OPINION/ Besnik Bakiu: Sulmet terroriste “…një copëz e Luftës së Tretë Botërore”

Shpërthimi i tmerrshëm që ndodhi në koncertin e popit të këngëtares Ariana Grande në “Manchester Arena” bëri qytetërimin botëror të përjetojë një tronditje të thellë, e cila do shoqërohej me një makth e panik të pandeshur kurrë më parë. Kjo, sepse u godit simboli i pathyeshmërisë, një nga qendrat e rendit të ri botëror.

Përsëri terror në zemër të një metropoli të Evropës. Një tjetër sulm ndaj njerëzve që donin vetëm të argëtoheshin, ndaj fëmijëve dhe të rinjve, që me entuziazëm po ndiqnin koncertin e një ylli muzike. Ky atentat është sulmi më i rëndë terrorist, që nga viti 2005 në Britaninë e Madhe, ku katër atentatorë vetëvrasës në autobusët dhe metrotë e Londrës vranë 52 vetë. Vetë këngëtarja, Ariana Grande shkruan e tronditur në “Twitter”: “Nuk kam fjalë, më vjen tmerrësisht keq”.

Tashmë terrorizmi u ka shpallur luftë të gjithë njerëzve të lirë në botë. Ky armik real, i errët, i pabesë, i egër, barbar, rrënues, i kudondodhur, i kudoshfaqur, po e bën botën gjithnjë e me të pasigurt.

Papa i ka cilësuar sulmet terroriste si: “…një copëz e Luftës së Tretë Botërore”, kurse studiuesi i njohur Brain M. Jenkins, në librin “International Terrorism: A New Mode of Conflict” thotë se: “Terrorizmi ndërkombëtar mund të krahasohet me fillimin e një Lufte të III Botërore”.

Kriminologë e studiues të ndryshëm kanë paralajmëruar se në shekullin e XXI, terrorizmi do të jetë një nga kërcënimet më serioze për stabilitetin e botës. Jo më kot OKB-ja në vitin 1995 e përcaktoi terrorizmin si krim transnacional dhe miratoi një konventë të veçantë kundër tij, duke promovuar nismën “Të mendojmë globalisht dhe të veprojmë lokalisht”.

Reagime të panumërta pati nga bota e politike, fetare, muzikore etj., për këtë sulm të paprecedentë. Të gjithë duan të tregojnë se janë të prekur nga kjo gjëmë me deklarata në media, “Twitter”, “Facebook”, etj. Të gjithë kujtojnë viktimat. Të gjitha kombet e civilizuara janë solidare në krah të Britanisë së Madhe, por nga deklaratat (qofsha i gabuar) duket sikur rreziku i terrorizmit është pranuar prej kohësh si pjesë e normalitetit.

Terrorizmi kishte kohë që jepte shenjat e luftës me qytetërimin, por bota e qytetëruar nuk kishte dëshirë dhe vullnet për ta pranuar. Ajo ishte e disbalancuar dhe me qëndrime të ndryshme në konceptimin, përjetimin dhe reagimin kundër tij. Kur ngjarjet terroriste ndodhnin diku tjetër, larg kufijve fizikë, apo rajoneve me interes strategjik të saj përbënin vetëm lajm. Duheshin ngjarjet e fundit, që do Zoti të zgjohen nga ky gjumë letargjik.

Fatkeqësisht konstatohet se terrorizmi është një problem shqetësues, që kurrë nuk ka fituar seriozitetin e duhur as nga politikanet e as nga qytetarët që kërcënohen nga terrorizmi. Politikanët që i bëjnë llogaritë brenda një periudhe kohore (midis dy fushatave zgjedhore) bëjnë shumë herë gabime fatale, duke i veshur terrorizmit rroba të gabuara, ose shkaqe joreale, ose duke i dhënë atij fytyra sipas interesave të momentit.

Reagimi botëror ndaj terrorizmit në disa raste të kujton reagimin evropian në shekullin e XIV ndaj murtajës, ose siç quhej ndryshe “vdekja e zezë”, e cila pllakosi në tërë Evropën dhe u përhap në Afrikën e Veriut, në Itali, në Spanjë, në Angli, në Francë, në Austri, në Hungari, në Zvicër, në Gjermani, në Skandinavi dhe në vendet baltike. Brenda dy vjetësh, më shumë se një e katërta e popullsisë së Evropës (rreth 25 milionë njerëz) ranë viktimë e asaj. Në atë kohë banorët e Firences në Itali ua hodhën fajin kafshëve për murtajën, duke i vranë ato dhe mos e kuptuar se me këtë veprim, po i linin rrugë të lirë një krijese, që faktikisht kishte rol në përhapjen e infektimit: miut.

E përmenda këtë rast, është e domosdoshme të shihet realiteti në sy, duke i vënë emrin e vërtetë. Vetë bota e zhvilluar (e grupuar në G-7 apo G-20) është jo pak përgjegjëse për luftërat e gabuara, apo luftërat e bëra keq. Është përgjegjëse për thellimin e pabarazisë ekonomike mes tyre dhe pjesës tjetër të botës. Kush tjetër veç saj mund të jetë përgjegjëse për konfliktet disavjeçare në Siri, Libi, Eritrea dhe Irak? Është përgjegjëse për indiferencën, madje për mbështetjen (në disa raste), që u ka dhënë me paratë e ndihmave tё zhvillimit, regjimeve diktatoriale në fillimet e tyre. Është përgjegjëse se u ka kthyer shpinën përgjegjësive të saj dhe duke u mjaftuar vetëm me marrjen e naftës dhe shitjen e armëve. Pra, siç ka thënë edhe Jul Cezari “Faj i dashur Brut nuk është i yjeve, është i yni”.

Fenomeni i terrorizmit ndërkombëtar ka filluar të dominojë studimet e marrëdhënieve ndërkombëtare që nga vitet 1970–1980, por sot në shekullin e 21 është kthyer në çështjen më të diskutuar nga shtetet për sa i përket kërcënimit që përbën për sigurinë dhe paqen e sistemit ndërkombëtar. Deri më sot akoma nuk është aprovuar në mënyrë të gjithëpranuar ndonjë përkufizim i terrorizmit, ngaqë versionet e ofruara kishin qenë në kundërshtim me ideologjitë e ndryshme politike ose nuk i kishin ngërthyer të gjitha elementet e dëshiruara.

Më të pranueshëm janë përkufizimi i përpiluar në vitin 1979 nga Konferenca Ndërkombëtare për Terrorizmin, e mbajtur në Jerusalem dhe ai i OKB-së në vitin 2004. Në këtë konferencën e Jeruzalemit, ku merrnin pjesë shkencëtarë dhe politikanë të shumtë u ofrua një përkufizim relativisht i përgjithshëm për kuptimin dhe përmbajtjen e terrorizmit, si “atakim, kërcënim ose vrasje e qëllimtë e personave të pafajshëm, me qëllim të shkaktimit të frikës publike, që do të ndikonte në realizimin e qëllimeve të caktuara politike”; kurse Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, e përshkonte terrorizmin si çdo akt “që ka për qëllim të shkaktojë vdekje ose lëndime të rënda trupore ndaj civilëve apo jo luftëtarëve, me qëllim të frikësimit të popullatës apo për t’i imponuar një qeverie apo një organizate ndërkombëtare për të bërë ose për të mos bërë ndonjë akt”.

Terrorizmi i sotëm tregon se kemi të bëjmë me sulme të frymëzuara nga ideologjia dhe jo nga feja. Është ideologjia e një grupi kriminal, që zotëron mjete të konsiderueshme të shumëllojta, i cili ka ndërtuar një ideologji të tijën, me elementë të huazuar edhe nga ideologji të tjera.

Armiku që kemi përballë është shumë inteligjent. Terrorizmi ka ndryshuar dhe u është përshtatur kushteve të reja që ofron globalizmi. Ndryshimi i objektivave të goditjes. Po të shikosh tipologjinë e sulmeve terroriste konstaton se objekt i tyre janë ato vende, që me gjuhën profesionale konsiderohen “objekte të buta”, pasi masat e sigurisë janë më të dobëta.

Bota sot përballet me atë që quhet “terrorizëm i brendshëm”, nga qytetar evropian të brezit të dytë dhe tretë me prejardhje nga vendet me besim islamik, të cilët jo vetëm nuk ndjekin mënyrën evropiane të jetesës, por ndihen të paragjykuar, izoluar dhe përjashtuar. Ky është sigurisht një terren ideal ushqyes për rekrutimin e terroristëve.

Këto sulme nxorën në sipërfaqe politikat deficitare të vendeve të zhvilluara në fushën e sigurisë. Edhe reagimet e së djathtës ekstreme në Evropë për rishikimin e traktateve të BE janë të gabuara. Nuk janë zgjidhje afatgjata masat ksenofobe, por zbutja e diversiteteve drejt integrimit, pa humbur identitet.

Sipas raportit “Risk Map”, rreziku i terrorizmit ndërkombëtar si kurrë më parë është mjaft i lartë në të gjithë botën e në mënyrë të veçantë, në territorin e Evropës Perëndimore. Në këtë hartë, Shqipëria është renditur ndër vendet me rrezik mesatar nga sulmet terrorizmit ndërkombëtar.

Më ka habitur indiferenca e shoqërisë shqiptare ndaj këtyre ngjarjeve kaq tragjike. Ajo është mjaftuar vetëm me solidarizim dhe shprehjen e dhimbjes, duke harruar se edhe Shqipëria është e kërcënuar nga sulmet terroriste, por jo e rrezikuar. Vetë kryeministri ynë pranon se: “Shqipëria është plotësisht e ekspozuar ndaj rrezikut të terrorizmit ndërkombëtar”, pasi Shqipëria “de jure” është në luftë, si vend anëtar i koalicionit të madh antiterror dhe si vend anëtar i NATO-s (sipas nenit të 5 të Aktit Themeltar të NATO-s – sulmi ndaj një shteti është sulm ndaj të gjithëve).

Megjithëse nuk ka vend për panik, nuk duhet të mos jemi vigjilentë dhe në gatishmëri, pasi varfëria, injoranca dhe dëshpërimi janë prezentë me shumicë në Shqipëri. Të mos harrojmë se mungesa e perspektivës është një terren ideal ushqyes për rekrutimin e terroristëve. Po ashtu konfliktet institucionale, korrupsioni, paratë e pista në qarkullim janë parakushte për terrorizmin.

Gjithashtu, po të shikojmë edhe raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit në raportin “Kosovo 2015 Crime and Safety Report”, ku thuhet se terrorizmi ndërkombëtar dhe transnacional është një kërcënim i pranishëm në Kosovë.

Personalisht mendoj se situata e re kërkon rikonceptim të strategjisë së sigurisë, duke mbështetur financiarisht dhe materialisht agjencitë ligjzbatuese; rishikim të legjislacionit për përballuar këto fenomene globale; “formalizim dhe legalizim” të institucioneve fetare, si dhe kontrollin e burimeve të financimit të tyre; futjen në programet mësimore të njohjes së parimeve mbi të cilat mbështeten fetë në Shqipëri dhe propagandimit të mirëkuptimit dhe bashkëjetesës fetare; si dhe hapja e degëve për studime teologjike në universitetet shqiptare.

Me pak fjalë, të bëjmë diçka të thjeshtë sot, që të mos pendohemi nesër.

Kurse mesazhin për botën e qytetëruar e dha Papa Françesku në shtegtimin apostolik në selinë e Al-Azhar, institucioni më i lartë fetar i Islamit sunit në botë, si dhe universiteti më i lashtë islamik, ngritur që në vitin 969, “Për të parandaluar konfliktet e për të ndërtuar paqen është themelore të përpiqemi për ta zhdukur varfërinë dhe shfrytëzimin, në gjirin e të cilit lindin më shumë ekstremizmat, t’i bllokojmë flukset e parave e të armëve drejt atyre, që ndezin flakën e dhunës e ta ndalojmë përhapjen e armëve, sepse po u prodhuan, nuk do të vonojnë edhe të përdoren. Kjo, detyrë urgjente dhe e rëndësishme, që u takon drejtuesve të kombeve, të institucioneve, mjeteve të informimit, ashtu si edhe ne, përgjegjësve të qytetërimit.., duke hedhur bazat e besëlidhjeve të reja ndërmjet popujve e shteteve”. /Gazeta Shqiptare/