NIS SEZONI I PUSHIMEVE/ Shëngjin, kosovarët me numrin më të lartë të rezervimeve; shtohen turistët e huaj

Në Shëngjin turistët kanë rezervuar më herët, duke shmangur kështu periudhën e fluksit të përvitshëm.

Përgatitjet në kohë për sezonin turistik kanë bërë që ky interes të jetë më i lartë se në vitet e shkuara. Sipas të dhënave nga hoteleritë e Shëngjinit, kosovarët përbëjnë numrin më të lartë të këtyre rezervimeve, por shihet tendencë në rritje edhe për prenotime nga turistët e huaj.

Të shumtë janë hoteleritë që edhe në këtë periudhë kanë një fluks të kënaqshëm turistësh të akomoduar. Rezervimet e shpejta kanë bërë që Shëngjini të shohë me perspektivë për të ndërhyrë akoma më herët në ofrimin e shërbimeve përgjatë bregdetit për vitin e ardhshëm. Impakti i menjëhershëm ka bërë që zgjatja e sezonit të konceptohet si hapje e hershme e sezonit dhe shërbime më të mira për vizitorët dhe turistët.

Shengjini nje atraksion i preferuar

Gjiret e vegjël me rërë të pastër, uji i kthjellët si kristali, kurora malore me pisha që u qëndron mbi krye, lagunat aty pranë i bëjnë plazhet e Shëngjinit ndër më të veçantët dhe më të frekuentuarit në Shqipëri

Për rreth 25 km nga bregu perëndimor i komunës së Taljes deri në kufi me Shkodrën janë vendosur disa plazhe si ai i Vainit, i Shëngjinit, i zonës së Rencit dhe Rërës së Hedhur. Kohët e fundit kanë filluar të shfrytëzohen edhe plazhet e Rrencit e të Rërës së Hedhur që janë nga më të bukurat në Shqipëri. Gjiret e vogla me rërë të pastër, uji i kthjellët si kristali, kurora malore me pisha që u qëndron mbi krye, i bëjnë këto plazhe nga më atraktivet për pushuesit. Në këtë zonë rëra ngjitet lart në mal mbi 60 metra duke u bërë kështu duna ranore më e madhe në Ballkan e Europë. Pra kjo është një nga gjërat më të veçanta që e ka vetëm Shëngjini. Bien në sy në këto zona toponimet e ndryshme si Guri i Çamë, Shkalla e Ujk Kolës dhe shpella pranë saj, Guri i Peshkatarit ose Guri i Marka Nikës, Shkëmbi i Laçit, etj., të cilat ja shtojnë kureshtjen dhe kënaqësinë vizitorit. Këto i kanë shërbyer popullsisë së kësaj zone dhe secili toponim ka një histori më vete. Kështu bie fjala: Guri i Marka Nikës e ka marrë këtë emër pasi Marka Nika ka qenë një nga peshkatarët më të vjetër  të kësaj zone. Ai vëzhgonte detin nga maja e gurit dhe prej aty orientonte shokët e tij peshkatarë që të dilnin me shpejtësi në det e të hidhnin rrjetat, nga kalonin masat e peshkut.

Shëngjini përbën plazhin kryesor të kësaj zone. Ai është i futur në brendësi të tokës, çfarë e bën të mbrojtur nga erërat. Shëngjini është një prej plazheve më të përmendur të Veriut të Shqipërisë, i njohur veçanërisht për kualitetin e rërës. Gjendet 8 km larg qytetit të Lezhës. Ndikim të rëndësishëm për përmirësimin e klimës dhe ruajtjen e pastër të plazhit kanë dhënë edhe skalierat që janë ndërtuar kohët e fundit të cilat e ruajnë atë veçanërisht nga mbeturinat që krijon Porti. Këtu ka 200-300 ditë me diell në vit.

Shëngjini, për vetë kushtet që ka, ofron si të veçantë edhe gjuetinë në rezerva të posaçme, si dhe peshkimin me natyrë sportive, por edhe për biznes, kryesisht në det, si dhe në ujërat e lagunave të Kenalles, Kunes, Merxhanit e Vainit. Shoqata e Gjuetarëve të Lezhes ka krijuar marrëdhënie të rregullta me shoqata gjuetarësh të vendeve fqinje, të cilët frekuentojnë gjithnjë e me shpesh Shëngjinin, gjë që tregon se kjo formë e turizmit është një mundësi tjetër për zhvillimin e kësaj zone me tradita në këtë fushë.

Nje ure prej druri ne lagunen e Kunes, ne Shengjin te Lezhes./r/n/r/nA wooden bridge in the lagoon of Kune, in Shengjin.

Plazhi i Shëngjinit, ku fluksi ditor i pushuesve varjon nga 40 000 (në ditë të zakonshme) deri në 90 000 (në fundjavë). Pushuesit janë kryesisht nga tre rrethet e Qarkut Lezhë, por edhe nga Shkodra, Kruja dhe kryeqyteti. Rruga e Kombit, Durrës-Kukës-Morinë, ka rritur me 30 % numrin e pushuesve kosovarë dhe shqiptarëve të Maqedonisë. Në plazhin ranor, që ofron Shëngjini me shëtitoren e re dhe një varg investimesh në gjithë infrastrukturën e bregut, turizmi sa vjen dhe njeh zhvillim të vrullshëm. Pastërtia e detit, ajri i pastër si dhe qetësia që ofron ky plazh përthith çdo vit e më shumë turistë të huaj dhe vendas, të cilët shprehen të kënaqur nga shërbimet e ofruara. Njësitë akomoduese, të cilat ofrojnë një shërbim cilësor, shtrihen në një pjesë të madhe të gjatësisë së plazhit. Këto janë ndërtime të viteve të fundit dhe nuk mungojnë baret, restorantet, diskot etj, të cilat plotësojnë më së miri kënaqësitë e turistëve. Plazhi i Shëngjinit me disa pika pothuajse të virgjëra është një premisë për ndërtimin e fshatrave turistikë, të cilat kanë nisur të ndërtohen me iniciativa private.

Në Shëngjin janë ndërtuar shumë hotele, restorante dhe shtëpi banimi, çfarë e ka rritur shumë kapacitetin dhe kanë përmirësuar kushtet e pushuesve.

Në Shëngjin vihet për diellin, për detin e rërën, për bukuritë e rralla, që natyra u ka dhuruar banorëve mikpritës e të shoqërueshëm. Rripi i gjerë i rërës së pastër, nga njëra anë kufizohet me detin dhe nga ana tjetër me pyllin e rrallë me pisha e drurë të tjerë. Një rrip i ngushtë rërë me bimësi, ndan ujërat e cekëta bregdetare me lagunat.

Shëngjini është hapur së tepërmi kohët e fundit qoftë si plazh, por edhe si port me perspektivë. Lidhja e Shëngjinit me Lezhën ka qenë gjithmonë jetike, qoftë si ekonomi dhe zhvillim, qoftë si rrugë lidhje me qytete të tjerë, qoftë si plazh dhe histori.

Larmishmëria e llojeve të peshkut dhe të shpendëve ka bërë që edhe mënyra e gatimit të tyre të ndryshojë dhe të rritet cilësisht. Megjithatë, më i miri ngelet gatimi tradicional, që gjendet në të gjithë lokalet dhe hotelet e zonës.