Papa Françesku: “Unë e dua shumë shën Jozefin, sepse është njeri i fortë dhe i heshtur”

Në tri çaste të ndryshme, tre reflektime të ndryshme të Papës Françesku për shën Jozefin, festën e të cilit e kremton sot Kisha Katolike. Shenjt, për të cilin Papa ka devocion të veçantë e pikërisht për këtë, zgjodhi kremtimin e tij liturgjik, 19 marsin, si ditë të fillimit të papnisë.

Homelia e meshës për fillimin e shërbimit pjetrin: 19 mars 2013

“Jozefi është ‘rojtar’, sepse di ta dëgjojë Zotin – pati thënë në meshën e fillimit të shërbimit pjetrin – e lë veten në dorën e Hyjit e të vullnetit të Tij, prandaj, është edhe më i ndjeshëm për njerëzit që i janë besuar, di të interpretojë me realizëm ngjarjet, i vëmendshëm ndaj gjithçkaje që e rrethon e kështu, merr vendimet më të urta. Tek ai shohim si i duhet përgjigjur thirrjes së Zotit, me gatishmëri, me bindje”.

Fjala për familjet, Mall of Asia Arena, Manila: 16 janar 2015

“Unë e dua shumë shën Jozefin, sepse është njeri i fortë dhe i heshtur – u pati thënë Papa familjeve në Manila, në vitin 2015. – Mbi tryezën time të punës kam një shtatore të vogël të shën Jozefit që fle, e kur kam ndonjë problem a vështirësi, i lë një shënim mbi një copë letër poshtë shtatores, që ai ta shohë në ëndërr problemin. Tani, le të kemi parasysh aspektin tjetër: ‘të çohemi me Jezusin e Marinë’. Këto çaste të çmuara pushimi, pauze me Zotin në lutje, janë çaste që do të donim të ishin sa më të gjata. Por si Shën Jozefi, pasi e dëgjojmë zërin e Zotit, duhet të shkundemi nga gjumi; duhet të ngrihemi të veprojmë si familje (shih Rm 13,11). Feja nuk na mënjanon nga bota, por na integron edhe më thellë në të”.

Homelia e meshës së mëngjesit, Shtëpia e Shën Martës: 20 mars 2017

Në homelinë e meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, më 20 mars 2017, Papa Françesku pati theksuar: “Sot dëshiroj t’i lutem Zotit, që të na japë të gjithëve aftësinë për të ëndërruar, sepse kur ëndërrojmë gjëra të mëdha e të bukura, i afrohemi endrrës së Zotit, gjërave që Zoti ëndërron për ne. Shën Jozefi u dhashtë të rinjve aftësinë për të ëndërruar, për të rrezikuar e për t’i marrë përsipër detyrat e vështira, që kanë parë në ëndërr”.