Papa Françesku priti, në formë private, presidentin e Microsoft, Brad Smith

Drejtori i përkohshëm i Sallës vatikanase të Shtypit, Alessandro Gisotti, njofton se Papa priti, në audiencë private, presidentin e Microsoft, Brad Smith

R. SH. – Vatikan

Drejtori i përkohshëm i Sallës vatikanase të Shtypit, Alessandro Gisotti, njofton se Papa priti sot, në formë private, presidentin e Microsoft, Brad Smith, shoqëruar nga Kryetari i Akademisë Papnore për Jetën, imzot Vinçenzo Paglia.

“Gjatë takimit – bën të ditur Gisotti – Smith foli për Inteligjencën artificiale në shërbim të së mirës së përbashkët si dhe për disa veprimtari, që shërbejnë për të sheshuar hendekun dixhital, i cili vazhdon në nivel global. Së fundi, Papa u njoftua edhe se Microsoft, së bashku me Akademinë për Jetën, do të promovojnë një çmim ndërkombëtar mbi “Etikën në Inteligjencën artificiale”. Kjo edhe tema e plenares së Akademisë Papnore për Jetën, në vitin 2020”.

Asambleja e ardhshme e Akademisë Papnore për Jetën do të mbahet më 25  deri më 27 shkurt, në Vatikan, me temë. “Roboetika. Njerëzit, makinat e shëndeti”; ndërsa plenaria e vitit 2020, do të ketë temën, që sapo e kujtuam “Inteligjenca artificiale”.