Papa Françesku: Nga e keqja nuk ka paqe, gëzimin e tё mirën i gjejmë nё Zotin

Papa: E keqja nuk jep kurrë paqe, vë furi më parë dhe lë hidhërim pas. Zëri i Zotit nuk premton kurrë gëzim me çmim të ulët: na fton të shkojmë përtej vetes tonë për të gjetur të mirën, e vёrtetё, paqe. E çdo ditë duhet të mësojmë të bëjmë diçka të re, të jemi më të mirë se më parë.

R.SH. – Vatikan

“E keqja nuk jep kurrë paqe, vë furi më parë dhe lë hidhërim pas. Zëri i Zotit nuk premton kurrë gëzim me çmim të ulët: na fton të shkojmë përtej vetes tonë për të gjetur të mirën, e vёrtetё, paqen”. Kёshtu shkruan Papa Françesku nё njё tweet, sot mё 1 korrik 2020, nё faqen e internetit @Pontifex.

Lufta kundër së keqes

Lutja e Atynës, qё na ka mësuar Jezu Krishti, përfundon me frazën: “na liro prej gjithë së keq”. Në të vërtetë, shpjegon shpesh Papa Françesku, e keqja nuk është diçka abstrakte, është një person: djalli. Në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, më 11 prill 2014, Ati i Shenjtë Bergoglio pati thënë: “Jeta e Jezusit ka qenë luftë. Ai erdhi për të fituar mbi të keqen, mbi princin e kësaj bote, mbi djallin”. Është luftë, që duhet përballuar nga çdo i krishterë. Kush dëshiron ta ndjekë Jezusin, duhet “ta njohë mirë këtë të vërtetë”, nënvizon Papa.

Të mësojmë si të bëjmë mirë

“Të largohemi nga e keqja, të mësojmë si të bëjmë mirë e ta lemë veten në dorën e Zotit: kjo është udha e kthimit kah Zoti”, për të cilën foli Papa Françesku në Meshën e 14 marsit 2017, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. “Kthimi i zemrave, nuk bëhet me fjalë, por me vepra konkrete. E duke iu referuar këshillave tё Izaisё profet, Ati i Shenjtë Françesku nënvizoi se nga ky Libër biblik mësojmë “si të largohemi nga e keqja dhe mësojmë si të bëjmë mirë”: ky është thelbi i këshillave të Izaisё, që përvijon etapat e rrugës.

Çdo ditë bëjmë diçka të keqe, vërejti Papa Françesku. Edhe Bibla thotë se njeriu më i shenjtë mëkaton shtatë herë në ditë. Problem është kur nuk i shohim të këqijat, që bëjmë, kur mësohemi me to dhe e helmojmë shpirtin, duke u bërë shpirtvogël. Prandaj, të bësh mirë do të thotë të ushtrohesh përditë në këtë virtyt:

“Nuk është e lehtë të bësh mirë: duhet të mësojmë, gjithmonë. E Zoti na mëson. Por duhet mësuar! Si fëmijët. Në rrugën e jetës, të jetës së krishterë, mësojmë çdo ditë. E çdo ditë duhet të mësojmë të bëjmë diçka të re, të jemi më të mirë se më parë. Të mësojmë! Të largohemi nga e keqja dhe të mësojmë të bëjmë mirë: kjo është rregulla e kthimit kah Zoti. Sepse për të ndryshuar nuk mjafton të shkosh tek ndonjë zanë me shkop magjik: jo! Kthimi i zemrës ёshtё udhë. Është udha e largimit dhe e mësimit”.

E dimë se ‘zemra’ në Bibël nuk tregon vetëm një pjesë të trupit, por qendrën e njeriut, selinë e mendimeve, të ndjenjave, të gjykimeve. Mund të themi: ndërgjegjen. ‘Zemër e urtë’, atëherë, do të thotë ndërgjegje, që di të dëgjojë, që është e ndjeshme ndaj zërit të së vërtetës, e, prej këndej, edhe e aftë për ta dalluar të mirën nga e keqja.

Syhapur përballë së keqes, me Jezusin

“Të mësohemi për ta mbajtur gjithnjë zemrën të drejtuar kah Jezusi, ndërsa i jetojmë ditët tona me gëzime e dhimbje, kënaqësi e probleme”. Kjo, ftesa e Papës Françesku që, në lutjen e Engjëllit të Tënzot tё 3 janarit 2016. Duke kujtuar Liturgjinë e asaj dite, Papa foli për misterin e së keqes, për Mishërimin e Zotit, që na shpëton e për të gjithë ata, që ia mbyllin  portën në fytyrë  Birit të Zotit. Atij Zoti, shtoi Papa Françesku, që mund të na shpëtojë nga e keqja, e cila struket gjithnjë në prag të portave tona e dëshiron të hyjë”. Prej këndej, Papa përsëriti ftesën që ta lexojmë çdo ditë një fragment të Ungjillit. Është mënyra më  e mirë për ta larguar të keqen e të keqin nga portat e shtëpive e të zemrave tona. Përballë misterit të së keqes “jemi të thirrur t’ia hapim në dy kanatat portën e zemrës sonë Fjalës së Zotit”. Papa Françesku kujtoi se e keqja e  rrezikon edhe jetën tonë. Prej këndej, duhet të rrimë gjithnjë syhapur, që të mos e lëmë të na sundojë.

Feja dhe shërbimi e ndryshojnë botën

Feja dhe shërbimi e ndryshojnë botën, pati thёnё Papa Françesku mё tetor tё vitit 2016, nё Baku, duke përmend shembullin e Shёn Nёnё Terezёs. “Feja, është dhuratë e Zotit e duhet kërkuar gjithnjë, duhet kultivuar nga ana jonë. Nuk është forcë magjike, që zbret nga qielli, nuk është ‘pajë’, që jepet një herë e përgjithmonë e, as ndonjë pushtet magjik, që shërben për të zgjidhur problemet e jetës. Sepse një fe, që plotëson vetëm nevojat tona, do të ishte një fe egoiste, e përqendruar vetëm mbi ne. Feja nuk duhet ngatërruar me mirëqenien, me shëndetin e mirë, ose me ngushëllimin shpirtëror, me paqen e zemrës. Feja është filli i artë, që na lidh me Zotin, gëzimi i pastër se rrimë me Të, se jemi të bashkuar me Të; është dhuratë, që vlen për gjithë jetën, por sjell fryte vetëm nëse bëjmë edhe ne pjesën tonë”.

Krishti është gëzimi më i madh i jetës

“Krishti është gëzimi jonë më i madh, Ai është përherë pranë nesh e nuk na zhgënjen kurrë”. Kështu shkruante Papa Françeskun në tweet-in e 4 majit 201.  Zotit është burimi i gëzimit të vërtetë. E gëzimi është si shenjë dalluese e të krishterit. I krishteri pa gëzimin ose nuk është i krishterë, ose është i sëmurë. Nuk ka rrugë tjetër. Një i krishterë pa gëzim nuk është i krishterë. Gëzimi është si vula e të krishterit. Edhe në dhimbje, në ngushticë, në përndjekje, gjithashtu”, pati thёnё Papa Françesku nё homelinё e Meshёs sё 22 majit 2014, kremtuar nё kapelёn e Shёn Martёs, nё Vatikan.