Papa Françesku: Jezusi është dhurata më e madhe


Bota është në pritje të Lindjes së Foshnjës, ardhur për të na shpëtuar. Françesku sonte, në orën 21.30, në Bazilikën e Vatikanit, do të kremtojë Meshën Shenjte të Krishtlindjes, që do të transmetohet në mondovizion

R. SH. – Vatikan

Sonte çdo zemër njerëzore ndjen përsëri rrënqethjen hyjnore, që e shkundi historinë. Papa Françesku, në audiencën e përgjithshme të 19 dhjetorit, kujtoi se “Krishtlindja është fitorja e përvujtërisë mbi arrogancën, e thjeshtësisë mbi  bollëkun, e heshtjes mbi poteren, e lutjes mbi ‘kohën time’, fitoren e Zotit, mbi unin tim’”.

Takimet e këtyre Ditëve të Mëdha

Në Bazilikën e Vatikanit, sonte, në orën 21.30, Papa do të kremtojë Meshën Shenjte të Krishtlindjes, që do të transmetohet me mondovizion, në standard 4K HDR, me cilësi shumë të lartë të figurave, garantuar nga angazhimi i Vatican Media, sruktura  e Dikasterit për Komunikimin  e Selisë së Shenjtë. Nesër, 25 dhjetor, në Solemnitetin e Krishtlindjes, Françesku do të japë Bekimin Apostolik “Urbi et Orbi”.

Të mërkurën, 26 dhjetor, lutja e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, në festën e Shën Shtjefnit, Martir i parë i Kishës.

Është Krishtlindje, nëse i presim krahëhapur të papriturat e Jezusit

Kuptimit të Krishtlindjes, Papa i kushtoi katekizmin e audiencës së fundit të përgjithme, duke u kujtuar të gjithëve kuptimin e vërtetë të Solemnitetit:

“Do të jetë Krishlindje, nëse, si Jozefi, do të meditojmë në heshtje; nëse, si Maria, do t’i themi ‘ja ku jam’ Zotit; nëse, si Jezusi, do të rrimë pranë njeriut të vetmuar; nëse, si barinjtë, do të dalim nga gjerdhet tona, për të ndenjur me Jezusin. Do të jetë Krishtlindje, nëse do ta gjejmë dritën në shpellën e varfër të Betelehemit. E nuk do të jetë Krishtlindje, nëse do të kërkojmë vezullimet verbuese të botës, nëse do ngarkohemi me dhurata, me dreka e darka, por nuk do të ndihmojmë asnjë të varfër, që i ngjet Zotit, sepse për Krishtlindje, Zoti erdhi i varfër mes nesh”.