Pamje rrënqethëse nga sulmi në Vegas, të shtënat kanë lënë 58 viktima dhe 515 të plagosur

Një 64 vjeçar qëlloi me armë mbi turmën në një koncert të muzikës country të dielën në mbrëmje. Sipas njoftimeve, janë vrarë të paktën 58 persona dhe mbi 515 të tjerë janë plagosur. Personi që shtiu vrau veten, sipas burimeve të policisë. Autori i sulmit në Las Vegas,  është identifikuar si Stephen Paddock, 64 vjeç dhe banor i zonës. Gruaja me të cilën ai bashkëjetonte, Marilou Danley është ndaluar e po merret në pyetje, ndërsa banesa që ndanin të dy është duke u kontrolluar nga efektivët në terren. Indicenti që tronditi qytetin e kazinove ndodhi në afërsi të hotelit “Mandalay Bay”, e videot e ngarkuara në internet tregojnë qartë tmerrin e përjetuar nga njerëzit e mbledhur në koncertin e hapur të muzikës “Country”, kur mbi turmën u hap zjarr.

FBI-ja është angazhuar në hetime, në mbështetje të forcave lokale të rendit. Sipas FBI-së, autori i sulmit nuk ka patur lidhje me terrorizmin ndërkombëtar. Edhe CIA këshilloi të kihet kujdes dhe të mos nxirren përfundime të nxituara, pas një deklarate të bërë prej grupit Shteti Islamik i cili mori përgjegjësinë për tragjedinë në Las Vegas. Zëdhënësi i CIA-s Jonathan Liu tha se agjencitë amerikane të zbulimit janë në dieni të pretendimit të ISIS-it. Por ai shtoi se njerëzit nuk duhet të nxitojnë për të gjykuar “para se të gjenden faktet”. Shteti Islamik ka thënë se personi që shtiu, Stephen Paddock e kreu sulmin në emër të këtij rrjeti sepse kishte përqafuar fenë islame dhe kishte shprehur besnikëri ndaj kësaj organizate disa ditë më parë, por policia thotë se nuk ka asnjë sinjal, asnjë dëshmi që ai kishte kontakte me rrjete ndërkombëtare terroriste. Forcat e rendit thonë se ende nuk kanë një shpjegim për këtë akt. Në fakt, personi në fjalë Stephen Paddock, nuk kishte pasur asnjë kontakt me forcat e rendit më parë. Sherifi i Las Vegasit Joseph Lombardo tha se janë kontrolluar të gjitha sistemet kompjuterike dhe se emri i tij nuk ka dalë asnjëherë në skenë. Ai as nuk ka qenë ndëshkuar ndonjëherë qoftë edhe ndonjë me gjobë trafiku rrugor. Polia ka zbuluar se ai ishte i dhënë pas kumarit, por motivi mbetet mister. Forcat e policisë arritën të futen në banesën e tij sot dhe reagimi i tyre ishte habia që nuk gjetën asnjë të veçantë, asgjë të pazakontë që lidhej me këtë akt tronditës. Sipas sherifit të Las Vegasit, policia kishte gjetur pak municion, por asgjë të përmasave dhe natyrës makabre të sulmit. Personi hapi zjarr nga kati 32 i Hotelit Mandalay Bay në Las Vegas, pasi theu xhamin e dritares së dhomës së Hotelit. Ai shtiu mbi turmën prej rreth 22 mijë njerëzish që kishte ardhur për të ndjekur koncertin. Pamjet filmike nga vendi i ngjarjes në pjesën jugore të qytetit, e njohur si Las Vegas Strip, ku ndodhen hotelet dhe kazinotë më të famshme të qytetit, tregonin njerëzit që fshiheshin për t’u mbrojtur dhe vraponin duke bërtitur, ndërsa në sfond dëgjoheshin të shtëna armësh.