Operat për Skënderbeun dhe karakteri “patriotik” ballkanas: Si shikohet dhe si trajtohet historia shqiptare?

Në Perëndim, veprat e historianëve të Ballkanit konsiderohen se nuk janë kredibile. Punimet e tyre hasen rrallë në botimet serioze akademike. E, kur është fjala për botimet kredibile evropiane të veprave të historisë, më së keqi qëndrojnë autorët shqiptarë. Kjo është arsyeja që veprat kryesore të historisë së shqiptarëve ende shkruhen nga të huajt…

Me 22 qershor 1718, në Firence u shfaq premiera e operës me tri akte, e titulluar “Scanderbeg”. Opera ishte kompozuar nga kompozitori i famshëm Antonio Vivaldi, i cili më shumë është i njohur për veprën e tij madhështore “Katër stinët”. Opera “Scanderbeg” ishte përgatitur enkas për rihapjen e sallës së operës “Teatro della Pergola”, e cila ishte ngjarje e madhe për kulturën e këtij qyteti të asaj kohe dhe të një pjese të vendit që më vonë do të quhej Itali.

“Scanderbeg” zgjoi interesim të madh, por u hoq shpejt nga repertori dhe nuk u shfaq më deri në vitin 2012 kur u dha në Tiranë. Duke e paraqitur suksesin e Skënderbeut në mbrojtjen e Krujës, opera përshkohej nga ndjenjat antiosmane. Në listën e roleve të operës, Skënderbeu paraqite si mbret i Shqipërisë, por publikut i lihet të kuptohet se ai ishte edhe grek. Shto faktin që Vivaldi ishte edhe prift, operës nuk i mungonte as prezenca e karakterit religjioz. Kështu e donte koha atëherë.

Ata pak veta që janë marrë me efektin muzikor të kësaj teme, heqjen e operës nga repertori dhe më vonë rënien e saj në harresë, e quajnë “të befasishme”. Në fakt, ky moment ose veprim nuk ka qenë befasi aspak nëse këtë çështje e shikojmë nga prizmi politik ose shoqëror. Përgjigjen e kësaj “befasie” duhet kërkuar në Marrëveshjen e Pozharevcit të vitit 1718.

Opera në fjalë qe kompozuar nën frymën e rrethanave aktuale të atëhershme, që karakterizoheshin nga luftërat, të shtatat me radhë, që u zhvilluan ndërmjet Venedikut dhe Perandorisë Osmane gjatë viteve 1714-1718. Venediku e humbi luftën, por suksesi i Monarkisë së Habsburgëve e shpëtoi Republikën venedikase nga katastrofa. Marrëveshja në Pozharevc u nënshkrua me 21 qershor (1718), një ditë para premierës së operës. Sikur marrëveshja të ishte nënshkruar në kushtet e sotme, që karakterizohet nga shpejtësia e depërtimit të informatave, ka pasur shumë gjasa që opera të mos e përjetojë as premierën. Pas marrëveshjes, Vjena dhe Venediku nuk dëshironin që t’i rrezikonin marrëdhëniet tanimë paqësore me osmanët për shkak të një opere. Me fjalë tjera, sundimtarët venedikasë dhe austriakë konsideruan se opera nuk ishte politikisht korrekte dhe nuk lejuan vazhdimin e shfaqjes. Ky akt flet shumë.

Pas 17 viteve (1735), në Paris u shfaq edhe një operë tjetër e kompozuar bashkërisht nga François Francoeur dhe François Rebel që përsëri kishte të bëjë me Skënderbeun. Por, opera në këtë rast, edhe pse kishte të bëjë me personazhin e njëjtë (Skënderbeun), kishte një karakter dhe domethënie tjetër. Megjithatë, sulltani paraqitej si sundues që posedonte elemente të një sundimtari “barbar”, por ndaj Perandorisë Osmane shfaqej një dozë simpatie. Siç ka vërejtur Larry Wolf, historian dhe studiues i efekteve të artit evropian ndaj osmanëve, Skënderbeu në këtë operë paraqitet si prijës i shqiptarëve, por tema kësaj radhe ishte dashuria e jo lufta. Pra, skena nuk është fushëbeteja, por është haremi perandorak. Në këtë operë Skënderbeu nuk është vetëm hero, siç ishte te Vivaldi, por është edhe një lloj dashnori në kërkim të lavdisë luftarake të fisnikëve, siç dëshmojnë këto vargje të operës të cilat i këndon aktori në rolin e Skënderbeut:

Con palme, ed allori
M”invita la Gloria,
Con serti di fiori
M”alletta l”amor

(Me pallma dhe dafina
Më fton lavdia,
Me kurora lulesh
Më tërheq dashuria)

Operën e përshkon dashuria e sulltanit dhe Skënderbeut që kanë për të njëjtën femër, e cila quhet Servilia dhe që është serbe. Për ta komplikuar ngjarjen edhe më shumë, siç kërkon tema intriguese e dashurisë, Skënderbeun e dashuron Roksana, femra kryesore e haremit, gjegjësisht e Perandorisë. Është fjala për dashuritë e ndaluara, të cilat përbëjnë tema gjithmonë interesante dhe, si të tilla, janë tërheqëse për publikun në çdo anë të botës.

Si pasojë e zhvillimit të ngjarjeve, paraqitet tragjedia që kulminon me vetëvrasjen e Servilies, bukuroshes dhe princeshës serbe. Asaj nuk i kishte mbetur tjetër rrugë, pasi që i ishte pamundësuar dashuria me Skënderbeun, kurse i ishte imponuar dashuria e padëshiruar me sulltanin. Pra, fituesi moral është Skënderbeu dhe kjo ngjarje në skenë festohet me këngët dhe vallet e korit, që përbëhet nga dy grupe të grave: njëri grup i korit paraqet gratë shqiptare, kurse tjetri ato serbe. Përkundër një tentative që sundimi osman të paraqitet si despotik, në skenë megjithatë vërejmë një respekt për kulturën osmane dhe religjionin islam. Në skenë paraqitet një xhami dhe brendia e saj e stolisur me luks dhe art të vlefshëm. Konsiderohet që kjo është hera e parë në historinë e artit pamor të Perëndimit, ku është paraqitur me respekt xhamia si pjesë e religjionit, por edhe e kulturës osmane ose asaj të Lindjes.

Këto janë dy trajtime të ndryshme ndaj Skënderbeut, por edhe ndaj shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane. Ndryshimet që i ofrojnë këto dy opera si shembuj, vërehen nga fakti që e dikton interesi dhe rreziku që e ndjenin Vjena, Venediku dhe Parisi në relacion me Perandorinë Osmane. Vjena dhe Venediku janë më afër osmanëve. Prandaj, pamja e Skënderbeut ka tjetër formë dhe përmban tjetër kuptim. Franca është më larg osmanëve dhe në kohën e operës së Skënderbeut, të shfaqur në Paris, osmanët shiheshin si aleatë kundër Rusisë, e cila në atë kohë po forcohej. Forcimin e Rusisë nuk e dëshironte Franca dhe Anglia, për shkak se kjo e rrezikonte ekuilibrin e vendosur politik, ushtarak dhe tregtar, që paraqitej me tendencë të ndryshimit të gjeostrategjisë. Një aleancë që po ngjizej në këtë kohë, pas disa dekadave, do t’i dërgonte ushtritë e Francës dhe Anglisë në ndihmë të osmanëve kundër Rusisë.

Sidoqoftë, në të dyja rastet Skënderbeu paraqet edhe Shqipërinë. Në rastin e parë Skënderbeu është mbret i cili e mbron vendin e tij – Shqipërinë. Rasti i dytë dëshmon se disa nga fuqitë evropiane, Anglia dhe Franca në këtë rast, por më vonë të gjitha, Shqipërinë e shohin si njësi territoriale brenda Perandorisë Osmane me tendencë të shkëputjes. Pikëpamja dytë e ilustron pozitën që këto shtete kishin adoptuar dhe vazhduan ta zbatonin në lidhje me tokat shqiptare deri në themelimin e shtetit shqiptar. Këto shtete do ta përdornin personalitetin e Skënderbeut dhe do ta përkrahnin çështjen shqiptare për aq sa diktonte nevoja e shtrirjes së interesit të tyre në Ballkan. Por, fakti që duhet theksuar është se këto shtete nuk do t’i sakrifikonin e, madje, as nuk do të tentonin t’i rrezikonin interesat e tyre që i kishin me Perandorinë Osmane për shkak të Shqipërisë, siç tregon edhe shembulli i ndërprerjes së shfaqjes së operës së Vivaldit për Skënderbeun.

Natyrisht, narracioni i historisë shqiptare, i cili simbolikisht paraqitet nëpërmes Skënderbeut, nuk e favorizon shumicën e detajeve që paraqiten në këto dy opera, që imponojnë dy pikëpamje të ndryshme. Historia shqiptare nuk ka treguar tolerancë ndaj karakteristikave jopatriotike për figurën e Skënderbeut. Kjo qasje ka kuptim nëse kemi të bëjmë me fazën e lansimit të projektit nacional të shqiptarëve e deri te krijimi i shtetit shqiptar. Por, historianët shqiptarë duket që këtë qasje e aplikojnë edhe sot. Këtu duhet kërkuar dallimin e historianëve shqiptarë me ata perëndimorë të cilët në trajtimin e personaliteteve dhe ngjarjeve historike të vendeve të tyre nuk i japin ndonjë peshë aspektit patriotik apo nacionalist, për shkak se rezultati i hulumtimeve nuk ofron shpjegim shkencor që kërkohet nga puna e akademikëve.

Megjithatë, në historiografinë e Perëndimit, çështja shqiptare, krahasuar me çështjet nacionale të kombeve tjera në Ballkan, shënon mungesë esenciale të trajtimit. Madje, thënia e Edward Gibonit se Shqipëria është vend që “shihet nga Italia, por është më pak i njohur se brendia e Amerikës” qëndron edhe sot, përkundër rritjes së interesimit të historianëve perëndimorë për këtë vend.

Mungesa e interesimit të historianëve vjen si rezultat i mungesës së interesimit që kanë pasur shtetet e tyre për shqiptarët dhe Shqipërinë. Edhe në rastet kur hasim në trajtimin që historianët i bëjnë Shqipërisë, shohim mjaft të meta serioze. Deri vonë historianët perëndimorë e kanë konsideruar historinë mesjetare dhe atë të re të Shqipërisë si të parëndësishme. Pra, edhe roli i shqiptarëve në ngjarjet që datojnë, sidomos nga periudha e sundimit osman, është cilësuar si i parëndësishëm.

Një “vlerësim” i tillë, pra i parëndësishëm, është bërë kryesisht për dy arsye: arsyeja e parë flet për faktin se këta historianë nuk kanë njohuri të gjuhës shqipe dhe të osmanishtes si dy gjëra esenciale që e mundësojnë hulumtimin dhe trajtimin adekuat, ndërsa arsyeja e dytë është fakti se që nga shekulli XIX historianët e shteteve fqinje të shqiptarëve vazhdimisht ua kanë imponuar historianëve perëndimorë pikëpamjen e tyre. Viteve të fundit është shtuar prezantimi i historisë shqiptare në botimet e literaturës anglofone. Me këtë është duke u ndriçuar dhe duke u bërë e rëndësishme historia shqiptare, por ende nuk është prezente ashtu siç janë historitë e popujve ose shteteve të tjera ballkanike.

Pikëpamja e historianëve ballkanikë, në një masë të madhe përshkohet nga karakteri patriotik, sikur e shumicës së historianëve shqiptarëve. Shumica e historianëve ballkanikë dhe joshqiptarë i kanë ikur faktit që dëshmon për rolin esencial që kanë luajtur shqiptarët ose Shqipëria në Ballkan gjatë gjashtë shekujve të fundit. Këta historianë e kanë bërë një gjë të tillë me qëllim që t’u dalin në ndihmë politikave nacionaliste të shteteve të tyre, që kanë pasur tendenca territoriale ndaj tokave shqiptare. Duket se çështjet nacionale në Ballkan nuk janë zgjidhur përfundimisht dhe me siguri kjo është arsyeja që historianët ballkanikë ende garojnë mes vete, duke e angazhuar retorikën, por edhe “metodën” patriotike të shpjegimit ose ndriçimit të ngjarjeve dhe figurave kombëtare.

Prandaj, kjo është arsyeja që në Perëndim veprat e historianëve të Ballkanit edhe më tutje konsiderohen se nuk janë mjaft kredibile dhe punimet e tyre hasen tejet rrallë në botimet serioze akademike. Kur është fjala për botimet kredibile evropiane të veprave të historisë, më së keqi qëndrojnë autorët shqiptarë. Kjo është arsyeja që veprat kryesore të historisë së shqiptarëve ende shkruhen dhe plasohen në botë nga historianë të huaj, autoritetin e të cilëve nuk e kontestojnë as historianët shqiptarë.

TELEGRAF