OSBE publikon raportin final: Arsyet pse humbi besimi i publikut gjatë procesit zgjedhor

Pas rreth 3 muajsh OSBE/ODIHR ka publikuar raportin final për zgjedhjet e 25 qershorit.

Ndër të tjera në këtë raport thuhet se në bazë të marrëveshjes mazhorancë – opozitë u zhvillua një fushatë e lirë, ku u respektuan  liritë themelore.

Marrëveshja politike e 18 majit krijoi sfida për administratën zgjedhore, e cila rezultoi me një aplikim selektiv dhe të papajtueshëm me ligjin.

Sipas raportit politizimi i vazhdueshëm i organeve dhe institucioneve të lidhura me zgjedhjet, si dhe akuzat e gjera për blerjen e votave dhe presionin ndaj votuesve, hoqën besimin e publikut në procesin zgjedhor.

Ndërsa vlerëson se dita e zgjedhjeve ka qenë e rregullt, raporti vë në dukje edhe moszbatimin e plotë të disa procedurave në disa prej qendrave të votimit, ku theksohet se ka pasur vonesa në fillimin e procesit.

OSBE ka ngritur shqetësimin se “shtyrja me një orë e votimit nuk ka pasur bazë ligjore, ndërsa ka shkaktuar pështjellim te votuesit”.

Në raport thuhet se “ditën e zgjedhjeve janë vërejtur parregullsi e mosveprime procedurale”. “Janë vërejtur votime në grup dhe ndërhyrje nga aktivistë partiakë”. Të ndryshojë ligji për grupet e numërimit, nuk duhet të jenë politike.

Shqetësim i OSBE, i theksuar edhe në raportin final të zgjedhjeve është edhe shitblerja e votës. OSBE rekomandon zgjidhjen e këtij fenomeni përmes mekanizmave ligjorë.

Një rekomandimet kryesore të OSBE është edhe hartimi i një reforme të re zgjedhore gjithëpërfshirëse. “Të thellohet depolitizimi i administratës publike”, thuhet gjithashtu në raportin e OSBE.