Papa Françesku, Kishës italiane: “Kush beson, nuk mund të flasë për varfëri e të rrojë si faraon”

Ndërmjet shqetësimeve, që Papa Françesku u shprehu ipeshkvijve italianë: kriza e thirrjeve, varfëria ungjillore dhe transperenca në mbarështimin e ekonomisë, reduktimi dhe bashkimi i dioqezave.

Nëse në Piemont ka pak thirrje e në Puglia, shumë, mendoni një ndarje “Fidei donum” të meshtarëve. Mbarshtojini gjithnjë në mënyrë transparente burimet e dioqezës e, nëse ftoni ndokënd për darkë, shpenzoni paratë tuaja, jo ato të Kishës. E, së fundi, reduktojeni numrin e dioqezave, duke i grupuar më të voglat, ashtu si kërkonte Pali VI, që në vitin 1964. Këto, disa nga shqetësimet, që ua shprehu  Papa Françesku ipeshkvijve të Konferencës ipeshkvnore italiane, me të cilët u takua në fillim të asamblesë së tyre të përgjithshme.

Lidhur me hemorragjinë e thirrjeve, në një vend me traditë të madhe, si Italia dhe në mbarë Evropën, Papa pohoi se është fryt i helmit të kulturës të së përkohshmes, të relativizmit dhe të kultit të parasë, që i largojnë të rinjtë nga thirrja, njëherësh me shkandujt e me dëshminë e vaktë.  Propozimi praktik është ai i ndarjes më konkrete të përbashkët “fidei donum” ndërmjet dioqezave italiane, gjë që i pasuron si dioqezat që japin, ashtu edhe ato, që marrin. Në Piemont, për shembull, ka mungesa, ndërsa në Puglia, vlojnë thirrjet. “Mendoni në mënyrë krijuese e të shohim nëse jeni të zotët”- u tha Papa ipeshkvijve italianë.

Shqetësimi i dytë, që i shprehu Papa Konferencës ipeshkvnore italiane (Cei), ka të bëjë me varfërinë ungjillore dhe transparencën. Për mua, si jezuit “varfëria është gjithnjë nënë e mur i jetës apostolike: nënë, sepse të bën të lindësh e mur, sepse të mbron. Pa varfëri, nuk mund të ketë zell apostolik. “Kush beson – shtoi Papa – nuk mund të flasë për varfëri e të rrojë si faraon”. Dhe është shkandulluese të mbarështosh pasuritë e Kishës si të ishin personale. Më dhemb kur dëgjoj se njeriu i Kishës ka rënë në grackën e manipulimit, duke i mbarështuar pandershmërisht “kacidhet e vejushës”. Duhen rregulla të qarta e të përbashkëta. “Njoh një nga ju – tregoi Françesku – që nuk fton kurrë kënd me paratë e dioqezës. Paguan gjithnjë nga xhepi i vet”. Gjeste të vogla, por shumë të rëndësishme. Jam i vetëdijshëm e mirënjohës – shtoi Papa – se në Cei është bërë shumë në udhën e varfërisë e të transparencës, por mund të bëhet akoma më shumë.

Së fundi, lidhur me reduktimin dhe bashkimin e dioqezave, nuk është aspak e lehtë – pohoi Papa Bergoglio – por ka dioqeza, që mund të grupohen. E ceka edhe më 23 maj  2013. Është kërkesë baritore e studiuar shumë herë, që nga koha e Palit VI, më 1964, e pastaj edhe më 1966, duke kërkuar shkrirjen e jo pak dioqezave, për të krijuar qarqe me territore, banorë, kler e vepra të mjaftueshme për një organizim dioqezan me të vërtetë funksional. Në vitin 2016 Kongregata për ipeshkvijtë – përfundoi Françesku – u kërkoi Konferencave ipeshkvnore rajonale të nisin një projekt-reforme. Projekt i datuar e aktual, që duhet përfunduar sa më shpejt! Ju falënderoj për sinqeritetin – ishte përshëndetja e Papës. Tani fjala ju përket ju, ipeshkvijve! E portat e sallës u mbyllën për të gjithë, me përjashtim të Papës e sivëllezërve ipeshkvij.

RV