Partia Demokratike i rikthet kauzës së dënimit të krimeve të komunizmit. Ku konsiston plani demokrat?

Identifikimi dhe dënimi i përgjegjësve për rreth 7 mijë krime gjatë regjimit komunist do të jetë një prej kauzave të Partisë Demokratike, gjatë kësaj legjislature parlamentare.

Ekspertë ligjorë pranë Partisë Demokratike thanë për Shqiptarja.com se po shqyrtohen disa modele, të cilat mund të aplikohen në Shqipëri, për dënimin e krimeve të komunizmit, përmes një nisme të mundshme konkrete.

Ditën e martë, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, gjatë fjalimit të tij në seancën plenare për programin e qeverisë ‘Rama 2’, hodhi idenë e për ngritjen e një institucioni, për mbledhjen e pronave, gjurmimin dhe hetimin e personave të përfshirë në krimet e komunizmit, pjesë apo jo e politikës dhe piramidës së administratës së shtetit.

Burime pranë Partisë Demokratike konfirmuan për Shqiptarja.com se nuk bëhet fjalë thjeshtë dhe një ide apo fjalim të radhës, por për një çështje më shumë rëndësi, i cila pritet të konkretizohet me një nismë ligjore në parlament.

Përfaqësuesit e opozitës synojnë ngritjen e një institucioni të posaçëm me ligj, i ngjashëm me policinë gjyqësore, për të mundësuar zbatimin e nenit 74 të Kodit Penal, për krimet e kryera kundër njerëzimit, të cilat dënohen jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

Institucioni do të hetojë të gjitha pushkatimet me gjyq dhe pa gjyq, duke u fokusuar tek zinxhiri i personave të implikuar që nga ekzekutuesit deri tek urdhëruesit. Sipas ekspertëve ligjorë të Partisë Demokratike institucioni në fjalë nuk dublon kompetencat e organit të akuzës, por do të bëjë atë që bën policia gjyqësore, për të mbledhur fakte dhe prova, për t’i vënë më pas në dispozicion të Prokurorisë.

Pra, objekti i këtij institucioni janë të dhënat rreth 7 mijë vrasjeve me gjyq apo pa gjyq. Në Shqipëri, është dënuar vetëm Shefqet Peçi për krime lufte. Ndërkaq, një numri prej tetë anëtarësh të ish-Byrosë Politike u janë hequr titujt dhe dekoratat në vitin 1995 me dekret të presidentit të atëhershëm, ndërsa disa prej tyre u dënuan vetëm për korrupsion.

27 vitet e pluralizmit janë karakterizuar vetëm me retorikë politike dhe nisma të dështuara në raport me periudhën komuniste. Ndërkaq, vitet e fundit, në Rumani dhe Poloni po dënohen edhe 95-vjeçarë për krime kundër njerëzimit. Dy vendet në falë pritet të merren si model nga opozita.

Kushtet e opozitës
Opozita shqiptare, përmes kryetarit të saj, Lulzim Basha, ka artikuluar 10 kushte në adresë të shumicës parlamentare, për të vijuar bashkëpunimin politik në frymën e marrëveshjes së 18 Majit. Dy kushtet kryesore konsistojnë në ndryshimin e sistemit politik dhe në realizimin e një reforme të thellë zgjedhore. Gjithashtu, opozita kërkon largimin i Gramoz Ruçit si kryetar i Kuvendit dhe i Fatmir Xhafajt si ministër. Kushtet e tjera kanë të bëjnë me arrestimin e krerëve të policisë që kanë favorizuar kultivimin e drogës si dhe me dorëzimin tek Interpoli të vëllait të ministrit Xhafa. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama, në dy seancat e para plenare, ka ftuar opozitën për një bashkëpunim serbizon për çështjet me interes kombëtar.

Nisma
Identifikimi dhe dënimi i përgjegjësve për rreth 7 mijë krime gjatë regjimit komunist do të jetë një prej kauzave të Partisë Demokratike, gjatë kësaj legjislature parlamentare.

Institucioni
Përfaqësuesit e opozitës synojnë ngritjen e një institucioni të posaçëm me ligj, i ngjashëm me policinë gjyqësore, për të mundësuar zbatimin e nenit 74 të Kodit Penal, për krimet e kryera kundër njerëzimit.

Neni 74 i Kodit Penal Krime kundër njerëzimit

Vrasjet, zhdukja me forcë, shfarosjet, kthimi në skllevër, internimet dhe dëbimet, si dhe çdo lloj torture ose dhune tjetër njerëzore, të kryera, sipas një plani konkret të paramenduar, ose në mënyrë sistematike, kundër një grupi të popullsisë civile, për motive politike, ideologjike, raciale, etnike e fetare dënohen jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

Legjislatura e re, debati për komunizmin

Oerd Bylykbashi
“Ai që në 2013 solli në politikë kriminelët, sot po rikthen hijet e krimeve të komunizmit.

Në mesin e viteve 60, Gjermania filloi të dënonte zyrtarët nazistë për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, 20 vjet pas luftës. Gati-gati si të fillojmë të dënojmë ne sot kriminelët e komunizmit. Nuk po flas për komunizmin si sistem, ai vdiq. Po flas për të keqen dhe krimet e komunizmit nga të cilat nuk jemi ndarë.

Rreth 7000 vetë, apo mesatarisht 20 vetë për çdo ditë të kalendarit të një viti, janë vrarë apo kanë vdekur në burgje e kampe.

Kemi një kalendar martirësh të lirisë, por për turpin tonë, nuk kemi asnjë të dënuar për këto krime. Këshilli i Evropës i barazon krimet e komunizmit me ato të nazizmit, i quan krime kundër njerëzimit. Ka një nen për këtë në kod penal. Ne krime naziste nuk kemi, por krime të komunizmit kemi me mijëra, ama nuk kemi asnjë të dënuar.

Gjermania filloi t’i dënonte nazistët njëzet e ca vite pasi ranë nga pushteti. Në 2016 Rumania dënoi për krime kundër njerëzimit një 90-vjeçar kriminel komunist. Pra jemi në kohë ta nisim pastrimin nga e keqja me tehun e drejtësisë.

Përtej hapjes së dosjeve dhe lustracionit, shqiptarët kanë nevojë të pastrojnë ndërgjegjen e shoqërisë jo me hakmarrje, por me bisturinë e drejtësisë. Ka ardhur koha të ngremë një institucion që mbledh prova, gjurmon dhe heton kriminelët e komunizmit, nga maja e shtetit deri tek skutat e humbura e t’i dënojmë pa llafe, por me prova për ata që vdiqën e shpesh janë pa varr.

Dhe në këtë institucion nuk duhet të infiltrojnë ata që krenohen me ato që kanë bërë vetë, prindërit apo gjyshërit e tyre”.

Taulant Balla
“Sa për antikomunizmin tuaj dhe merakun për të po u them diçka. Ky Kuvend nuk bëhet më pak antikomunist se është Gramozi në krye. Gramozi ka qenë një ish komunist i viteve tetëdhjetë, kurse ne këtu kemi dhe ish komunist të viteve 60 si Berisha.

Pra nuk e ka ky rekordin e komunistit më të vjetër në Kuvend e ka Saliu. Ky Kuvend mund të jetë më pak antikomunist se të tjerët, por jo për faj të socialistëve. Ne këta kemi qenë këtu dhe mandatin e shkuar. Të vetmit antikomunistë që ishin këtu, nuk i zbuam ne, i zboi Luli natyrisht dhe Saliu.

Që të jem i drejtë me ju, edhe ata nuk i hoqët si antikomunistë, por se si rrezik për karrierën tuaj. Puna juaj, nuk dua tu ndërhyj. Por mos u ankoni për mungesë antikomunistash në Kuvend, kur hiqni nga Kuvendin Patozin si Student Dhjetori dhe Topallin si familje antikomuniste.

Kur thashë që në fillim se ashtu si opozita edhe ne socialistët e kemi betejën me vete, kam parasysh betejën që na pret për ti çliruar shqiptarët nga makthi i stërkëmbshave politike për interesa personale, kundër interesit të Shqipërisë. Me mundësinë që më jep fjala në emër të Grupit, do të doja të nënvizoja cilësitë themelore që do të përbëjnë edhe shtyllat kryesore të sjelljes sonë, si qeveri, si grup parlamentar, edhe si parti socialiste në çdo cep të Shqipërisë”./a.m.