Papa Françesku u përgjigjet pesë pyetjeve të pjesëmarrësve në Takimin para-sinodal për të rinjtë

Françesku u përgjigjet pesë pyetjeve të pjesëmarrësve në Takimin para-sinodal për të rinjtë: një vajzë nigeriane e çliruar nga rruga, një francez ateist, një argjentinase mësuese në Scholas, një seminarist dhe një murgeshë e re kineze.

Dëshiroj që ju të rinjtë të luftoni kundër krimit të shfrytëzimit seksual të grave, kundër mendësisë së sëmurë, sipas së cilës “gruaja duhet shfrytëzuar”. Është krim kundër njerëzimit e i riu, që e ka këtë zakon, ta presë, sepse është kriminal: “Të shkosh me prostituta nuk do të thotë të bësh dashuri, por ta torturosh gruan”. Ky, pohimi i Papës në takimin para-sinodal për të rinjtë, që vijon në Romë, duke iu përgjigjur pyetjes së një vajze të re nigeriane, viktimë e trafikut të qenieve njerëzore, që ia doli mbanë të shpëtonte nga rruga, ku qe flakur, pa dashur. E më pas Papa kërkoi falje për të gjithë katolikët, të cilët e bëjnë këtë akt kriminal që, në Itali, ka shumë mundësi, të jenë shumica e klientëve.

Mendësi  e sëmurë ajo, që kërkon ta shfrytëzojë gruan

Blessing Okoedion,  e ardhur në Itali katër vjet më parë, pasi u mashtrua  e u detyrua të bëhet prostitutë, e pyeti Papën si mund të ndihmohen të rejat, që të mos e humbasin fytyrën njerëzore e të fitojnë mbi mendësinë e sëmurë, e cila e katandisë gruan në mall tregu, “për të përmbushur kënaqësinë egoiste të mashkullit”. E edhe nëse Kisha, akoma tepër mashkulliste, është në dijeni të faktit se shumë klientë janë katolikë. Françesku e falënderoi për pyetjen “pa anestezi” dhe kujtoi se, më 2017-tën vizitoi shtëpinë-shoqatë “Gjoni XXIII” të don Benzit, ku u takua me vajza të çliruara nga skllavëria. “Kur çlirohen – kujtoi – nuk kanë më guxim të rikthehen në shtëpi e t’ua thonë të vërtetën familjeve: nuk duan t’i përlyejnë me historinë e tyre”.  E, më pas, tregoi historinë e dashurisë së një vullnetari me një vajzë, të cilën e ndihmoi të ikë nga rruga.

Falje për krimin e katolikëve, që e blejnë seksin me para!

Po as feminizmi – vijoi Papa Françesku – nuk ia doli mbanesh ta zhdukë nga përfytyrimi kolektiv mendësinë e sëmurë, sipas së cilës “gruaja ka lindur për t’u shfrytëzuar”. E foli për një vajzë afrikane të shitur nga një rregulltare a një laike e angazhuar në famullinë e saj. Problem tejet i rëndë – përfundoi – e dëshiroj që ju, të rinjtë, të luftoni për këtë.

E, ju lutem, nëse ndonjë i ri e ka këtë adet, ta presë, e? Është kriminel. Kush e bën, është kriminel. “Po, o Atë, s’u dashka, pra, të bësh dashuri?” – “Jo, jo, kjo nuk quhet të bësh dashuri. Kësaj i thonë ta torturosh gruan! Mendësi e sëmurë”. E unë dua të përfitoj  nga ky çast – sepse ti fole për të pagëzuar, të krishterë – që t’ju kërkoj falje, ju e mbarë shoqërisë, për të gjithë katolikët, që e bëjnë këtë akt kriminal”.

Radio Vatikani