Papa Françesku: “ka nevojë që ne të gjithë të jemi profetë”, që të mund  t’i përkasim, kështu, gjithnjë e më shumë Zotit

Profeti i vërtetë është i aftë të qajë mbi popullin, që nuk e dëgjon. Në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa e kujtoi rishtas Shën Shtjefnin, duke theksuar se Kisha “ka nevojë që ne të gjithë të jemi profetë”, që të mund  t’i përkasim, kështu, gjithnjë e më shumë Zotit.

O njerëz kokëfortë, me zemër e me veshë paganë! Gjithmonë i kundërshtoni Shpirtit Shenjt! Jeni bij të denjë të etërve, që nuk lanë profet pa salvuar! Etërit tuaj i vranë ata, që paralajmëruan ardhjen e të Drejtit e të Drejtin ju edhe tani e tradhtoni dhe e vrisni”. Kështu Shtjefni, martiri i parë  i Kishës, akuzonte popullin, pleqtë e skribët, që e zvarritën në gjykatë. E kishin zemrën e mbyllur, nuk donin ta dëgjonin e nuk e kujtonin më historinë e Izraelit! Papa Françesku përshkoi gjithë historinë e tij, propozuar nga liturgjia në Leximin e Parë, shkëputur nga Veprat e Apostujve.

Persekutim, sepse thua të vërtetën

Profetët pararendës u persektuan nga etërit, të sotmit, nga bijtë – kujtoi Papa –  Prandaj  pleqtë e skribët, kur i dëgjuan fjalët e Shtjefnit, griheshin në zemrat e tyre dhe kërcëllonin me dhëmbë kundër tij. Por ai, plot me Shpirtin Shenjt, i drejtoi sytë kah qielli, pa lavdinë e Zotit e Jezusin duke qëndruar në të djathtën e Tij dhe tha: “Ja, po e shoh qiellin e hapur dhe Birin e njeriut në të djathtën e Zotit”. Atëherë ata lëshuan një britmë të tërbuar, i mbyllën veshët dhe u vërsulën të gjithë së bashku kundër tij. E hoqën zvarrë jashtë qytetit dhe e vranë me gurë. Derisa u shndërrua në një piramidë guri e gjaku. E Papa komentoi: “Kur profeti thotë të vërtetën dhe prek zemrën, zemra ose hapet, ose bëhet krejt gur e në të zjen tërbimi, që përfundon me persekutim. Kështu e mbyll jetën profeti”.

Profeti i vërtetë qan mbi popullin e vet

Shumëkujt nuk i pëlqen ta dëgjojë të vërtetën, që shqetëson. E profetët – kujtoi Françesku – u persekutuan pikërisht për këtë: sepse e thanë me zë të lartë të vërtetën. U persekutuan e vijojnë të persekutohen, kur e nxjerrin në dritë shëmtimin e fshehur pas maskës së dritës.

Po si mund ta vërtetoj se kur profeti e ngre fort zërin, domethënë se thotë të vërtetën? E vërtetoj kur profeti nuk mjaftohet vetëm me fjalë.  Është i aftë edhe të qajë mbi popullin e vet, që e ka braktisur të vërtetën. E Jezusi, nga njëra anë e qorton me fjalë të ashpra brezninë e vet, të cilën e quan “brezni e mbrapshtë e besëthyese”, ndërsa nga ana tjetër, qan për fatet e Jeruzalemit. Kjo është prova, që vërteton  se profeti pohon një të vërtetë të hidhur. Profeti i vërtetë është i aftë edhe të qajë për popullin e vet e të thotë edhe fjalë të forta, kur duhen thënë. Nuk është i vaktë, gojëmbyllur, i frikësuar nga fjala e padëshiruar. Flet pa dredha, drejtpërdrejt.

Jo vetëm qortim, por edhe shpresë

Por profeti i vërtetë nuk është njeri, që paralajmëron vetëm gjëma – saktësoi Papa – profeti i vërtetë ngjall gjithnjë shpresa të reja:

“Hap portat, shëron rrënjët, e afron rishtas popullin pranë Zotit, e nxit të shkojë përpara. Nuk e ka për detyrë vetëm të qortojë… Jo! Është njeri shprese. Qorton kur duhet, pa harruar të hapë portat e të shikojë drejt horizonteve të shpresës. I vetëdijshëm se kur e kryen si duhet detyrën e vet, mund ta paguajë me lëkurë”.

Kisha ka nevojë për shërbimin e profecisë

Kështu Shtjefni, që vdes para syve të Saulit, duke e paguar me jetë të vërtetën. E këtu Papa citoi një frazë nga etërit e parë të Kishës. Frazë e përsëritur mijëra herë, që kur ra nën breshërinë e gurëve i pari: “Gjaku i martirëve është fara e të krishterëve të rinj”.

Kisha ka nevojë për profetë! Madje, ka nevojë që ne të gjithë të jemi profetë. Jo kritikë. Kjo është gjë tjetër. Një gjë është gjykatësi kritik, të cilit nuk ia mbush syrin asgjë: “Jo, po, kjo nuk shkon, nuk shkon, nuk…. Kjo duhet të jetë kështu, ajo ashtu….”. Ky nuk është profet. Profet është ai që lutet, që i ka sytë të ngulur tek Zoti, që e shikon popullin e vet e i dhemb shpirti, kur ky popull gabon, që është i aftë të qajë për popullin  e vet, t’i dhembë zemra për të. Por është i aftë edhe  për të vënë në lojë vetë jetën, kur duhet thënë e vërteta.

“Mos mungoftë kurrë në Kishë – përfundoi Papa – ky shërbim i profecisë, që të mund të shkojmë gjithnjë përpara!”.

Radio Vatikani