Njerëzit e famshëm, të cilët kanë provuar burgun nga Al Capone, Sophia Loren te Martin Luther King Jr.

Njëzet e tre ditët e saj në burg në korrik të këtij viti, e bënë më të famshme se kurrë Paris Hilton. Jo se asaj i mungonte fama, dhe ishte pikërisht kjo u konsiderua si një prej faktorëve që i kishte dhënë këtë drejtim jetës së trashëgimtares së pasur. Të rinjtë e famshëm të ditëve të sotme po ngatërrohen gjithnjë e më shumë në telashe dhe më të zakonshmet janë problemet me drogën dhe drejtimi i makinës në gjendje të dehur. Kritikët e më të vjetrit e profesionit mendojnë se kjo ndodh për arsye se ato janë bërë të famshëm në një moshë të re dhe e kanë të vështirë ta menaxhojnë jetën e tyre. Por faktet kanë treguar se jo vetëm në kohët e sotme njerëzit e famshëm përfundojnë në burg. Ndër vite më radhë, aktorë, këngëtarë e aktivistë janë arrestuar për arsye nga më të thjeshtat e deri tek ato më komplikuarat. Al Pacino-s nuk i pëlqente të luante me armët vetëm në film, por edhe në jetën reale. Kështu ai ka bërë tre ditë burg në vitin 1961 policia e ka arrestuar për arsye se mbante në makinë armë pa leje dhe bashkëudhëtarët e tij kishin vënë maska dhe dorashka të zeza. Ndërsa arsyeja e këngëtarit të njohur Frank Sinatra padyshim që buron nga disa ligje të çuditshme që nuk dihet në vijojnë të jenë në fuqi. Në vitin 1938 ai u arrestua sepse kishte lidhje me një grua të martuar dhe një akt i tillë konsiderohej i paligjshëm në Nju Xhersi, SHBA. Nuk dihet nëse Sinatra-s i ka shkuar mendja pas kësaj të ngatërrohet me femra të martuara. Ndërsa Al Capone mund të konsiderohet një i burgosur i famshëm duke qenë një prej gangsterëve që është përjetësuar në shumë filma hollivudianë. Ndërkohë Nelson Mandela nuk ka qenë aq i famshëm në momentin kur është arrestuar, por 27 vitet në burg e kanë bërë atë një prej politikanëve më të njohur të botës.

Al Capone

Është një prej gangsterëve më të famshëm të historisë dhe mund të konsiderohet gjithashtu një prej të burgosurve të famshëm. Al Capone, i cili ka qenë shpeshherë subjekt i filmave me mafiozë u dënua në vitin 1932 në burgun famëkeq “Alcatraz” dhe u lirua pas 7 viteve.

Al Pacino

Al Pacino u bë i njohur në rolin e një gangsteri tek “Njeriu me shenjë”. Armët kanë qenë gjithashtu pjesë reale e jetës së aktorit, i cili në vitin 1961 u dënua me tre ditë pasi mbante në makinë armë pa leje dhe tre personat që ishin në makinë me të mbanin maska dhe dorashka të zeza.

Frank Sinatra

Arsyeja e arrestimit të këngëtarit të madh amerikan, Frank Sinatra mund të duket qesharake në ditët e sotme. Në vitin 1938 ai u arrestua në Nju Xhersi dhe u dënua pasi kishte lidhje me një grua të martuar. Ai nuk vuajti dënim pasi akuza ra poshtë pas disa kohësh.

Mel Gibson

Në vitin 2006 aktori i njohur Mel Gibson u përfshi në një sërë incidentesh një ndër të cilat ishin komentet e tij në lidhje me hebrejtë. Arrestimi i tij ndodhi në korrik 2006 pasi policia e ndaloi teksa ngiste makinën në gjendje të dehur, një arsye kjo që ka bërë shumë persona hollivudianë të kalojnë të paktën një natë në burg.

Mike Tyson

Ish kampioni i boksit, Myke Tyson është arrestuar dy herë. Një herë në vitin 2004 dhe një herë në vitin 2006. Në vitin 2006 ai u arrestua pasi po drejtonte makinën në gjendje të dehur dhe për mbajtje kokaine teksa po dilte nga një lokal në Arizona. Ai qëndroi një natë në burg dhe doli pasoi pagoi garancinë.

Nelson Mandela

Nelson Mandela është një ndër të burgosurve më të famshëm në botë. Kanë qenë pikërisht 27 vitet e tij në burg, të cilat e kanë bërë një personazh aq të famshëm. Pas daljes nga burgu, Mandela u bë presidenti i parë i Afrikës së Jugut i zgjedhur në zgjedhje plotësisht demokratike.

Sophia Loren

Sophia Loren është një ndër aktoret dhe femrat më të famshme në botë e jo vetëm në Itali. Në vitin 1982 fotot e saj pushtuan faqet e para të gazetave, jo për bukurinë e saj, por për problemet me ligjin. Ajo u dënua me 18 ditë burg për shkak se kishte shmangur taksat, por kjo s’e dëmtoi popullaritetin e saj.

Bill Gates

Bill Gates është ndër njerëzit më të pasur në botë, por para shumë viteve ka pasur raste, kur nuk u ka qëndruar larg telasheve. Para tridhjetë vitesh ai është arrestuar pasi ka shkelur rregullat e trafikut, por detajet kanë humbur me kalimin e viteve.

Lindsay Lohan

Ajo ka interpretuar që fëmijë në filmat hollivudianë, por vitet e fundit kanë qenë jo të lehta për Lindsay Lohan. Pjesën më të madhe të kohës ajo ka qenë protagoniste për problemet e saj me drogën dhe me ligjin. Ajo u arrestua në korrik të vitit 2007 pasi policia e ndaloi në makinën e saj duke ndjekur një makinë tjetër me shpejtësi.

50 Cent

Reperi “50 cent” emri i vërtetë i të cilit është Curtis Jackson kohët e fundit duket se i është kthyer normalitetit dhe është ndër më të pasurit e industrisë së muzikës. Por më parë ai ka pasur shpesh probleme me ligjin. Ai është arrestuar në vitin 1994 në Nju Jork për shitje heroine.

Macaulay Culkin

Në filmin “I vetëm në shtëpi” ai shfaqet si një djalosh i ëmbël e i shkathët në gjendje për të fituar zemrën e kujtdo. Por në moshën 24-vjeçare, në shtator 2004 ai u arrestua pasi policia e ndaloi me substanca të ndaluara, për të cilat nuk kishte recetë nga mjeku. Ai qëndroi një kohë të shkurtër në burg.

Paris Hilton

Trashëgimtarja e famshme, e cila gjendet çdo ditë në kopertinat e revistave u bë më shumë se kurrë në qershor të këtij viti, kur ajo u dënua me 45 ditë burg pasi ngiste makinën në gjendje të dehur. Ajo kreu dënimin në burgun e femrave në Los Anxhelos dhe iu ul dënimi në 23 ditë për sjellje të mirë.

Carmen Electra

Carmen Electra (emri i vërtetë Tara Patrick) ka qenë një prej femrave të adhuruara në kohën kur seriali “Baywatch” ishte në majat e suksesit. Arrestimi i saj nuk ka ndodhur për konsumim të tepruar alkooli, por sepse në vitin 1999 qëlloi bashkëshortin e saj, yllin e “NBA”, Dennis Rodman.

Martin Luther King Jr.

Martin Luther King Jr. nuk është arrestuar për sjellje problematik personale, por më shumë për të sipërmarrjet e tij si aktivist. Në shkurt të vitit 1965 ai u arrestua pasi mori pjesë në bojkotin e autobusëve në Montgomeri. Fotoja e tij e arrestimit u gjet para tre vitesh rastësisht në zyrat e burgut.

Kelly

Këngëtari R. Kelly u bë i njohur me këngën “I believe I can fly” e pasuar me shumë hite të tjera. Pasi njohu shkëlqimin dhe famën në industrinë e muzikës menjëherë erdhi rënia dhe fama e tij ndërroi kah. Në janar të vitit 2001 ai u arrestua me 21 akuza për pornografi fëmijësh.

Tommy Lee

Ish-bashkëshorti i Pamela Anderson dhe këngëtari i rokut Tommy Lee ka qenë shpeshherë protagonist i incidenteve. Në tetor të vitit 1999 ai u arrestua pasi sulmoi dhe nxiti një zënkë që kishte elementë racistë. Pasi qëndroi një natë në burg ai u lirua dhe u dënua me 18 muaj me kusht.