Paqëtohet stuhia tropikale “Harvey”- Teksas, rreziku nga përmbytjet ende i pranishëm

Stuhia e dobësuar Harvey solli sot shira të rrëmbyer në Luiziana, ndërkohë që është larguar nga Teksasi lindor, duke lënë aty përmbytje që ende përbëjnë rrezik për shkak të sasisë së madhe të ujit të mbetur.

Ndërkohë, në qytetin Krosbi në lindje të Hjustonit priten shpërthime të tjera në një impiant lëndësh kimike të përmbytur, pas dy të tillave që ndodhën të enjten herët në mëngjes.

Banorët e Krosbit u urdhëruan të largohen nga shtëpitë pas shpërthimeve në impiantin Arkema, që lëshuan flakë nga 9 deri në 12 metra të gjata dhe tym të zi. Si pasojë u shtruan në spital 15 policë. Sherifi i kontesë Harris Ed Gonzalez tha se 13 prej policëve janë larguar nga spitali pas marrjes së trajtimit mjeksor për thithje të një “ngacmuesi jo-toksik”, ndërsa dy të tjerët janë ende nën “kontroll”.

Në një konferencë për shtyp në Krosbi shefi ekzekutiv i impiantit Richard Rennard tha se ekziston mundësia për të tjera shpërthime kjo pasi kompania dhe zyrtarët lokalë ranë dakord se plani më i mirë është lejimi të digjen i peroksideve organike që ndodhen në impiant.

Pas stuhisë që goditi rajonin për shumë ditë me radhë, meteorologët parashikuan 10 deri 20 centimetra shi në Luiziana.

Stuhia po vazhdon të lëvizë në brendësi, në drejtim të shteteve Arkansa, Misisipi, Tenesi dhe Kentaki.

Qendra Kombëtare e Uraganëve tha se edhe pse rreziku i reshjeve të tjera ka kaluar për qytetin e Hjustonit, përmbytjet katastrofike dhe kërcënuese për jetën e njerëzve do të vazhdojnë të jenë të pranishme në Teksas si dhe në Luizianën jugperëndimore për pjesën e mbetur të javës.

Qyteti Bomont njoftoi sot se përmbytjet kanë nxjerrë nga përdorimi sistemin e furnizimit me ujë dhe se për të bërë riparimet duhet pritur deri sa të drenazhohet uji. Është e pamundur të parashikohet se sa mund të zgjasë kjo, thanë zyrtarët.

Në Hjuston, ku në disa zona ra deri në 130 centimetra shi, shërbimet për qytetarët kanë rifilluar. Fluturimet nga aeroporti i Hjustonit rifilluan të mërkurën. VOA