Papa Françesku: djalli dëshiron ta shkatërrojë Kishën me lakminë për pushtet e për para

Gjatë Meshës, kremtuar në Shën Martë, Françesku kujtoi festën e Shën Maria Luisa de Marillac dhe u lut për motrat vinçenciane, që drejtojnë një dispanseri pediatrike në Vatikan. Në homeli pohoi se Shpirti Shenjt e bën të rritet Kishën, por nga ana tjetër është shpirti i keq, që synon ta shkatërrojë. E, për t’ia arritur këtij qëllimi, djalli përdor pushtetin dhe paratë. Ndërsa i krishteri e mbështet gjithë besimin e vet në Krishtin.

R. SH. – Vatikan

Françesku kryesoi Meshën Shenjte në Shën Martë (mund ta ndiqni kremtimin e plotë në video) në të shtunën e javës së katërt të Pashkëve. Në hyrje të Meshës, kujtoi Shenjten Luisa de Marillac, në festën e saj liturgjike, dhe u lutur për motrat vinçenciane, të cilat e ndihmjonë Papën dhe  ata, që banojnë në  Shën Martë, si dhe drejtojnë spitalin pediatrik në Vatikan. Festa e Shenjtes Luisa de Marillac zakonisht kremtohet më 15 mars, por meqë kjo ditë binte në Kohë Kreshmësh, u shty për sot. Motrat, që punojnë në Shtëpinë e Shën Martës, i përkasin Kongregatës së Bijave të Bamirësisë, kongregatë e themeluar nga Lusia de Marillac, e familjes vinçenciane. Në kapelë sot ishte vendosur një figure e Shenjtores. Ja edhe ndejti i sotëm i Papës:

“Sot përkujtojmë Shenjten Luisa de Marillac: të lutemi për motrat vincenciane, të cilat kujdesen për këtë ambulancë, këtë spital, që prej  rreth 100 vjetësh e punojnë këtu, në Shën Martë, për këtë spital. Zoti i bekoftë motrat”.

Në homeli Papa komentoi një fragment nga Veprat e Apostujve (Vap 13, 44-52), në të cilin judenjtë e Antiokisë, të brerë nga xhelozia, i kundërvihen me fjalë fyese pohimeve të Palit për Jezusin. Duke parë se këto pohime po i mbushnin me gëzim  paganët, i nxisin gratë e parisë dhe burrat më në zë të qytetit t’u kundërvihen apostujve aq, sa të shkaktojnë fillimin e persekutimit, gjë që i detyron Palin e Barnabën  të largohen nga ai vend.

Françesku kujtoi, në vijim, Psalmin e sapolexuar: “Këndojini Zotit një këngë të re,/ sepse  kreu punë të bindshme/ E djathta e Tij i siguroi fitoren,/ e krahu i tij shenjt, ngadhënjimin/ Shpëtimin e vet dëftuar e ka Zoti,/ para syve të botës drejtësinë ka shpalosë!/ E të gjitha viset  e tokës e panë me sy, / shpëtimin që vjen prej Zotit tonë!”//.

“Zoti – pohoi në vijim Papa – bëri mrekulli. Por sa mundim! Sa shumë mundohet bashkësia e krishterë  për t’i çuar përpara këto mrekulli të Zotit. Sapo e dëgjuam, në fragmentin e shkëputur nga Veprat e Apostujve, gëzimin që ngjall Fjala e Zotit: mbarë qyteti i Antiokisë mblidhet për ta dëgjuar Fjalën e Zotit, sepse Pali e Apostujt predikonin me forcë, e Shpirti Shenjt i ndihmonte. Por kur panë gjithë atë turmë të ngazëllyer, judenjtë u zemëruan keqas e iu kundërvunë me fjalë fyese pohimeve të Palit.

“Nga njëra anë është Zoti, është Shpirti Shenjt, që e bën Kishën të rritet, gjithnjë më shumë: kjo është e vërtetë. Por nga ana tjetër është shpirti i keq, që bën çmos ta shkatërrojë Kishën. Kështu ishte e kështu është gjithnjë. Kisha shkon përpara, por pastaj vjen armiku e bën çmos ta shkatërrojë. Bilanci është gjithnjë pozitiv, por sa mundim duhet, sa dhimbje, sa martirizim! E çka ndodhi këtu, në Antioki, ndodh gjithkund në Librin e Veprave të Apostujve”.

Nga njëra anë – vëren Papa – Fjala e Zotit, që të bën të rritesh – nga ana tjetër, persekutimi. E ç’mjet përdor djalli për ta shkatërruar kumtimin ungjillor? Zilinë! Libri i Urtisë na e thotë haptas këtë: “Nga zilia e djallit hyri mëkati në botë”, zili, xhelozi…Gjithnjë kjo ndjenjë e hidhur, e hidhur, si zehri. Këta njerëz shikonin si predikohej Ungjilli e tërboheshin, u pëlciste tëmthi nga inati. E ky zemërim i nxiste të vijonin ecjen në rrugën e nisur… Është zemërimi i djallit, zemërim, që rrënon; tërbimi i britmës “Kryqëzoje! Kryqëzoje!”, i dëshirës për ta torturuar Krishtin. Djalli dëshiron të shkatërrojë! Gjithnjë e gjithkund!

“Kisha – vijoi të kujtojë Françesku – shkon përpara ndërmjet ngushëllimit të Zotit dhe persekutimit të botës. E një kishe, që nuk ka vështirësi, diçka i mungon. Nëse djalli rri rehat, punët nuk shkojnë mirë. Vështirësitë, tundimet, lufta…. Xhelozia, që shkatërron… janë gjithnjë të pranishme. Deri më sot. E judenjtë çuan peshë gratë fisnike e i ngucën  t’u suleshin apostujve. “Këta janë revolucionarë – u thanë – dëbojini shpejt!”. Kështu bënë edhe me pushtetarët. Pushteti mund të jetë i mirë, edhe pushtetarët, gjithashtu, po pushteti, në vetvete, është gjithnjë i rrezikshëm. Pushteti i botës, kundër pushtetit të Zotit e vë në lëvizje gjithë këtë protestë”. E pas pushtetit të botës janë gjithnjë paratë. Mos harroni se Krishti u tradhtua që në agimin e Ngjalljes. Që ditën e parë nisi përpjekja për ta  shuar fjalën e Zotit. Bënë çmos krerët e priftërinjve – e paratë!

Papa e përfundoi homelinë me një nxitje: “T’ia vëmë mirë mendjen predikimit të Ungjillit, për të mos rënë kurrë në tundimin, që na nxit t’i besojmë pushteteve të përkohshme e parave” . I krishteri i beson Krishtit e Shpitit Shenjt, që Ai na e dërgoi. E pikërisht Shpirti Shenjt është tharmi, është forca, që e bën të rritet Kishën, e cila shkon përpara “ndërmjet ngushëllimit të Zotit – e persekutimeve të botës”.

Papa  Françesku e përfundoi kremtimin me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament dhe me bekimin eukaristik, duke i ftuar besimtarët të marrin Kungimin shpirtëror. Në përfundim, lutja e Papës:

O Krishti im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë tani nuk mund të të marr sakramentalisht, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Të përqafoj njësoj si të kishe ardhur e bashkohem krejtësisht me Ty. Më ndihmo të mos ndahem kurrë prej Teje. Amen!”.

Para se Ati i Shenjtë të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)