Papa Françesku: edhe Krishti Fëmijë ka qenë refugjat, na kujton ata që ikin nga lufta

Në Sallën Klementine, Papa pret në audiencë artistët e koncertit të Krishtlindjes në Vatikan, duke i falënderuar për “krijimtarinë” dhe “gjenialitetin” e tyre, të aftë të hyjnë në “skajet më intime të ndërgjegjes së burrave dhe grave të të gjitha kohërave”.

R.SH. – Vatikan

“Të krijosh rrjet përmes arsimit do të thotë t’u japësh mundësinë njerëzve të ngrihen në këmbë, të vihen sërish për udhë me dinjitet të plotë, me forcën dhe guximin për t’u përballur me jetën, duke i vlerësuar talentet dhe punën e tyre”. Me këto fjalë, Papa Françesku priti artistët e koncertit të Krishtlindjes, në Vatikan. Ai do të mbahet të shtunën – pra, nesër – më 15 dhjetor, në Sallën e Palit VI, për t’u transmetuar pastaj, në Kanalin 5 të rrjetit televiziv italian Mediaset, në prag të Krishtlindjes, në orën 21:30. Edicioni i vitit 2018 mbështet dy projekte: i pari, që investon në trajnimin profesional të të rinjve, realizohet nga Misionet Don Bosco Valdocco Onlus në Ugandë; ndërsa i dyti, nga Fondacioni Papnor “Scholas Occurrentes” në Erbil të Irakut, ku lufta, në një farë mënyre, ka hipotekuar të ardhmen e një brezi të tërë. Secili mund të japë kontributin e vet për këto nisma, duke dërguar një mesazh me celular në numrin 45530, i vlefshëm deri më 15 janar 2019.

Hapni portat e kampeve të refugjatëve

“Krijimi i rrjetit përmes arsimit”, thotë Papa Bergoglio në fjalën e tij, “është zgjidhje e vlefshme për të hapur portat e kampeve të refugjatëve, për t’u lejuar emigrantëve të integrohen në shoqëri të reja, duke u takuar me solidaritetin dhe bujarinë e të tjerëve dhe duke i promovuar ato edhe vetë”.

“Të krijojmë rrjet përmes edukimit, para së gjithash, për të arsimuar më të vegjlit ndërmjet emigrantëve, pra, ata, të cilët, në vend që të ulen në bangat e shkollës, si shumë bashkëmoshatarë, i kalojnë ditët duke ecur gjatë në këmbë, ose me automjete të rastit e të rrezikshme. Edhe ata kanë nevojë për formim që të jenë në gjendje të punojnë nesër dhe të kontribuojnë si qytetarë të vetëdijshëm për të mirën e përbashkët. Njëkohësisht, duhet edhe të edukohemi të gjithë për mikpritje e solidarizim, për të shmangur ndeshjen e emigrantëve dhe të refugjatëve me indiferencën ose, edhe më keq, me intolerancën”.

Papa falenderoi artistët dhe ata, që përfshihen në projektet e Misioneve Don Bosco në Ugandë dhe të Scholas Occurrentes në Irak, duke i inkurajuar të gjithë të vazhdojnë punën e tyre “për të ndezur në çdo zemër ngrohtësinë dhe ëmbëlsinë e Krishtlindjes”.

“Krishtlindja është gjithnjë e re, sepse na fton të rilindim në fe, t’ia hapim zemrën shpresës, ta përtërijmë bamirësinë. Këtë vit, në veçanti, na bën thirrje për të reflektuar mbi situatën e shumë burrave, grave dhe fëmijëve të kohës sonë – emigrantët dhe refugjatët – të cilët ecin pa fund për t’u shpëtuar luftrave dhe mjerimeve, të shkaktuara nga padrejtësitë shoqërore dhe nga ndryshimet klimatike”.

Fëmijët, viktima të pafajshme të padrejtësisë njerëzore

Edhe Jezu Krishti vinte “nga një vend tjetër”: “Ai banonte në Zotin Atë” dhe “erdhi të banonte mes nesh, mes kufizimeve dhe mëkateve tona, për të na dhuruar dashurinë e Trinisë Shenjte”. “Tërbimi i dhunshëm i Herodit” e detyroi pastaj “Jezusin e vogël” të jetonte në gjendjen e “gjysmës së refugjatëve të sotëm”: “fëmijë, viktima të pafajshme të padrejtësisë njerëzore”.

“Kisha u përgjigjet këtyre dramave me shumë nisma solidariteti, ndihme dhe mikpritjeje. Gjithmonë ka shumë për të bërë, ka kaq shumë vuajtje për t’u lehtësuar dhe kaq probleme, që duhen zgjidhur. Kemi nevojë për një koordinim më të madh, për ndërhyrje më të organizuara, të afta të përqafojnë çdo njeri, grup apo bashkësi, sipas planit të vëllazërimit, që na bashkon të gjithëve. Për këtë arsye, është e nevojshme të krijojmë rrjet”.