Papa Françesku: pas pandemisë, shpresa për të rilindur të bashkuar!

Në revistën spanjolle “Vida Nueva”, Papa tregon “planin për rilindjen” pas Covid 19. Virusi – kujton – shkaktoi shumë dhimbje, por na bëri të rizbulojmë se jemi një familje e vetme! Është koha t’i hedhim një shikim të ri botës, të vëmë në qarkullim “antikorpet e solidaritetit”. Nuk mund ta shkruajmë historinë “duke u kthyer shpinën vuajtjeve të të tjerëve”.

R. SH. – Vatikan

Guri mbi varr ishte tepër i rëndë. Gratë, që shkuan në agun e Pashkëve tek Varri, nuk do të kishin mundur kurrë ta zhvendosnin. Po kjo nuk i ndaloi. Edhe në mes të errësirës e humbjes së çdo shprese, ata kishin me vete enët e parfumit, për të lyer trupin e vdekur të Mësuesit. E pastaj, e papritura, që i mbushi me një gëzim të pashoq, të paprovuar kurrë nga zemra njerëzore: “Papritur Jezusi doli për t’i takuar e i përshëndeti me fjalët ‘Gëzohuni!’”.

Fjala e fundit

Do të ishte një shaka e pakëndshme t’i ftosh njerëzit të gëzohen, përballë pasojave të Covid -19. Papa është i vetëdijshëm se ndokujt mund t’i duket “injorancë” e mungesë përgjegjësie ftesa për t’u gëzuar, në hyrje të intervistës së tij. Po megjithatë, e bën këtë ftesë!

Gjenia e bekuar femërore

E bën, sepse pikërisht në këtë kumtim të Ungjillit: “Nuk është këtu! U ngjall!” – Françesku shikon “bazën e Planit për ringjalljen”, për të cilin flet në Vita Nueva. Njerëzimi është ai, që ishte atë ditë. Me njerëz të trembur. Me apostuj të shpërndarë andej e këndej.  E me gratë, që shkuan se shkuan tek Varri, me guximin tipik, të pazëvendëueshëm e të bekuar të gjenisë femërore. Edhe në botën e fshikulluar nga kamxhiku i koronavirusit – vëren Papa – pamë shumëkënd duke mjekuar të tjerët e duke rrezikuar edhe vetë jetën për njerëzit e sëmurë e të vuajtur!

Kurrë të dorëzuar!

Mundëm të zbulojmë – kujton – sa e sa njerëz që, në kushte tejet të rënda, vijojnë të luftojnë, të bashkëpunojnë, ta mbështesin njëri-tjetrin; pamë  ngushëllimin që dhanë e po japin mjekët, infermierët, pastruesit, personeli  i supermarketeve, punonjësit e pastrimit, transportuesit, forcat e sigurimit, vullnetarët, meshtarët, motrat, gjyshërit, edukatorët e të tjerë akoma. Të gjithë nuk kanë pushuar së bëri, çka duhej bërë e të jepnin çka duhej dhënë!

Kohë e përshtatshme

Lajmi “që ta mbush zemrën me gëzimin e së papriturës së jashtëzakonshme” arrin nga gratë, pikërisht në një situatë të tillë, ndërsa përpiqeshin të bënin çka duhej bërë! Ndaj gjesti i tyre i dhimbshëm, shndërrohet në gjest gëzimi! Vdekja shndërrohet në jetë! E kjo – kujton Françesku – është shpresa jonë, që hap një plasë, për të ta parë realitetin e ngarkuar me vuajtje, me një sy të ri. “Zoti – pohon – nuk e braktis kurrë popullin e vet, posaçërisht kur dhimbja bëhet tepër e pranishme”.

Të rishkruhet mirë historia

Mbi emergjencat si COVID-19 mund të fitohet, para së gjithash, me antikorpet e solidaritetit – kujton Papa – duke përdorur këtu shprehjen, që lexohet në dokumentin “Pandemia dhe vëllazërimi universal”, botuar nga Akademia për Jetën, më 30 marsin e kaluar. “Një leksion  – vijon –  që i jep fund fatalizmit ku ishim zhytur e na krijon kushtet ta ndjejmë përsëri veten arkitektë e protagonistë të një historie të përbashkët. Nuk mund ta shkruajmë historinë e sotme e të ardhme duke i kthyer shpinën vuajtjeve të shumë njerëzve!”.

Përgjigjet e drejta

Papa është i sigurt: “Nëse do të sillemi si një popull i vetëm edhe përballë epidemive, që trondisin njerëzimin, mund të kemi ndikim të vërtetë”. Është një sërë pyetjesh, nga përgjigjja e të cilave varet rilindja e Planetit: “A do të mund të  veprojmë me përgjegjësi përballë urisë së shumicës që vuan, duke e ditur se ka ushqim për të gjithë? Do të vijojmë të shikojmë në anën tjetër, me bashkëfajësi të heshtur, përballë luftërave të ushqyera nga dëshira për sundim e pushtet? Do të mund ta ndryshojmë stilin e jetës, me një jetë më të thjeshtë, që krijon mundësinë për shpërndarjen e drejtë të burimeve? Si bashkësi ndërkombëtare, a do të mund t’i marrim masat e duhura për ta ndaluar rrënimin e ambientit? A do të vijojë globalizimi i indiferencës ta kërcënojë udhën tonë? Do t’i gjejmë antikorpet e nevojshme të drejtësisë, të bamirësisë e të solidaritetit?”.

“Nuk kemi frikë – pëfundon Papa – ta jetojmë alternativën e qytetërimit të dashurisë, qytetërimit të shpresave, kundër ankthit e frikës, trishtimit e shkurajimit, pasivitetit e lodhjes! Qytetërimi i dashurisë ndërtohet ditë për ditë, pambarimisht! Kërkon impenjmin e të gjithëve. Kërkon një bashkësi të angazhuar vëllezërish!”.