Paga deri në 4 mijë dollarë e mbrojtje e veçantë, privilegjet e 27 njerëzve të Vettingut

Ata janë njëzeteshtatë dhe sot konsiderohen si njerëzit më të rëndësishëm në Shqipëri, për shkak të përgjegjësisë historike, pritshmërive dhe besimit që u kanë dhënë shqiptarët dhe Perëndimi, për shembjen e sistemit aktual të drejtësisë, nëpërmjet identifikimit dhe largimit nga sistemi të prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar.

Në lartësinë e rëndësisë së detyrës janë edhe pagat dhe privilegjet e 27 anëtarëve të organeve të Vetingut.

Shqiptarja.com zbardh superpagat, kufizimet, masat e sigurisë dhe privilegjet e tjera të 27 njerëzve, që do të kalojnë në skanerin e trefishtë rreth 800 gjyqtarë dhe prokurorë, për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësisë profesionale.

Përpos privilegjeve, anëtarët e Vetingut kanë edhe disa detyrime, ndalime dhe korniza, shkelja e të cilave mund t’u kushtojë largimin nga detyra. Anëtarët privohen nga 16 veprime, ku përfshihet shoqërimi me njerëz të korruptuar, përfitimet e padrejta, ndikimi i papërshtatshëm në detyrën e kolegut etj.

Pagat e anëtarëve të Vetting-ut
Anëtarët e Komisionit të Rivlerësimit, Komisioneri Publik dhe anëtarët e Kolegjit të Apelimit do të marrin një pagë mujore që arrin deri në 4 mijë USD. Ata do të paguhen në bazë të parashikimeve të ligjit të ri për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas këtij ligjit, paga mujore referuese për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë do të jetë 160 % e pagës së sekretarit të përgjithshëm dhe drejtorit.

Por, duke llogaritur shtesat për vjetëri pune, përqindjen për çdo fëmijë nën 18 vjeç, shtesën prej 40 % të pagës për delegimin, shtesën bazuar në pagën fillestare, vështirësitë etj., paga e anëtarit të organeve të Vetingut do të shkojë rreth 4 mijë USD në muaj.

Gjithashtu, ata do të përfitojnë edhe një pagesë mujore shtesë për shkak të vështirësive. Ndërkaq, këshilltari ligjor dhe ekonomik përfiton përkatësisht 80 për qind të pagës mujore përkatëse të anëtarit të institucionit të rivlerësimit.

Edhe ata përfitojnë një pagesë shtesë për shkak të vështirësisë, sipas rastit. Gjithashtu, pas përfundimit të mandatit, anëtarëve dhe stafit të tyre, shteti duhet t’i emërojë në pozicione të rëndësishme. Pra, atyre do t’u sigurohet e ardhmja për shkak të detyrës së tyre dhe vendimeve për fatin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, hakmarrjeve të mundshme etj.

Privilegjet e tjera
Pagat e larta, më të lartat në sistemin e pagave në Shqipëri, janë vetëm një pjesë e privilegjeve që do të përfitojnë anëtarët e Vetingut. Anëtarët e Vetingut dhe fëmijët e tyre do të merren nën mbrojtje të veçantë.

Ligji parashikon se, anëtarët e institucioneve të rivlerësimit, personat e lidhur me ta, personeli i institucioneve të rivlerësimit, si dhe personeli mbështetës i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit gëzojnë të drejtën për mbrojtje të veçantë nga shteti për jetën, shëndetin dhe pasurinë e tyre, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e veçantë.

Buxheti
Institucionet e Vetingut do të kenë një status të privilegjuar edhe sa i takon buxhetit. Institucionet do të financohen nga buxheti i shtetit, në të cilin ato pasqyrohen si institucione të veçanta. Institucionet e rivlerësimit do të propozojnë çdo vit projektbuxhetin e tyre në komisionin që mbulon çështjet ligjore pranë Kuvendit, që e paraqet për miratim në Kuvend, si pjesë integrale të Buxhetit të Shtetit.

Institucionet e rivlerësimit do të zbatojnë në mënyrë të pavarur buxhetin e tyre, të miratuar nga Kuvendi. Institucionet kanë të drejtë të përdorin të ardhurat dytësore, të përfituara nga projektet ndërkombëtare, donacionet dhe botimet e tyre. Kontrolli financiar i institucioneve të rivlerësimit kryhet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

16 veprimet që penalizojnë dhe shkarkojnë anëtarët e Vetingut
1. Mosparaqitjes së kërkesës për heqje dorë nga shqyrtimi i çështjes, kur ka dyshime të arsyeshme për ekzistencën e rasteve të papajtueshmërisë për ushtrimin e funksionit, sipas
legjislacionit në fuqi dhe nëse anëtari është në dijeni të rrethanave të tilla.

2. Sjelljes, akteve dhe veprimeve të tjera të anëtarit, që krijojnë përfitime të padrejta ose
dëme për palët pjesëmarrëse në gjykim.

3. Mosnjoftimit të Kryetarit ose të organeve kompetente, sipas ligjit, për ndërhyrjet ose
ushtrimin e formave të tjera të ndikimit të papërshtatshëm nga avokatët, funksionarët politikë, funksionarët publikë dhe subjekte të tjera.

4. Ndërhyrjeve ose çdo lloj ndikimi tjetër të papërshtatshëm në ushtrimin e detyrës të një
anëtari tjetër.

5. Mospërmbushjes së pajustifikuar e në mënyrë të qëllimshme ose të përsëritur, përkatësisht të funksionit të tij.

6. Paraqitjes së kërkesës për heqje dorë dhe kryerjes së atyre veprimeve që nuk bazohen në shkaqet e parashikuara në ligj ose që bëhen në mënyrë të qëllimshme për të krijuar
përfitime të padrejta për palët dhe të tretët, ose kur synojnë të shmangin anëtarin nga detyrimi ligjor për shqyrtimin e çështjes, ose synojnë të krijojnë mundësinë e shqyrtimit të saj nga gjyqtarë të tjerë, ose kur dorëheqja jepet e vonuar megjithëse ka qenë në dijeni të faktit për të cilin jep dorëheqjen.

7. Shkeljes së përsëritur ose të rëndë të rregullave të solemnitetit dhe rregullave të sjelljes
në marrëdhëniet me pjesëmarrësit në proces, si edhe me anëtarët ose personelin e
institucioneve të rivlerësimit.

8. Vonesës dhe zvarritjes së përsëritur dhe të pajustifikuar të veprimeve procedurale gjatë ushtrimit të funksionit.

9. Bërjes publike të mendimeve që ka dhënë vetë ose anëtarët e tjerë gjatë procesit që akoma nuk kanë marrë formën e një akti të bërë publik.

10. Shkeljes së detyrimit të konfidencialitetit dhe të mospërhapjes së informacionit, që rezultojnë nga hetimi ose gjykimi, gjatë procesit ose kur ky ka përfunduar, duke përfshirë publikimin dhe shpërndarjen, edhe për shkak të neglizhencës, të akteve ose informacioneve konfidenciale ose të akteve procedurale, që rrjedhin nga çështjet të cilat janë në proces hetimi ose gjykimi.

11. Bërjes së deklaratave publike dhe në media për çështjet, me përjashtim të komunikimeve të shtypit brenda kufijve të detyrës së tij.

12. Parashtrimit të shtrembëruar të fakteve në aktet e nxjerra.

13. Përdorimit të mandatit të anëtarit për të realizuar përftime të pajustifikuara vetjake ose për të tjerët.

14. Shoqërimit me persona që janë nën ndjekje penale ose janë subjekte të një procedimi penal ose me persona të dënuar penalisht, përveç rasteve të rehabilitimit të personave të dënuar, ose personave të cilët janë të afërm me gjyqtarët në lidhje gjaku ose me ligj, si dhe marrëdhëniet e biznesit të papërshtatshme me këta persona.

15. Përfitimit të padrejtë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, të dhuratave, favoreve, premtimeve ose trajtimeve preferenciale të çfarëdolloji, të cilat, qoftë edhe me anë të veprimeve të ligjshme, i jepen për shkak të funksionit që ushtron ose si rrjedhojë e përdorimit prej tij të pozicionit.

16. Sjelljes së papërshtatshme në përmbushjen e detyrimeve, në marrëdhëniet dhe në komunikimin me institucionet shtetërore dhe funksionarët e tyre, si dhe raste të tjera me sjellje të papërshtatshme të pajustifikuar./Shqiptarja/a.m.