Papa Françesku mbushi sot 81vjet. Urime nga gjithe bota per Atin e Shenjte

Françesku mbushi sot 81vjet. Është ditëlindja e pestë, që e kremton si papë. Dhurata e parë e kësaj dite të veçantë, ishte përqafimi që i dhanë fëmijët e asistuar nga Dispanseria Pediatrike “Shën Marta”, të cilët u pritën në formë private, në Sallën e Palit VI. Pastaj, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, përveç shtegtarëve të ardhur nga të pesë kontinentet, e uruan edhe fëmijët  e grumbulluar në Shesh për bekimin tradicional të shtatoreve të Krishtit Fëmijë.

Urime nga mbarë bota!

Ndërkaq, urime të përzemërta vijojnë të arrijnë në Vatikan nga mbarë bota, Ndërmjet tyre, urimi i ipeshkvijve italianë, që e sigurojnë Atin e Shenjtë për afërsinë dhe përzemërsinë besnike. “Urimi impenjativ – lexohet në mesazh  –  edhe në emër të bashkësive tona, na rikthen tek lutja për t’u rritur së bashku në atë dashuri, që bëhet njeri, prej këndej, dritë e paqe.  Urime, Shenjtëri!”.

Gëzuar ditëlindjen!

Mesazh i Presidentit italian Mattarella

Presidenti Sergio Mattarella, në mesazhin për këtë rast, e uron Françeskun nga ana e të gjithë italianëve “që e shikojnë magjisterin e tij me mirënjohje e nderim të veçantë”. “E ruaj të gjallë – shkruan akoma – kujtimin e gëzueshëm  të vizitës Suaj në Qurinale, më 10 qershorin e kaluar. Me këtë rast Shenjtëria Juaj konfirmoi, në nivelin më të lartë, se marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Italisë janë unike… Shtegtimet apostolike në vise të ndryshme  të botës,  gjithnjë me vëmendje shembullore e të frytshme për periferitë ekzistenciale – përfundon mesazhi – na krijuan rastin të përsërisim ftesën për të vijuar me guxim e vendosmëri udhën e dialogut e të pajtimit, për të shëruar plagët shoqërore e për të kapërcyer tensionet ndërkombëtare”.

Urimi ynë

“Gëzuar ditëlindjen, Atë i Shenjtë, mbrojtës i të varfërve, shok i të shtypurve, zë i atyre që nuk kanë zë, mik i Shqipërisë, kumtues i palodhur i Ungjillit nëpër botë!” Për shumë mot!”.

Ditëlindjet e Françeskut

Vitin e kaluar Françesku e kremtoi 80-vjetorin duke ngrënë mëngjesin me një grup të pastrehësh, të ftuar në Shën Martë. Pastaj, në Meshën me kardinajtë, kujtoi se “pakëz humorizëm të ndihmon të shkosh përpara”. Më 17 dhjetor 2015 festoi me fëmijët e Veprimit Katolik,  duke i nxitur të ecin në udhën e së mirës, të faljes, të paqes e të solidaritetit. E, një vit para, në 78-vjetorin e ditëlindjes – kujtojmë se ishte e mërkurë – në përfundim të audiencës së përgjithshme, qindra vetë vallëzuan tango në Sheshin e Shën Pjetrit. Më 17 dhjetor 2013, Françesku  ftoi, në Meshën e kremtuar në Shën Martë, një grup të pastrehësh, që më pas hëngrën mëngjesin me Françeskun, në mensën e Papës.