Papa Françesku, për të rënët në misione paqeje: janë heronj të atdheut e të njerëzimit

Në audiencën e sotme të përgjithshme Papa përshëndeti familjarët e të rënëve në misione paqeje, që marrin pjesë në një takim, në Romë. Shoqëroheshin nga ipeshkvi ushtarak për Italinë, imzot Santo Marcianò.

Në këtë përshëndetje drejtuar takimit për familjarët e atyre, që flijuan jetën në misione paqeje në botë, Françesku i quajti të rënët “heronj të atdheut e të njerëzimit”.

Ipeshkvi ushtarak për Italinë, që i njeh shumë mirë të gjithë familjarët e viktimave, tregon, i prekur thellë, se “zemra e tyre kullon gjak, sepse plot me plagë të hapura, që vështirë të mbyllen”. Humbën bijtë, bashkëshortët, etërit. I humbën, nësa jepnin jetën e tyre, për të shpëtuar jetë të tjera. Sepse këtë bëjnë ushtarakët tanë – theksoi prelati – Flijohen me bindje e me besim. Ranë për dashuri, dashuri për njeriun e për paqen e tij. Sjellje thellësisht e krishterë”.

Prej këndej, Kisha është gjithnjë pranë familjeve të të rënëve. Sepse atdheu nuk mund  t’i harrojë kurrë! E përqafimi i Papës në audiencën e sotme të përgjithshme është shenjë afërsie të thellë nga ana e Kishës. E pra – vijoi të kujtojë ipeshkvi ushtarak – shoqëria civile i harron, i fsheh. E kam një farë frike – pohon – ndoshta fakti i dëshirës për t’i harruar fsheh një gjykim ideologjik, politik. Gjykohet vdekja, në vend që të vlerësohej. Gjë e rrezikshme, kjo.

Të rinjtë, gjithnjë më të joshur nga jeta ushtarake

Dëshmia e familjarëve të ushtarakëve të rënë është shumë e çmuar për të rinjtë. I nxit ta shikojnë jetën në uniformë, si shprehje e dhurimit të vetes. Imzot Marcianò entuziazmohet duke treguar ç’i thonë shpesh të rinjtë.  Ata – nënvizon prelati – e duan jetën ushtarake, nga që  besojnë se kështu jeta mund të jetohet me fund. S’është për t’u çuditur: janë bij të botës ushtarake italiane, që përkon me një etikë vlerash, e cila i bindet nenit 111 të Kushtetutës: “Italia i kundërvihet luftës. Kombi ynë e di mirë ç’do të thotë mbrojtje, roje, punë për dialog e paqëtim”.