Papa: britma e heshtur e të varfërve ta gjejë popullin e Zotit në vijë të parë, me dorë të shtrirë!

Në mesazhin për Ditën IV Botërore të të varfërve, Françesku kujton se koha e pandemisë na vuri në provë, duke zbuluar dhumë histori të së mirës, “gjeste, që i japin kuptim jetës”. Gjatë pandemisë, shkruan, sa e sa duar e “sfiduan infektimin dhe frikën, për të dhënë ndihmë e ngushëllim”.

R. SH. – Vatikan

Shtrija dorën  të varfërve! (krh Sir 7, 32). Dija e lashtë i vuri këto fjalë si kod i shenjtë për t’u ndjekur në jetë. Ata tingëllojnë sot me gjithë forcën  e domethënies së tyre, duke na ftuar t’i kapërcejmë muret e indiferencës, në përpjekjen për ta zhdukur varfërinë. Pa harruar se varfëria ka fytyra të ndryshme e se çdo fytyrë kërkon vëmendje të veçantë, sepse në secilën prej tyre mund të takojmë Zotin Jezus, që na kujton se është gjithnjë i pranishëm në vëllezërit më të ligshtë (Mt 25, 40). Këtë thekson Papa në krye të Mesazhit për Ditën IV Botërore të të varfërve, me temë  “Shtrija dorën  të varfërve!”.

Mesazhi shtjellohet në dhjetë pjesë, mbështetur në Librin biblik të Siraçidit, në të cilin gjejmë këshilla konkrete për çdo situatë të jetës.

Së pari, Papa na kujton se për të kremtuar një kult  të pëlqyer nga Zoti,  duhet pranuar se çdo njeri, edhe më i humburi e më i përbuzuri, ka mbi vete vulën e Atit. Prej këndej, buron bujaria, që praktikohet në ndihmë të të varfërit! E besimi në Zotin, në çdo situatë!

Pjesa e dytë do të mund të titullohej: “Të vrapojmë në ndihmë të të varfërit, nën dritën e Zotit”. Duhet jetuar varfëria ungjillore – na kujton Papa – nëse dëshiron, pastaj, ta kuptosh e ta ndihmosh të varfërin.

E treta: “Pak fjalë e shumë ndihmë konkrete!”.

E katërta: duhet ta jetosh ti vetë varfërinë ungjillore, para se t’i ndihmosh të varfërit! Kështu mund edhe t’i kuptosh!

E pesta: “Shtrija dorën të varfërit në heshtje, bujarisht”

E gjashta i kushtohet drejtpërdrejt Dorës së shtrirë!

E shtata kujton pandeminë e nevojën për t’ia shtrirë dorën të varfërit, kur ka më shumë nevojë.

Shtrija dorën të varfërit – të fton e teta!

Ta shtrish dorën – kujton Papa në mesazh – është mësim sa i lashtë,  aq aktual edhe për ne, sot. Sepse Fjala e Zotit e tejkalon hapësirën e kohën! Ashtu si ftesa, që të bën Zoti: “Shtrija dorën të varfërit! Është ftesë për përgjegjësi. Për ta mbartur barrën e më të ligshtëve, siç na e kujton Shën Pali: “Dashuria ju nxit t’i shërbeni njëri-tjetrit. I gjithë Ligji përmblidhet  në një urdhërim të vetëm: “Do ta duash tjetrin si vetveten!” (Gal, 5,13-14; 6,2). Apostulli na mëson se liria që na u dhurua me vdekjen e ngjalljen e Krishtit, është për secilin prej nesh edhe përgjegjësi për t’i shërbyer tjetrit, posaçërisht më të ligshtit. Nuk është thirrje, së cilës mund t’i përgjigjesh ose jo! Eshtë detyrë! Na e ngarkon feja, në të cilën besojmë!

Pjesa e nëntë i thotë jo indiferencës dhe cinizmit

Libri i Siraçidit – vijon të kujtojë Papa në mesazh – na vjen në ndihmë: na këshillon të bëjmë veprimtari konkrete për t’i ndihmuar më të ligshtit e për këtë përdor figura prekëse. Së pari, kujton ata, që janë pushtuar nga trishtimi: “Mos rrini larg njeriut, që qan!”. Koha e pandemisë – vijon Papa në Mesazh – na detyroi të izolohemi, duke na penguar deri në atë masë, sa të mos mund t’i ngushëllojmë as miqtë më të ngushtë, që humbën të dashurit. E Siraçidi na kujton: “Vizitojeni, pa asnjë ngurrim, të sëmurin!”. Po ne nuk e vizituam! Ne nuk mundëm  t’i rrimë tek koka të sëmurit të dashur e, njëherësh, kuptuam sa e brishtë është jeta jonë. Por Fjala e Zotit  nuk na la as këtë herë të qetë e vijon të na bëjë thirrje:

“Shtrija dorën të varfërit, bëj të kundërtën  e asaj, që bëjnë ata, të cilët  i mbajnë gjithnjë duart në xhep e nuk preken fare nga varfëria e tjetrit, shkaktarë të së cilës janë!”.

Bëj ashtu, si bëri shumëkush në kohën e pandemisë, që na vuri në provë, duke zbuluar dhumë histori të së mirës, “gjeste, që i japin kuptim jetës. Gjatë pandemisë, shkruan, sa e sa duar e “sfiduan infektimin dhe frikën, për të dhënë ndihmë e ngushëllim”- fton Papa në mesazh.

Ka duar e duar

Ka duar e duar – kujton Papa në përfundim të Mesazhit – duar që vrapojnë mbi tastierën e kompjuterit, e duar bujare njerëzish, që quhen dorëdhënë.

Ka duar që numërojnë shkathtësisht turra parash e i zhvendosin nëpër botë, duke dekretuar pasurinë e një grushti oligarkësh dhe mjerimin e shumicës! Duar, që dinë vetëm të grumbullojnë para, edhe duke shitur armë. Duar të shtrira në errësirë, që shkëmbejnë doza vdekjeje për t’u pasuruar e për të jetuar në luks e rehati kalimtare. E duar që krijojnë ligje, po nuk i zbatojnë!

Po mesazhi i afrohet fundit me citimin, gjithnjë nga Siracidi, të një paralajmërimi: “Në gjithçka që bën, mos e harro fundin tënd! E jeto duke u gëzuar vetëm kur jeton sipas stilit  të dishepujeve të Zotit”.

Papa e përfundon mesazhin me një lutje drejtuar Zojës:

“Maria i ndihmoftë të gjithë ata, që u shërbejnë të varfërve, në emër të Krishtit!”.