Opozita përshkallëzon reagimet me aksion politik, paralajmëron rrethimin e Kryeministrisë për 72 orë

Situata e tensionuar politike, e krijuar pas precedentëve të ish-ministrit Saimir Tahiri dhe ministrit aktual, Fatmir Xhafaj ka çuar në precipitimin e situatës. Opozita pas bllokimit të punimeve të Kuvendit ka vendosur të kalojë në aksion politik. E paralajmëruar për përshkallëzimin e reagimeve të saja ndaj një qeverisje të kapur nga krimi, opozita ka vendosur të rikthehet tubimeve në sheshet e kryeqytetit, saktësisht pranë Godinës së Qeverisë. Opozita ka planifikuar të zhvillojë një protestë të madhe ndaj qeverisë të shtunën e ardhshme.

Siç bëhet e ditur nga burime brenda opozitës, Kryeministria do të rrethohet me kordonë njerëzorë dhe do të kërkohet të japë dorëheqjen ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Sipas planit paraprak protesta do të zgjasë 72 orë me mundësi shtyrjeje.

Në fillim, protesta do të përqendrohet përpara godinës së Ministrisë së Brendshme, për të kaluar më përpara Kryeministrisë.

Protesta e së shtunës zhvillohet në kushtet e një klime të egër politike mbushur me akuza dhe paralajmërime.

Protesta zhvillohet edhe në kushtet kur Shqipëria është në një periudhë prove sa i takon vendimit që do të marrin vendet e Bashkimit Evropian për çeljen ose jo të negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE.

Vendimi për zhvillimin e protestës u morr ditën e premte gjatë një mbledhjeje të krerëve të opozitës së bashkuar në selinë e Partisë Demokratike.

Basha i ka porositur krerët e degëve që të sjellin sa më shumë njerëz në Tiranë ditën e shtunë