Pabarazia në shekullin e njëzet… bota përballet me një kërcënim tjetër ekzistencial

Ndërsa pabarazia vijon të thellohet në të gjithë botën, ne nuk e kemi luksin të qëndrojmë në status quo. Nëse ne nuk përballemi me sfidën e pabarazisë haptazi – siç kemi filluar të bëjmë me një kërcënim tjetër ekzistencial, ndryshimin klimaterik – kohezioni shoqëror, dhe në veçanti demokracia, do të vihen nën një kërcënim gjithnjë e në rritje.

Autor:Kaushik Basu Project Syndicate Mumbai

Në fund të një viti pandershmërie të ulët, reminishencë e një “dekade pandershmpërie të ulët”, rreth të cilës W.H. Auden shkroi poemën e tij “1 shtator 1939,” “shpresat e mençura” të botës, po zhduken për t’i lënë vendin pranimit se shumë probleme të rënda do të duhet të zgjidhen. Dhe, mes problemeve më të rënda, me pasojat më të rënda afatgjata e madje edhe ekzistenciale, është pabarazia ekonomike.

Niveli alarmues i pabarazisë ekonomike në të gjithë botën është dokumentuar mirë nga ekonomistë të njohur, përfshirë Thomas Pikkety, François Bourguignon, Branko Milanović, dhe Joseph E. Stiglitz, si dhe institucione të mirënjohura, përfshirë OXFAM dhe Banka Botërore. Dhe është e dukshme edhe nga një sorollatje rastësore nëpër rrugët e Nju Jorkut, Nju Dehlit, Pekinit apo Berlinit.

Zërat në të djathtë shpesh pretendojnë se kjo pabarazi është jo vetëm e justifikueshme, por edhe e përshtatshme: pasuria është një shpërblim i drejtë për punën e rëndë, ndërsa varfëria është një ndëshkim i fituar nga dembelia. Ky është një mit. Realiteti është se të varfrit, në shumë raste duhet të punojnë jashtëzakonisht shumë, shpesh në kushte të vështira, vetëm për të mbijetuar.

Për më tepër, nëse një person i pasur ka një etikë veçanërisht të fortë pune, kjo nuk është thjeshtë një pasojë e ndonjë predispozicioni gjenetik, por edhe një trashëgimi, përfshirë çfarëdolloj privilegjes, vlerash dhe mundësish që mund të kenë pasur ata. Pra nuk ka një argument të vërtetë moral për pasurinë e stërmadhe në mes të varfërisë së gjithëpërhapur.

Kjo nuk do të thotë se nuk është e justifikuar një nivel i caktuar pabarazie. Në fund të fundit, pabarazia mund të reflektojë dallime në preferenca: disa njerëz mund të shohin më me vlerë kërkimin e pasurisë materjale se sa disa të tjerë. Për më tepër, shkalla e ndryshme e shpërblimit me të vërtetë krijon incentiva që njerëzit të mësojnë, të punojnë dhe të përmirësohen, aktivitete që promovojnë rritjen e përgjithshme dhe sjellin përparim në reduktimin e varfërisë.

Por, në një pikë të caktuar, pabarazia bëhet kaq e rëndë sa ajo ka efekt të kundërt. Dhe ne jemi shumë përtej kësaj pike.

Shumë njerëz – përfshirë ata që janë më të pasurit e botës – e kuptojnë se sa e papranueshme është pabarazia e rëndë, qoftë moralisht ashtu edhe ekonomikisht. Por nëse të pasurit flasin kundër pabarazisë, ata shpesh injorohen dhe etiketohen si hipokritë. Në dukje, dëshira për të lehtësuar pabarazinë mund të konsiderohet e besueshme ose e sinqertë vetëm pasi dikush sakrifikon pasurinë e tij personale.

E vërteta, natyrisht është se vendimi për të mos hequr dorë në mënyrë të njëanshme nga pasuria nuk e diskretiton pëlqimin për një shoqëri më të barabartë. Që të etiketosh një kritik të pasur ndaj pabarazisë ekstreme si hipokrit, kjo është një sulm ad hominem[i] dhe një gabim logjik i cili synon të shtyjë drejt heshtjes ato zëra që mund të sjellin ndryshimin.

Për fat të mirë, kjo taktikë duket se ka humbur një pjesë të fuqisë së vet. Është shpresëdhënëse të shohësh individë të pasur që sfidojnë këto sulme, jo vetëm duke pranuar haptazi dëmin ekonomik dhe shoqëror të shkaktuar nga pabarazia ekstreme, por edhe duke kritikuar një sistem që, pavarësishts e i mundëson disave të pasurohen, ka lënë shumë tepër njerëz pa mundësi reale.

Në veçanti, disa amerikanë të pasur po dënojnë legjislacionin aktual fiskal që është propozuar nga republikanët e Kongresit dhe administrata e presidentit Donald Trump, legjislacion që ofron ulje disproporcionale për ata që fitojnë më shumë – njerëz si ata vetë. Siç e tha Jack Bogle, themelues i Vanguard Grup dhe një prej përfituesve të uljeve të propozuara të taksave – të cilat me siguri do ta përkeqësojnë pabarazinë – kjo është një “neveri morale.”

Megjithatë njohja e defekteve të strukturave aktuale është vetëm fillimi. Sfida më e madhe është që të krijohet një plan masash realist për një shoqëri të barabartë. (Është mungesa e një plani të tillë që ka sjellë dështimin e shhumë lëvizjeve qëllimmira në histori.) Në këtë rast, fokusi duhet të jetë në zgjerimin e marrëveshjeve për ndarjen e fitimeve, pa shtrënguar apo centralizuar incentivat e tregut, të cilat janë thelbësore për të sjellë rritje ekonomike.

NJë hap i parë mund të jetë dhënia e të gjithë banorëve të një vendi të drejtë për një pjesë të caktuar të fitimeve të ekonomisë. Kjo ide është prezantuar në forma të ndryshme nga Marty Ëeitzman, Hillel Steiner, Richard Freeman, dhe, edhe muajin e kaluar nga Matt Bruenig. Por është veçanërisht e rëndësishme sot, për shkak se pjesa e pagave në të ardhurat kombëtare është në rënie dhe pjesa e fitimeve dhe e qirave është në rritje – një tendencë që progresi teknologjik po e përshpejton.

Ka edhe një dimension tjetër të ndarjes së fitimeve që ka marrë shumë pak vëmendje, e lidhur me monopolet dhe konkurrencën. Me teknologjinë moderne dixhitale, fitimet në raport me shkallën janë kaq të larta sa nuk ka më kuptim që të kërkosh që, fjala vjen, 1 mijë kompani të prodhojnë versione të ndryshme të të njëjtit mall, ku secila prej kompanive të plotësojë një të njëmijën e kërkesës.

Një përqasje më efikase mund të ketë 1 mijë kompani që prodhojnë secila një pjesë të këtij malli. Kështu, kur vjen puna te automjetet, një kompani do të prodhojë të gjitha marshet, një tjetër të gjitha frenat e me rradhë.

Ligjet tradicionale anti-trust dhe pro-konkurrencë – të cilat filluan më 1890 me Aktin Sherman në SHBA – parandalojnë krijimin e sistemeve të tilla efikase. Por një monopol në prodhim nuk do të thotë automatikisht monopol në të ardhura, për sa kohë aksionet në secilën kompani janë nën pronësi të ndryushme. Për rrjedhojë është koha për një ndryshim radikal, një i tillë që zëvendëson ligjet tradicionale anti-monopol me ligje që urdhërojnë shpërndarjen më të gjerë të aksioneve brenda secilës kompani.

Këto ide janë gjerësisht të patestuara dhe shumë punë kërkohet para se ato të bëhen operacionale. Por për shkak se bota luhatet nga një krizë në një tjetër dhe pabarazia vijon të thellohet, ne nuk e kemi luksin të qëndrojmë te status quo-ja. Në rast se ne nuk përballemi haptazi me sfidën e pabarazisë, harmonia shoqërore dhe vetë demokracia do të vihen nën një kërcënim gjithnjë e më në rritje.

[i] Nga latinishtja, përgjigjja ndaj një argumenti duke sulmuar personin dhe jo argumentin.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Ripublikimi nuk mund të bëhet pa lejen e Project Syndicate. Inequality in the Twenty-First Century

Kaushik Basu
RRETH AUTORIT

Kaushik Basu

Kaushik Basu, ish kryeekonomist për Bankën Botërore, është një Profesor i Ekonomiksit në Universiitetin Cornell dhe Bursist i Lartë Jorezident në Institutin Brookings.

(Titulli i pershtatur)

https://www.reporter.al/pabarazia-ne-shekullin-e-njezet-e-nje/