Kur jemi ende larg pikut të stinës së verës, termometri ka treguar vlera të larta të të nxehtit, zhiva ka prekur kufirin e 40 gradë celcius. Institucionet e shëndetit publik kanë dhënë alarmin. Specialistë të ndryshëm këshillojnë qytetarët për rrezikun e këtij të nxehti. Janë prezantuar oraret kur duhet shmangur lëvizjes dhe ekspozimi në diell. Grupmoshat që duhet të kenë kujdes janë fëmijët dhe mosha e tretë. Shërbimi i urgjencës dhe sirena nuk resht rrugëve të Tiranës. Në qendrat e pritjes dhe akomodimit të pushuesve janë marrë masa dhe po këshillohen qytetarët. Shërbimet meterologjike mbajnë me gajret, duke shpresuar në ditët në vijim zbritje prej këtyre vlerave. Thatësira dhe mungesa e tejzgjatur e reshjeve ka nxjerrur si emergjente përdorimin me kursim të ujit dhe denoncimin e rasteve të abuzimit.
Sipas meteorologëve, vendi ynë është prekur sërish nga masa ajrore të nxehta, që vijnë nga Afrika, çka ka bërë që temperaturat të pësojnë një rritje të ndjeshme.
Të hënën pritet të ketë një tjetër rritje, ku temperaturat do të shënojnë deri në 40 gradë celcius, në zonat e ulëta dhe jug të vendit dhe kështu do të vijojë deri ditën e mërkurë.
Nisur nga këto temperatura, mjekët u bëjnë thirje qytetarëve, sidomos të moshuarit, ata me sëmundje kronike, por edhe fëmijët e vegjël të bëjnë kujdes, të evitojnë daljet pas orës 11 paradite dhe të konsumojnë sa më shumë ujë.
Nga ana tjetër, mjekët sugjerojnë ushqim të lehtë në këto tempratura dhe kujdes i veçantë për produktet ushqimore që konsumohen, larjen mirë të fruta-perimeve dhe ruajtjen e të gjithë produkteve në ambient të freskët.
Ditën e enjte, theksojnë meteorologët, do të nisë të freskojë disi, pasi temperaturat do të fillojnë të bien në mënyrë graduale. Fundjava që vjen, sipas meteorologëve, parashikohet të shoqërohet me reshje shiu dhe temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme. A.VATAJ