Operacion antidrogë në të gjithë Shqipërinë, në Llakatund të Vlorës u gjetën 15 tonë, 1.3 ton në Kavajë dhe qindra kilogramë në rrethe të tjera

Një operacion i madh antidrogë është zhvilluar në të gjithë vendin, ku janë sekuestruar tonelata kanabis sativa. Operacioni është zhvilluar njëkohësisht në Vlorë, Tiranë, Kavajë, Përmet, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Krujë, Kukës etj. Vetëm gjatë mega-operacioneve të djeshme janë afro 18 ton drogë të kapura në 24 orët e fundit, ku janë arrestuar mbi 20 persona.

Operacioni në Vlorë

Rreth 15 ton lëndë narkotike u gjet në dy banesa në fshatin Llakatund të Vlorës dhe policia shoqëroi në komisariat disa persona të lidhur me të, mes tyre dy punonjës policie dhe një kryeplak fshati. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 5 armë zjarri kallashnikov. Operacioni u zhvillua mbrëmjen e së enjtes nga Policia e Vlorës në bashkëpunim me FNSH-në dhe drejtohej nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe Drejtori i Policisë së Vlorës, Gentian Shehaj.  Në fund të tij, Çako i përgëzoi efektivët e policisë dhe u kujtoi që ky është një operacion i madh që nuk përfundon këtu. “Jemi në vlerësim të mbarë situatës në nivel kombëtar për kultivimin e bimëve narkotike dhe goditjen e të gjithë organizatave kriminale për trafikimin e saj. Janë të shumta operacionet policore gjatë ditëve të fundit, ku nuk kanë munguar edhe rezultatet në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Elbasan, por edhe në një sërë qarqesh të tjera, ashtu sikurse jeni në dijeni për operacionin në mbarë vendin për parandalimin e bimëve narkotike, ku deri tani mbizotëron një situatë optimiste”, tha Çako. Pas sasisë rekord të sekuestruar më herët, pas mesdite është gjetur një tjetër sasi lënde narkotike po në fshatin Drithas. Bëhet fjalë për rreth 600 kg kanabis sativa, e cila ështe gjetur gjatë kontrollit të territorit rreth zonës ku u gjet sasia prej 15 tonë. Për kontrollin është përdorur qeni antidrogë. Lënda narkotike është gjetur e fshehur në shkurret pranë një përroi, e vendosur në disa thasë sintetikë të cilët përmbanin pluhur të imët, të ngjashëm me atë të kanabisit. Nga hetimet paraprake dyshohet se kjo pjesë territoriale është pronë e shtetasit Myzafer Tushaj dhe e vëllait të tij F. Tushaj. Sasia e konsiderueshme e narkotikëve po transportohet drejt ambjenteve të Drejtorisë së Policisë së Vlorës.

Operacionet

Operacioni ka vijuar edhe në Tiranë e Kavajë ku është sekuestruar një sasi e konsiderueshme lënde narkotike. Plot 1.3 ton kanabis sativa është kapur në orët e para të ditës së djeshme në fshatin Bago të Kavajës. Mësohet se policia është vënë në ndjekje në rrugën që të çon drejt “Plazhit të gjeneralit”, një furgon dhe në një makinë tip fuoristradë plot me drogë. Me të pikasur policinë, drejtuesit e mjeteve dhe shoqëruesit janë larguar. Policia që kishte ngritur prita në të gjithë zonën, në një vend tjetër ka ndaluar 4 persona. Dyshimet e para janë që droga ka ardhur nga një rreth tjetër, me qëllim që të shkonte drejt “Plazhit të Gjeneralit” dhe më pas të transportohej me mjete lundruese drejt Italisë. Operacioni është në zhvillim e sipër për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik të drogës. Burime konfidenciale thanë se droga e kapur është peshuar gjatë gjithë natës në Komisariatin e Policisë së Kavajës dhe ka rezultuar 1.3 ton. Po ashtu, lëndë narkotike është sekuestruar edhe në Përmet, ku janë kapur edhe 41 kg lëndë e dyshuar si narkotike Cannabis Sattiva. Gjatë operacionit u arrestua 68-vjeçari Myslim Shpata në fshatin Miçan. Në vijim të kontrolleve të  territorit të ushtruar nga strukturat e Drejtorisë të Qarkut Gjirokastër, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e lëndëve narkotike,  më datë 13.07.2017,  në fshatin Miçan, Përmet, në ambjentet e ish shkollës së mesme të këtij fshati,   shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, kanë gjetur një sasi prej 41 Kg lëndë  të dyshuar si narkotike Cannabis Sativa. Gjithashtu nga shërbimet e Policisë u arrestua në flagrancë shtetasi :  Myslim Shpata, 68 vjeç, banues në fshatin Miçan, Përmet. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

 

Të arrestuarit në Vlorë

Lirim Lamaj, inspektor në Komisariatin Vlorë

Avdyl Sinanaj, inspektor në komisariatin Vlorë

Astrit Lamaj, vëllai i inspektorit Lamaj

Balil Gjata, kryeplak i fshatit Drithas

Myzafer Tushaj

Ervin Tushaj

Rakip Arapaj

Kudret Tushaj

Elion Tafili