OPINION/ A do e mbylli Sali Berisha karrierën e tij parlamentare?!

Nga Ben Andoni

Ka një imazh që media e përdor shumë, kur do të tregojë rolin e fortë të Sali Berishës në grupin parlamentar të demokratëve. Deputetët e PD-së janë në një moment të zakonshëm të kësaj legjislature teksa po e braktisin parlamentin, kurse ata që mëdyshohen ose më mirë vonojnë u bëhet një shenjë kuptimplote me vetëm kyçin e dorës nga Sali Berisha që të largohen. Të gjithë ngrihen njëherazi dhe ikin pa bëzajtur. Kanë mjaftuar pak grimca të tilla, veçmas veprimtarisë së tij shumë planëshe për ta mbajtur të ngjitur këtë formacion rreth vetes, që të kuptosh se ai është realisht shpirti i PD-së, kurse kryetari aktual Basha një altoparlant statik!

Kaq i theksuar ka qenë ky rol saqë në bisedimet e gjata që përcollën në arritjen e marrëveshjes së 18 majit 2017, Basha është parë haptas që dilte rregullisht nga mjediset e Berishës kur shkonte në bisedime dhe futej sërish në zyrën e tij, kur mbaronin ku merrte udhëzimet e nevojshme.

E gjithë kjo panoramë, që është fare e mangët sërish, nxjerr pyetjen më të vështirë për njerëzit që merren me kampin e djathtë por edhe që përmban një përgjigje me shumë ekuivoke: A do jetë më kryetari historik dhe de facto i PD-së Sali Berisha në legjislaturën e re.

Në një emision para koleges Tare nga Berisha doli fraza shtampë por edhe patetike se: “Unë do mbetem i angazhuar. Nëse PD më vendos, po do jem. Pasioni im është Parlamenti. Unë nuk mendoj se ka ardhur koha të largohem nga Parlamenti”. Në të njëjtin format emisioni, pak kohë më vonë, Basha u pyet për rolin e Berishës në PD duke u justifikuar se nuk ka pasur asnjëherë dualizëm!!

Gjithsesi, a do të jetë sërish Berisha në listën e deputetëve pas zgjedhjeve të 2017-ës? Basha nuk jep kurrë një përgjigje të drejtpërdrejtë. Në formën e vet për të folur pa thënë asgjë pak kohë më parë u shpreh: “Do të jetë një listë përfaqësuese dhe tani nuk është momenti për të diskutuar, por secili e kupton se çfarë do të thotë një listë përfaqësuese. Legjitimimi i këtyre listave do të bëhet në mënyrën më demokratike nga forumet e partisë dhe nga aleatët”.

Në fakt, pak kohë më parë kishte thënë se Berisha do të ishte në parlament sa herë të donte.

Fakti është se baza e militantëve jo vetëm e do Sali Berishën por edhe se janë shumë të qetë me ekzistencën e tij në mjediset e PD-së, kjo për faktin se ai jep siguri, por edhe vazhdimësi të asaj që mendohet si ideologji e PD-së. Një gjë që nuk e jep asnjë nga përfaqësuesit e tjerë të cilët lëvizin shumë falë konjukturave, përfshirë kryetarin aktual dhe grupin opozitar brenda PD-së.

Jo më kot, Berisha sërish ishte një nga arkitektët e marrëveshjes së re! Është e pamundur të mos gjesh rolin ashtu si dhe vulën e tij në shumë vendime të ditëve të fundit.

E me të gjitha këto, Berisha i kësaj legjislature me gjithë forcën fizike të dikurshme të prezantuar, në këtë vit, ka pasur një firo të frikshme. Këtë e shikon nga gjuha e trupit dhe tkurrja që i ka ardhur nga mosha por edhe tonalitetet e zërit, që tashmë kuotat e larta i mbajnë më pak. Mbi të gjitha Berisha nuk e përballon dot më intensitetin e manovrave të politikanëve të rinj dhe makinacionet që përpunohen nga shumë aktorë.

Më shumë akoma, futja edhe e deputetëve që kanë moshën e nipërve të tij e që janë thjesht disa zëra të mekur dhe servilë të kryetarëve e ul shumë objektin e përballjes së tij. Ndërkohë që mëkëmbësi i tij Basha ka filluar të orientohet mirë, por më shumë se kaq ta ruajë si duhet kultin e kryetarit legjendar. Ndaj, Berisha i mikluar vetëm pret në zyrë dhe kumton,  ndërsa të çadra u pa rrallë e më rrallë. Mosha, mungesa e forcës dhe motivi, por edhe ngritja e Bashës janë shenjat se ai po lëshon shumë e më shumë.

Mbi të gjitha, Sali Berisha është krejt i qetë se nuk do përballet kurrë me Vetting-un. Megjithë lumin e akuzave penale nuk ka asnjë syresh të provuar mbi kurriz, kurse marrëveshja e vitit 1997 e bëri sërish faktor. Me pak fjalë, Berisha nuk kanoset nga Vetting jo thjesht prej këtij fakti, por edhe shumë lëshime që politika ka bërë në thelb të gjërave që nuk fliten. Ndoshta është e vërtetë ajo që thuhet por shumica nuk duan ta besojnë se: karriera e politikanit të njohur shqiptar të post ’90 tashmë duhet të marrë fund edhe de facto.

Edhe nëse ai do të bëjë një nga ato lëvizjet e befta dhe të jetë sërish në parlament, tashmë do jetë një emër krejt i sfumuar sepse protagonizmi do e tërheqë Basha, me kursin e suksesshëm që kaloi me çadrën. Dhe, Berisha idoli i vërtetë i demokratëve, nuk mund ta durojë hijen, për asnjë lloj arsye. Në rast se është aq i mençur sa ka treguar me shumë lëvizje në historinë tranzitore, vërtetë ka ardhur koha ta lerë poltronin e deputetit.

Tashmë është i tepërt nga vendi ku bënte me shenja që të largohen nga parlamenti, e me sa duket ka ardhur koha për t’i shkuar realisht legjendës urbane të demokratit të parë dhe njeriut që mposhti komunizmin. Ky togfjalësh i fundit vlen shumë më tepër sesa deputet dhe një zë pas kuintave, që të shkaktojë ilaritete, sa hap gojën. Berisha me sa duket po largohet nga e zakonshmja për t’u kthyer në një mit të turmave që e mbajtën dhe do e ushqyejnë kultin e tij. (Javanews)