Pamje e veçanta nga gërmimet arkeologjike që kryhen në gjurmët e gazsjellësit TAP

Një nga sitet më të rralla arkeologjike në Shqipëri është zbuluar gjatë punimeve për ndërtimin e gazsjellësit TAP. Bëhet fjalë për zona arkologjike që datojnë nga 6 mijë vjet Para Lindjes së Krishtit dhe deri në 1 mijë vjet Pas Lindjes së Krishtit. Projekti i ndërtimit të gazsjellësit TAP  është zhvilluar paralelisht me proceset arkeologjike. Ndër rajonet ku janë zbuluar më tepër site arkeologjike janë Korça, Berati dhe Skrapari. Përmes këtij projekti është krijuar mundësia të zbulohen site arkeologjike dhe vendbanime të rëndësishme për njohjen, hulumtimin dhe ekspozimin e trashëgimisë sonë arkeologjike.

Kryeministri Edi Rama ka postuar dje në adresën e tij në Facebook pamje nga gërmimet në Shqipëri, pikërisht ku po bëjnë gërmime TAP. Kryeministri Rama shkruan në profilin e tij në Facebook se “Këto janë pamje tejet të veçanta nga gërmimet arkeologjike që kryhen në gjurmët e gazsjellësit TAP, ku janë angazhuar 100 arkeologë që po nxjerrin në dritë rrënjë të trashëgimisë sonë kulturore rreth 6000 vjet para Krishtit”. Interesante mbetet se sa pjesë e territorit shqiptar nuk është zbuluar apo gërmuar për trashëgiminë e shqiptarëve ndër mijëra vite. U desh TAP që duke kryer punime në thellësi për interesin e tyre, nxori një pjesë të lashtësisë shqiptare në trojet tona.

Një ditë më parë këtë zonë arkeologjike të rrallë e vizitoi dhe ministrja Mirela Kumbaro dhe menaxheri i TAP në Shqipëri, Michele Elia. Përfaqësuesi i projektit të gazsjellësit  theksoi se “TAP është shumë i vëmendshëm në këtë projekt, nuk sheh vetëm ndërtimin e tubave, që në fakt është tërësisht infrastrukturë, por edhe gjithçka me të cilën përballet në rrugëtimin e saj kthehet në oportunitet për territorin, qoftë  nga pikëpamja sociale ambientale, apo kultore. Ne jemi të impenjuar të ruajmë nivelin më të lartë të standarteve, jo vetëm rajonale por edhe ndërkombëtare”.

Nga gërmimi arkeologjik i shpëtimit deri tani janë zbuluar rreth 600 varre, rreth  11 site arkeologjike, të cilët datojnë nga periudha Helenistike, periudha prehistorike (bronzi i vonë),  e deri në periudhën Otomane. Këto materiale janë në proces studimi. Me shumë interes arkeologjik në këtë gërmim është zbulimi i një vendbanimi të periudhës neolitike.

Realizimi i gërmimeve arkeologjike, zbulimi i siteve të reja arkeologjike po mundësohet vetëm falë projektit TAP, përgjatë zbatimit të të cilit janë zbatuar kriteret dhe standardet më të larta të zbatimit të ligjit në fushën e trashëgimisë kulturore.