Paraqitje mbresëlënëse e ansamblit “Shota” në edicioni i 23-të i festivalit ndërkombëtar të Folklorit “Plovdiv 2017”, Bullgarisë

Nga data 1 deri më 5 gusht, në Plovdiv të Bullgarisë është mbajtur edicioni i 23-të i festivalit ndërkombëtar të Folklorit “Plovdiv 2017”. Në këtë festival, ku merrnin pjesë nëntë ansamble, nga nëntë vende të ndryshme të botës, ansambli “Shota” i Kosovës ka mbajtur 8 koncerte dhe 5 defile të përbashkëta me trupat pjesëmarrëse, përcjell KultPlus.

Organizatori kishte parashikuar për çdo ditë, valle nëpër qendrën e qytetit të Plovdivit dhe programe në sheshin kryesor të qytetit “Stefan Stambolov” si dhe në amfiteatrin Antik të Plovdivit. Gjithashtu të gjitha ansamblet, të ndara në dy grupe kanë realizuar në datat 2 dhe 3 gusht vizitë në qytezën Peshtera, ku përveç vizitës së muzeut të pasur të qytetit, kanë realizuar nga një valle dhe program 30 minutash.

Në ditën e parë të festivalit, ansamblin e ka vizituar ambasadori i Republikës së Kosovës në Bullgari, Shpend Kallaba, i shoqëruar nga sekretari i dytë i ambasadës Bujar Desku. Po ashtu, Kallaba me bashkëpunëtorë ka ndjekur programet e Ansamblit në sheshin “S. Stambollov” dhe hapjen zyrtare të Festivalit në Amfiteatrin Antik të Pllovdivit. Në një bisedë të ngrohtë me drejtuesit dhe anëtarët e Ansamblit, Kallaba është shprehur se Ansambli “Shota” është ambasadori më i mirë i kulturës kosovare në botë, si dhe është shprehur se ky aset kombëtar duhet të shfrytëzohet edhe më tepër në sferën e “diplomacisë kulturore”.

Përveç shfaqjeve, drejtuesit e ansamblit, drejtori Shefqet Gjocaj dhe udhëheqësi artistik Ylber Asllanaj kanë bërë vizita edhe në komunën e Plovdivit dhe Peshtera-s. Drejtori Gjocaj, gjatë takimeve me autoritetet e Plovdivit dhe para audiencës prej mbi 5000 shikuesve në përmbyllje të festivalit, ka përgëzuar organizatorët për festivalin shumë të suksesshëm, si dhe i ka dëshiruar suksese komunës së Plovdivit në organizimin më të madh që do të ketë për dy vite, kur në vitin 2019 do të jetë “Kryeqytet Evropian i Kulturës – Plovdiv 2019”. Gjithashtu drejtuesit e Ansamblit kanë realizuar takime dhe kanë këmbyer dhurata me të gjithë trupat pjesëmarrëse të Festivalit.

Duhet përmendur gjithashtu se nga vetë përkrahja e publikut të shumtë bullgar, por edhe nga komplimentet e shumta të organizatorëve dhe ansambleve pjesëmarrëse, paraqitjet e Ansamblit “Shota” janë vlerësuar si mbresëlënëse. Pothuajse nuk ka pasur asnjë sekondë gjatë paraqitjeve të Ansamblit kosovar në skenë, që nuk janë duartrokitur dhe ovacione. E kur kjo vjen nga një publik shumë i kultivuar në fushën e kulturës dhe folklorit, atëherë vërtetë shqiptaret e Kosoves duhet të ndjehen krenar me trupën e tyre te valleve.