Papa Françesku: uniteti ndërmjet të krishterëve është simfoni zërash në dashuri

Papa priti, në Vatikan, delegacionin e Patriarkanës ekumenike të Kostandinopojës, në kuadrin e shkëmbimit tradicional të përfaqësive për festat përkatëse të shenjtorëve pajtorë: më 29 qershor në Romë, për kremtimin e apostujve të shenjtë Pjetër e Pal dhe me 30 nëntor, në Stamboll, për kremtimin e festës së Shën Andreut Apostull.

“Si ipeshkëv i Romës, dëshiroj të ripohoj se për ne, katolikët, qëllimi i dialogut është bashkimi i plotë, duke respektuar ndryshimet e ligjshme,  e jo sheshimi homologues, e aq më pak, përthithja”. Me këto fjalë e priti Papa Françesku delegacionin e Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës, ardhur në Romë për solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e Pal, apostuj e pajtorë të Qytetit të Amshuar.

Ta lemë pas shpine shkandullin e përçarjeve

Papa i drejtoi përshëndetjen e tij vëllazërore Patrikut Bartolomeu I, duke kujtuar “lidhjet e forta ndërmjet Kishës së Romës e asaj të Kostandinopojës, si dhe “impenjimin e përbashkët” për të ecur  drejt “bashkimit të plotë”, sipas vullnetit të vetë Jezusit.

“Shkandulli i ndarjeve, plagë ende e papërtharë, mund të  zhduket vetëm me Hirin e Zotit, ndërsa ecim së bashku, duke i shoqëruar me lutje hapat e tjetrit, duke kumtuar Ungjillin e harmonisë, duke u shërbyer nevojtarëve, duke dialoguar në frymën e së vërtetës, pa lejuar që të kushtëzohemi nga paragjykimet e së kaluarës. Kështu, me këtë transperencë të sinqertë, që e dëshiron vetë Zoti, do ta rigjejmë njëri-tjetrin e do të dimë ta vlerësojmë më shumë identitetin tonë, do të njihemi më mirë e do ta thellojmë dashurinë reciproke”.

Simfonia e ndryshimeve

Papa Bergoglio kujtoi, ndërmjet tjerash, shtegtimet e fundit apostolike në Bullgari e Rumani, ashtu si dhe takimet me patrikët Neofit e Daniel e  Sinodet e tyre, që  i krijuan mundësinë të vlerësojë “pasurinë shpirtërore të pranishme në ortodoksi”:

“Dua  t’ju rrëfej se u nisa nga këto vende me dëshirë edhe më të madhe për bashkim – kujtoi – e jam gjithnjë i bindur se rivendosja e unitetit të plotë ndërmjet katolikëve e ortodoksëve kalon përmes respektit të identiteteve  përkatëse dhe bashkëjetesës së harmonishme në larmitë e ligjshme”.

Më pas Papa shtoi:

“Shpirti Shenjt, nga ana tjetër, është ai, që me frymën e Tij, krijon  shumëllojshmërinë e dhuratave, harmonizon, prin drejt unitetit, një uniteti të vërtetë, sepse nuk është uniformitet, por simfoni, në të cilën shkrihen një mori zërash. Simfoni e zërave të dashurisë”.

Dashuria krijon unitet

Nuk duhet pasur “frikë nga dialogu”, posaçërisht në një botë, që ka shumë nevojë për “guximin apostolik të kumtimit”. Përballë sfidave të panumërta të kohëve tona, ndërmjet të cilave “mbrojtja e krijimit”, dishepujt e Krishtit janë të thirrur të përgjigjen njëzëshëm:

“Përballë krizës shqetësuese ekologjike që po kalojmë, kujdesi për shtëpinë e përbashkët nga ana e besimtarëve, nuk është vetëm urgjencë, që mund të presë, por mënyrë konkrete për t’i shërbyer të afërmit, në frymën e Ungjillit. Dhe këtë e konsideroj si shenjë të bukur bashkëpunimi ndërmjet Kishës Katolike dhe Patriarkanës Ekumenike, ndërmjet çështjeve të tjera aktuale, si lufta kundër formave moderne të skllavërisë, mikpritja dhe integrimi i emigrantëve, të shpërngulurve e refugjatëve si dhe lufta për paqen në nivele të ndryshme”.