OPINION/ Mero Baze: Mbi hipokrizinë e një fushate elektorale, pa opozitë dhe koalicione

Prej nesër Shqipëria ka një skenë atipike politike, ku të gjitha palët ndjehen të përfaqësuara në qeveri dhe asnjë palë nuk është në aleancë me njëra tjetrën. Gjashtë ministrat e propozuar nga Basha vijnë vërtet nga teknokratët e ish pushtetit të Partisë Demokratike, disa prej tyre janë qartazi njerëz të emëruar dikur në ato poste, falë lidhjeve me Familjen “Berisha”.

Përveç faktit që PS e PD janë ende në “javën e mjaltit”, ndarja e re reale duket se është ajo mes LSI dhe Partisë Socialiste, që po shkon në drejtim të pakthyeshëm.

Por pavarësisht luftës së ftohtë mes tyre, të gjitha palët janë në qeveri dhe askush nuk ka ndërmend të largohet prej saj deri më 25 Qershor.

Në këtë kontekst, duket sikur vendi nuk ka opozitë, por vetëm qeveri. Berisha ka aty gjysmën e qeverisë, ndërsa Meta dhe Rama pjesën tjetër.

Edhe pse postet e reja, nuk kanë shumë lidhje me garancitë zgjedhore, ndarja e fortë mes LSI e PS, tani e tutje është Marrëveshja Rama- Basha, e cila nuk rivendos afate për koalicionet parazgjedhore.

Edi Rama ka dhënë shpjegimet e veta për këtë, por duket qartë se ajo është “një shkelje syri” mes tij dhe Bashës, për të mos lënë hapësirë për partitë që marrin vota në kurriz të tyre.

Për më tepër, vendimi i Ramës erdhi, pasi ai u gjend papritur para një opozite të bashkuar përballë tij, në sallën e Kuvendit, ku ndau prej tyre Lulzim Bashën dhe arriti Marrëveshjen.

Kjo gjë ka ndryshuar në mënyrë atipike sjelljet e tre partive ndaj njëra-tjetrës.

LSI është bërë agresive me Edi Ramën dhe e dashur me Sali Berishën. Në disa dalje publike të kupolës së LSI, ka ndryshuar fjalori politik për Sali Berishën, duke folur me simpati për të.

Kjo natyrisht bëhet me shpresë që të ulet agresiviteti i PD kundër LSI, dhe të krijohet ideja, se do të qeverisin bashkë pas zgjedhjeve. Ka këtu dhe disa ngjyra të lehta kërcënuese për Bashën, me idenë se ata kanë raport direkt me “babain”, duke e anashkaluar atë.

Nga ana tjetër LSI nga fjalori që përdor, nuk lë dilema se është ndarë përfundimisht me PS.

Partia Demokratike vazhdon të sillet natyrshëm si opozitë me PS dhe neutral ndaj LSI. I vetmi që bën diferencën është Berisha që e thekson dhe opozitën me PS dhe afërsinë me LSI. Vetë PD ka bërë një skemë eficente me aleatët duke i futur në listat e PD dhe duke votuar gjithë partitë logon e PD. Kjo bën që PD të rrisë numurin e votave, Basha të dalë më i fituar se në zgjedhjet e 2013 dhe të mos ndjehet i rrezikuar për dorëheqje.

Ndërsa Partia Socialiste po lufton e vetme për mbi 71 mandate, duke e konsideruar këtë betejë të vetën.

Pra kjo situatë hipokrite, do të vazhdojë për 30 ditë, duke thyer një rekord historik ku askush nuk është në opozitë. Kjo situatë duhet të marrë fund, së paku duke deklaruar koalicionet parazgjedhore formalisht. Shto këtu dhe konspiracionin e koalicionit të madh që i vë në gjumë të gjitha palët, dhe duket sikur zgjedhjet nuk kanë kuptim.

Edhe pse Rama e Basha nuk hapën afatet për koalicionet nga të cilat partite e vogla fitonin nga formula, partitë nuk i ndalon askush të deklarohen se me kë janë në aleancë. Fjala vjen Partia Socialiste mund të thotë që sot se është e gatshme të bëjë qeveri nesër me socialdemokratët, PDIU apo dikë tjetër. Partia Demokratike është e lirë të thotë se mund të bëjë qeveri me LSI dhe aletatë e saj. Kjo do t’i japë fund hipokrizisë së një fushate ku të gjithë janë në pushtet dhe të gjithë në opozitë dhe shqiptarët të jenë sa më të paqartë se për kë do votojnë.