Një tërmet 6.4 i shkallës rihter ka goditur Shqipërinë, numri i viktimave shkon ne 26, 350 i të lënduarve

Shqipëria u godit të martën, nga një tërmet u fuqishëm, me magnitudë 6.4, që tronditi thuajse të gjithë vendin, duke shkaktuar të paktën 21 viktima, dhe disa qindra të tjerë të plagosur. Dëme të shumta janë rregjistruar në ndërtesa, shtëpi dhe godina shërbimesh kryesisht në zonën e Durrësit, Thumanës dhe Tiranës. Mbi 40 persona u nxorrën nga rrënojat e banesave dhe pallateve të shembur nga lëkundjet e forta. Dita e nesërme është shpallur zi kombëtare. Në ndihmë të autoriteteve shqiptare kanë mbërritur ekipe të specializuara nga Kosova. Italia, Greqia e shumë vende të tjera që u solidarizuan menjëherë..

Ishte ora 3.54 e mëngjesit kur Shqipëria u shkund nga goditjet e frikshme të një tërmeti, i fortë për nga intensiteti dhe I shtrirë dhe në kohë, rreth 20-30 sekonda. Në harkun e pak minutave banorët jo vetëm në Tiranë, mbushën rrugët duke braktisur në panik, banesat e tyre. Mbi 250 pasgoditje disa gjithashtu të forta, të një magnitude mbi 5 gradë.

Me kalimin e minutave, ndërsa personat e parë ju drejtuan spitaleve, nisën të shfaqeshin dhe përmasat e dëmve që kishte shkaktuar. Me epiqendër pranë Durrësit, ky ishte qyteti ku dhe dëmet ishin më të mëdha, jo vetëm materiale, por që I morën jetën disa fëmijëve apo dhe të moshuarve. Për fat të keq 13 viktima janë pikërisht nga ky qytet, ku një pallat u shemb, sikundër dhe dy hotele në bvijën bregdetare apo dhe një vilë e madhe tre katëshe në zonën e kënetës, e cila fillimisht u anua në njërin krah dhe pas pak orësh u shemb e tëra.

Vatra e dytë me e goditur, ishte Thumana ku tre pallate të ndërtuara para viteve ’90 u shembën duke zënë në rrënoja disa banorë. Janë të paktën 7 viktima vetëm në Thumanë, ku për orë të tëra, ashtu si dhe në Durrës kanë vijuar operacionet e kërkim shpëtimit. Janë 44 persona të cilët u arrit të nxirren gjallë.

Disa qindra persona ndërkohë mbetën të lënduar dhe kërkuan ndihmën e shpejtë në spitale. Mbi 660 të plagosur u rregjistruan në spitalet e Durrësit dhe Tiranës, ndërsa disa dhjetra u mbajtën nën mbikqyrjen e mjekëve.

Pikërisht nga Spitali i Traumës, kryeministri Edi Rama njoftoi vendimin për të shpallur ditën e nesërme një ditë zie kombëtare. “Do të jetë dhe një ditë për të filluar realizimin e gjithë procesit të kalimit të njerëzve që janë sot në qiell të hapur e që do e kalojnë natën në tenda, se nuk përballojnë dot një tavan mbi kokë, drejt një infrastrukturë tjetër”, tha kryeministri, i cili më herët kishte njoftuar se “qeveria do të nënshkruajë një marrëveshje me strukturat hoteliere të Durrësit, Kavajës dhe edhe Vlorës po të jetë nevoja. Dimri nuk kalohet dot as nën qiell të hapur e as në tenda, prandaj, që të gjitha familjet e mbetura pa çati, të strehohen në kushte optimale, të shërbehen në kushte optimale, t’i kalojnë edhe festat e fundvitit në kushte optimale bashkë me fëmijët e tyre, ndërsa këta të fundit jo vetëm të mos jenë të detyruar të braktisin shkollën asnjë ditë, po edhe të mësojnë në kushte optimale”.

Në terren gjatë gjithë ditës, ka qenë sot në zonat e prekura nga tërmeti dhe presidenti Ilir Meta, sikundër edhe Kryetari demokrat Lulzim Basha i cili gjithashtu vizitoi zonat më të dëmtuara dhe vuri theksin te nevoja e solidaritetit njerëzor, duke nënvizuar se në një ditë si kjo politika nuk ka vend e duke i propozuar kryeministrit shpalljen e gjendjes së emergjencës për të mjekuar të dëmtuarit, për të inventarizuar dëmtimet, për të mirëmenaxhuar panikun dhe pasojat e tërmetit. Por për kryeministrin Edi Rama “akti formal i gjendjes së jashtëzakonshme nuk sjell më shumë seç ka sjellë gjithë ky solidaritet. Megjithatë, nesër është dita për të menduar për të gjitha”.

Ndërsa vëmendja kryesore gjatë gjithë ditës ka qenë te shpëtimi i njerëzve të zënë si në grackë nga shembja e banesave, nuk ka ende një bilanc publik për dëmet e krijuara. “Eshtë e pamundur në këtë moment, kur të gjitha energjitë janë përqëndruar në operacionet e kërkim – shpëtimit, që të kemi një panoramë të detajuar të dëmeve”, tha ministrja e Mbrojtjes Xhaçka, duke nënvizuar se “dëmet janë të mëdha, këtë e dimë. Ky ishte tërmeti më i forte që ka përjetuar vendi ynë që prej vitit 1979″.

Forcat e ushtrisë kanë ngritur deri më tani disa qendra me çadra që mund të strehojnë deri në 1000 vetë. “Pranë stadiumit në Durrës dhe fushës së sportit në Thumanë janë ngritur 300 çadra për strehimin e afro 1 mijë banorëve. Gjithashtu Shtëpia e Pushimit të Ushtrisë në Durrës me kapacitet 200 persona është në dispozicion të banorëve në vështirësi. Janë 90 palestra në Tiranë, Durrës, Krujë e Lezhë te cilat po pershtaten per te akomoduar familjet e pastreha në rast nevoje. Krahas kapaciteteve akodomuese të siguruara nga pushteti vendor dhe ai qendror, janë shumë hotele në Vlorë, Durrës e Tiranë te cilat, ne shenjë solidariteti, kanë ofruar strehim e trajtim për çdo bashkëqytetar në vështirësi”, bëri të ditur ministrja. Në Tiranë bashkia ka ofruar disa qendra sociale si dhe 20 hotele që kanë shprehur gatishmëri për të pritur të prekurit për të kaluar natën, me gjasë nën ankthin e momenteve të tmerrit që u përjetua këtë të martë.

Operacioni i shpëtimit

Në një kohë kur disa persona në Thumanë rezultojnë ende të zhdukur nën rrënojat e pallateve të shembur nga tërmeti, forcat e kërkim shpëtimit vijojnë punën në terren për gjetjen e tyre. Këtyre forcave iu janë bashkuar afër mesditës edhe homologët e tyre nga Kosova, të cilët kishin ardhur të përgatitur me një “arsenal” pajisjesh, ku përveç një qeni të specializuar për aksione të tilla, për të bërë të mundur gjetjen e personave nën rrënoja, forcat e shpëtimit nga Kosova kishin me vete edhe një aparaturë termike. Kjo e fundit bën të mundur që përmes programit të lokalizojë nxehtësinë trupore, duke lehtësuar kështu procesin e gjetjes së personave nën rrënoja. Një mrekulli në mes të tragjedisë ka ndodhur para pak minutave në Shqipëri. 17 vjeçari Ramë Lala është shpëtuar duke u nxjerrë nga rrënojat ku kishte mbetur si pasojë e shembjes së banesës te Këneta nga tërmeti. Pas nxjerrjes 17 vjeçari është transportuar për ndihmë në spital, kurse që në momentin që u nxor nga aty, 17 vjeçari kërkoi nënën “ku është mami”?, u shpreh ai. Nga banesa katër katëshe e familjes Lala me origjinë nga Peshkopia, janë nxjerrë të pajetë dy persona, Sadete dhe Ilir Lala. Në këtë banesë jetonin tre kurora të së njëjtës familje. Ndryshe për të nxjerrë nga banesa Ramë-n ndërhyri Policia e Kosovës në mënyrë fantastike. Kosova ka dërguar pjesëtarë të FSK-së, të Policisë si dhe të zjarrfikësve për të ndihmuar Shqipërinë në këtë ditë shumë të vështirë.

Presidenti Thaçi: E mërkura, ditë zie në Kosovë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur të mërkurën, 27 nëntor 2019, ditë zie në Kosovë, në nderim të viktimave që humbën jetën nga tërmeti i djeshëm në Republikën e Shqipërisë. “Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, dita e mërkurë, 27 nëntor 2019, shpallet ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmetit në Shqipëri, i cili la dhjetëra persona të vdekur dhe shumë të lënduar”. Me vendim të presidentit Thaçi, flamujt shtetëror ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Bashkimi Europian mobilizon mbështetjen e emergjencës pas tërmeteve në Shqipëri

Pas tërmetit me magnitudë 6.3 dhe goditjeve të mëpasme që përfshinë Shqipërinë më 26 nëntor, Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i BE-së u aktivizua me kërkesën e autoriteteve shqiptare. Bashkimi Evropian tashmë ka ndihmuar për mobilizimin e 3 ekipeve të kërkimit dhe shpëtimit, të cilët do të dislokohen në Shqipëri për t’i ndihmuar autoritetet shqiptare me operacionet e tyre të kërkimit dhe shpëtimit. “Bashkimi Evropian qëndron pranë Shqipërisë në këtë kohë të vështirë. Ekipet e kërkimit dhe shpëtimit nga Italia, Greqia dhe Rumania tashmë janë rrugës. Veç kësaj, dëshiroj të falënderoj Hungarinë, Gjermaninë, Kroacinë, Francën, Estoninë, Republikën Çeke dhe Turqinë për ofertat e tyre të ndihmës përmes Mekanizmit Evropian për Mbrojtjen Civile. Mendimet e mia janë me viktimat dhe të gjithë njerëzit e prekur nga katastrofa“, tha Komisioneri për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave Christos Stylianides. Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, deklaroi mëngjesin e djeshëm: “Jemi thellësisht të pikëlluar nga humbja e jetëve dhe shkatërrimi i shkaktuar nga tërmeti i sotëm (djeshëm). Zemrat tona janë me popullin shqiptar dhe të gjitha familjet e prekura nga kjo tragjedi. Delegacioni i BE-së është pranë popullit shqiptar dhe mbetet në kontakt me autoritetet për të ofruar ndihmë”.

Më herët këtë mëngjes, Komisioneri Stylianides foli në telefon me Presidentin e Shqipërisë, z. Ilir Meta, dhe riafirmoi solidaritetin dhe gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar. Është aktivizuar sistemi Kopernik për prodhimin e pamjeve satelitore të zonave të prekura dhe Qendra 24/7 e Koordinimit për Reagimin ndaj Emergjencave e Bashkimit Evropian është në kontakt me autoritetet shqiptare dhe vazhdon të monitorojë situatën. Asete shtesë të BE-së janë në gatishmëri, nëse do të duhen. BE-ja gjithashtu do të dislokojë një Ekip të Mbrojtjes Civile për t’i ndihmuar autoritetet të koordinojnë reagimin dhe për të vlerësuar dëmet. Për situatën e tërmeteve në Shqipëri ka reaguar edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, e cila së bashku me Komisionerin Christos Stylianides, thanë se BE-ja është në solidaritet me Shqipërinë dhe është i gatshëm të ofrojë ndihmë, përfshirë edhe përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile. “Në vazhdën e tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë herët në mëngjes, duke shkaktuar humbjen e disa jetëve dhe duke plagosur shumë më të tjerë, ne i shprehim ngushëllimet tona të thella popullit dhe autoriteteve të vendit. Bashkimi Evropian është në solidaritet me Shqipërinë dhe është i gatshëm të ofrojë ndihmë, përfshirë edhe përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile. Ne jemi në kontakt me autoritetet shqiptare për të parë se si mund të ndihmojmë sa më mirë në këtë moment të vështirë. Jemi shumë të pikëlluar nga humbja e jetëve dhe shkatërrimi i shkaktuar nga tërmeti shkatërrimtar. Zemrat tona janë me popullin shqiptar dhe të gjitha familje e prekura nga kjo tragjedi. Delegacioni i BE-së qëndron pranë popullit shqiptar dhe mbetet në kontakt me autoritetet për të ofruar ndihmë”, thanë në deklaratën e përbashkët të Mogherinit dhe Stylianides.

Kroacia sjell qentë zbulues në Shqipëri

Pas tërmetit të rëndë në Shqipëri, edhe Kroacia ka ofruar ndihmë për këtë vend. Para se gjithash, shteti kroat do të dërgojë qentë zbulues, të cilët janë të mësuar për gjetjen e personave nën rrënoja, si dhe do të bëjë dërgimin e tendave për strehimin e atyre që kanë mbetur pa kulm mbi kokë. Ndihma do të shkojë direkt për Durrësin, i cili është goditur më së shumti nga katastrofa.

Tragjedia në Shqipëri, Cipras: Pas tërmetit, mendimet tona shkojnë për popullin shqiptar

Ish kryeministri grek Aleksis Tsipras ka shprehur solidaritetin e tij, pas situatës tragjike në Shqipëri, të krijuar pas goditjes tragjike të tërmetit, ku deri më tani kanë humbur jetën 12 viktima. Me një postim në dy gjuhë, anglisht dhe në shqip në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Tëitter”, ish- kryeministri Tsipras shkruan se në këto orë të vështira, mendimet shkojnë për popullin shqiptar. “Në këto orë të vështira, mendimet tona shkojnë për popullin shqiptar”, tha dje në reagimin e tij, ish-kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras.

Qeveria e Maqedonisë jep 100 mijë euro për Shqipërinë

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do japë një shumë prej 6 milionë denarëve ose 100 mijë euro si ndihmë fillestare për Shqipërinë pas tërmetit tragjik. Vendimi u mor në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Nga Qeveria gjithashtu bëjnë të ditur se një ekip prej rreth 30 personave do të dërgohen në Shqipëri për të marrë pjesë në operacionet e shpëtimit dhe të  ndihmës së parë në zonat e prekura.

Avionë me 52 efektivë specialë nga Rumania, skuadra nga 7 shtete drejt Shqipërisë

Rumania ka nisur që nga dita e djeshme ndihmat e para për Shqipërinë, e cila u godit nga një tërmet i fuqishëm 6.3 ballë në orët e para të mëngjesit. Lajmin e bëri të ditur kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili deklaroi dje se Rumani ka nisur drejt Shqipërisë një avion me 52 efektivë specialë për situata emergjencash civile dhe furnizime për përballimin e kësaj situate shumë të vështirë. “Solidariteti me Shqipërinë vijon. Qeveria e Rumanisë nis pas pak minutash një avion me 52 efektivë specialë për situata emergjencash civile dhe furnizime për përballimin e kësaj situate shumë të vështirë. Kurajo, Durim, Solidaritet”, u shpreh Balla.

SHBA: Jemi pranë miqve tanë në Shqipëri, gati për të ofruar mbështetjen tonë

Ambasada amerikane në Tiranë ka shprehur në emër të SHBA-ve ngushëllimet për familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, ambasada shkruan se Shtetet e Bashkuara janë pranë miqve tanë në Shqipëri dhe se vijojmë të ndjekim situatën nga afër dhe jemi në gatishmëri për të ofruar mbështetjen tonë. “Shtetet e Bashkuara shprehin ngushëllimet më të thella për të gjitha familjet dhe komunitetet e prekura nga tërmeti. Shtetet e Bashkuara janë pranë miqve tanë në Shqipëri, ashtu si amerikanët dhe shqiptarët kanë qëndruar gjithnjë pranë njëri-tjetrit në kohë të vështira. Ne vijojmë të ndjekim situatën nga afër dhe jemi në gatishmëri për të ofruar mbështetjen tonë”, tha dje në reagimin e saj, ambasada amerikane.

Mbërrin grupi prej 27 vetësh të Njësisë Speciale të Përballimit të Fatkeqësive, EMAK

Në kuadrin e ndihmës që Greqia i akordon Shqipërisë, mbërriti në Tiranë, avioni C-130, me një grup prej 27 vetësh të Njësisë Speciale të Përballimit të Fatkeqësive, EMAK, me qëllim që të ndihmojnë në përpjekjet që bëhen për kërkimin dhe shpëtimin në zona që u goditën prej tërmetit të sotëm në Shqipëri. “Pasi u ra dakort me autoritetet Shqiptare, Njësia i është drejtuar Durrësit. Së bashku me njësinë vijnë dhe dy qenë si dhe një automjet. Gjithashtu nga Janina u nisën në rrugë tokësore dhe kanë mbërritur në Shqipëri, 15 veta nga Njësia EMAK së bashku me dy automjete për transport personeli dhe një automjet për transport pajisjesh sizmike. Grupi nga Janina i drejtohet Thumanës”, njoftoi dje ambasada e Greqisë në Tiranë.

Në ndihmë të forcave shqiptare vijnë dhe specialistët e Mbrojtjes Civile nga Italia

Mesditën e djeshme mbërriti në aeroportin e Rinasit ekipi i specialistëve nga Mbrojtja Civile italiane, ndërsa janë nisur drejt Durrësit e Thumanës, që janë zonat më të prekura nga tërmeti. Kryeministri Rama ka marrë mbështetje nga kancerlarja e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila ka aktivizuar emergjente gjermane. Kryeministri italian Giuseppe Conte, ai grek Kyriakos Mitsotakis, presidenti Macron dhe Erdogan, Vuçiç, kryeministri i Greqisë, i Bullgarisë, e shumë të tjerë kanë nisur ekipet e tyre të emergjencës drejt Shqipërisë.