në një bisedë më Sali Berishën, te menca e vjetër, diku më sipër. Kemi biseduar gjatë dhe më ka sqaruar pozicionin e tij. Më ka thënë, që donte të kontribuonte për këtë vend, për të mos lënë të dështonte Lëvizjen Studentore; Siç m’i tha, i besova. Fakti është, se ashtu dolën edhe pas shumë vitesh. E dyta, ky është formulimi i sotëm që i bëj asaj bisede. Mandej, duhet theksuar qartë se në atë kohë nuk kishte shumë njerëz që afroheshin për të kontribuar. Ne duhet të ishim sa më shumë. Ishte kohë e vështirë dhe nuk ishte aq e lehtë të bindje dikë të vinte të organizohej në një parti kundër PPSH-së me atë histori mizore 50 vjeçare të saj. Ende nuk kishte ardhur momenti, që njerëzit të kishin garanci se sistemi po merrte fund”, thotë Imami në interviste për librin “Pardesytë e Bardha”.

Më garancinë se kishte mbështetjen e Hajdarit por tashmë edhe të Imamit, Sali Berisha u shfaq në krah të të dyve, në podiumin që drejtoi procesin e zgjedhjes së anëtarëve të komisionit nismëtar të PD-së.

Mbledhja e parë e Komisionit Nismëtar të PD-së, u zhvillua po atë natë, në darkë, në 13 dhjetor. Në atë mbledhje u zgjodh kryetari i Komisionit Nismëtar, Azem Hajdari. U vendos ta mbante këtë post deri në një moment të dytë, kur do të zhvilloheshin zgjedhjet brenda partisë.

Në mbledhjen e parë të komisionit nismëtar të PD-së u zgjodhën anëtarët e grupeve të punës, si grupi i shtypit, grupi i financave, grupi elektoral etj. Në përbërjen e këtyre grupeve është edhe emri i Edi Ramës, kryetari aktual i PS-së. Rama u zgjodh në grupin e punës për çështjet elektorale si dhe në grupin e punës për statutin dhe programin e partisë. Në përbërjen e grupeve të punës bëjnë pjesë anëtarët e komisionit nismëtar të PD-së por edhe emra të tjerë jashtë këtij komisioni, protagonistë të ngjarjeve të dhjetorit.

Shkarkimi i Hajdarit dhe zgjedhja e Aleksandër Meksit në krye të PD-së

Të pranishëm në ato zhvillime, protagonistë të kohës, e vlerësojnë nga këndvështrime të ndryshme, shkarkimin e Azem Hajdarit nga posti i kryetarit të komisionit nismëtar. Arben Imami, i cili në atë kohë ishte më afër se të tjerët me Azem Hajdarin e sheh si një goditje ndaj Hajdarit.

“Hëm… ajo që mund të them është, se u provokua kjo mbledhje në një orar të pazakontë. Kryetar u zgjodh Leka Meksi, gjithnjë kam shkuar mirë me të, nuk kisha asgjë kundër tij. Por nuk ishte çështje personi, ishte një goditje e beftë. Azemi doli, iu thashë lamtumirë e dola edhe unë. Pak a shumë se ne po ikim, ne e bëmë punën tonë, ju vazhdoni dhe urime në rrugën tuaj. Dhe u larguam. Azemi ishte udhëheqësi i lëvizjes, unë isha krucial për themelimin e partisë (në atë çast, kjo dihej më mirë se sot)” thotë Imami.

Ndërsa Eduard Selami e rrëfen kështu situatën kur po planifikohej shkarkimi i Azem Hajdarit:

“Qëllimi ynë ishte që të organizoheshim për të hyrë në zgjedhje sa më të organizuar. E kishim lënë që të zhvillonim disa zgjedhje në shkurt, pra zgjedhje brenda partisë. Pra, ne ishim në një proces rritje, kishin nisur mitingjet por edhe antimitingjet. Aktiviteti politik po rritej dita ditës. Azemi nuk është se kishte ndonjë ambicie të madhe për të qënë kryetar. Ai ishte modest dhe partia drejtohej me kolegjialitet. Në këto kushte, u pa e arsyeshme që të kryenim më shpejt zgjedhje, me qëllim që të forcohej partia. Pra, vendosëm që në krye të komsionit nismëtar të ishte Leka Meksi. Pasi u zgjodh ai, pati një farë pakënaqësie, që gjithsesi nuk kishte të bënte me kundërshtinë ndaj Lekës apo ndonjë individi tjetër, por ishte fjala vetëm për mënyrën e organizimit të partisë”thotë Selami në intervistë për librin “Pardesytë e Bardha”.

Pra, ishte data 11 janar, kur dhe ishte lënë të zhvillohej mbledhja e komisionit nismëtar të PD-së, ku parashihej shkarkimi i Hajdarit nga detyra e kryetarit të komisionit nismëtar. i pranishëm dhe mjaft aktiv në këtë ngjarje, Arben Demeti rrëfen:

“Mbledhja duhej të fillonte në ora 10, por Azemi në shenjë proteste, nuk pranonte të hynte në mbledhje. Ai sorollatej jashtë selisë. Më në fund nga dreka iu mbush mendja. Mbledhja nuk zgjati shumë. U hodhën në votë kandidatura e Azem Hajdarit dhe Aleksandër Meksit. Me shumicë votash fitoi Aleksandër Meksi. Preç Zogaj dhe miku i tij Mitro Çela, votuan pro Hajdarit. Për paradoks edhe Meksi votoi pro Hajdarit, megjithse e kishte pranuar kandidaturën. Kur ne e pyetëm na tha “Isha afër me Azemin. Kur unë po votoja, ai zgjati kokën për të parë se kujt do t’i hiqja vizë, prandaj ia hoqa vetes”.

Për të njëjtën mbledhje, Imami jep detaje të tjera. Ai flet për lëvizjet që pasuan ikjen e tyre nga mbledhja e komisionit nismëtar ku do të shkarkohej Hajdari.

“Pasi braktisëm mbledhjen, bashkë me Azemin shkuam për drekë në shtëpinë time. Pas pak orësh u shfaqën Leka dhe Edi. Iu thamë, se ishte e turpshme ajo që ndodhi. Na informuan se mbledhja u anullua, duke e konsideruar se nuk ishte zgjedhje e rregullt, se do të vazhdojmë procesin e zgjedhjeve të rregullta, por se ne detyrimisht duhet të ishim aty. Me sa di, një rol pozitiv për të shkuar drejt një zgjidhje ka pasur Saliu. Me sa di dhe me sa më kanë thënë propozimi kishte qënë i Preçit. Kishin vendosur të thërrisnin një aktiv partie dhe me atë aktiv do të shkonim drejt zgjedhjeve të rregullta. Nuk kishim arsye ta kundërshtonim, përkundrazi bëmë përpjekje për të afruar disa personalitete në parti. Faktikisht kryesia u plotësua me njerëz të rinj, pra aktivi shkoi mirë dhe me ato forume kemi bërë zgjedhjet e vitit 1991.”

Po cili kishte qënë roli i Berishës në këtë moment? Sipas Arben Demetit, më 12 shkurt kur po punohej për aktivin, nga mesdita ishte shfaqur Sali Berisha.

“Berisha tha “Dëgjoni këtu. E kam menduar mirë këtë punë. Dje kemi bërë gabim të rëndë, duhet ta kthejmë patjetër mbrapsht. Azemi ka këto e ato merita, duhet ta vlerësojmë etj.” Ne iu përgjigjëm me vendosmëri se këtë problem e kishim mbyllur. Pasi debatuam një copë herë Saliu na befasoi me tezën “Atëherë t’i nënshtrohemi të gjithë votimit. T’i kërkojmë aktivit të votojë për të gjithë ne”. Ne kundërshtuam. Saliu me zë të lartë tha “Pse keni frikë nga vota zotërinj?! Ne jemi të gjithë jolegjitimë, të vetëcaktuar. Vota e aktivit duhet të na legjitimojë, të na japë të drejtën për të drejtuar partinë”. U përpoqëm të sqarojmë, se nuk kishim aspak frikë nga vota, por aktivi iashte thirrur për të tjera probleme dhe nuk duhet të devijonim nga rendi i ditës. Atëherë Saliu dhe Azemi kërcënuan, se do të shtrojnë në aktiv të gjithë problematikën dhe kjo do të sillte një situatë të papëlqyeshme dhe do të ishte shkatërrimtare për PD-në. Hoqëm dorë dhe u arrit kompromisi. Sipas këtij kompromisi, Akleksandër Meksi nuk do të ishte më kryetar i komisionit nismëtar dhe ky ishte qëllimi kryesor i Berishës. Komisioni nismëtar do t’i kërkonte aktivit votëbesimin për të kaluar në komisionin drejtues me 19 persona. Votimi do të ishte i fshehtë, me listë me shumë kandidatura” shkruan Arben Demeti në gazeta “Aleanca”, 13.12. 1994)

Aktivi i parë kombëtar i PD-së

Aktivi kombëtar i Partisë Demokratike u mblodh më 13 shkurt 1991, në sallën e leksioneve të Pallatit të Kulturës. Një ditë më parë, ishte arritur kompromisi. Azem Hajdari konsiderohej i shkarkuar si kryetar i komisionit nismëtar, por kjo nuk do t’i bëhej e ditur aktivit. Aktivi do të procedonte me rendin e ditës së paracaktuar dhe si pikë e fundit do të ishte votëbesimi. Aktivi drejtohej nga Eduard Selami si sekretar i komisionit nismëtar. Ishin zgjedhur 25 kandidatura, ku përfshiheshin të gjithë anëtarët e mbetur të komisonit nismëtar. U përfshinë në listë edhe intelektualë të aktivizuar në lëvizje ato dy muaj.

Ishte vendosur me konsensus që në aktiv të mos debatohej, por Azem Hajdari e nisi pikërisht me debat mbledhjen. Ai foli pas raporteve zyrtare, që mbaheshin nga drejtues të tjerë të komisionit nismëtar. Pas shumë debatesh, në ditëne dytë të aktivit kombëtar, Sali Berisha u zgjodh kryetar i përkohshëm i komisionit nismëtar të PD.

Zgjedhjet e 31 marsit dhe humbja e PD

Fushata e zgjedhjeve të 31 marsit u zhvillua në një situatë të tensionuar politike. Humbja e PD-së në zgjedhjet e 31 marsit solli dëshpërim të madh në radhët e demokratëve. Por, ndërsa PPSH-ja kishte fituar betejën e parë, udhëheqësi i tyre e kishte humbur atë. Ramiz Alia nuk arriti të zgjidhej deputet në kuvendin e zgjedhjve të para pluraliste, në një prej zonave më të favorshme për të në kryeqytet, duke humbur përballë kundërshtarit demokrat, Franko Krroqi.

Humbja në zgjedhje, solli ç’orjentim në ditët e para në radhët e demokratëve. Zhgënjimi i madh për humbjen u shpërnda në të gjithë Shqipërinë dhe u pasua me protesta të dhunshme, të cilat përfunduan me viktima. Por së pari, Partia Demokratike duhej të organizohej brenda saj. Më herët ishte planifikuar procesi i zgjedhjeve në këtë parti, pikërisht fundi i shtatorit, si koha e përshtatshme kur do të zhvillohej kuvendi i parë kombëtar i PD-së.