Nis mobilizimi kundër Bashës, ish-nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi mbledh ish-krerët e PD-së Ridvan Bide, Genc Rulin: Debati në Kryesi tregon degradim

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka reaguar pas mbledhjes së Kryesisë së PD, të zhvilluar mbrëmjen e së enjtes, ku përplasja mes demokratëve degjeneroi dhe në përplasje fizike mes anëtarëve të Kryesisë së PD-së. Kritiku më i ashpër i Lulzim Bashës e ka cilësuar mbledhjen e Kryesisë një pasqyrë të shëmtuar të degradimit të PD. Duke folur për media, Patozi tha se Basha tregoi se ka mentalitet bolshevik dhe se pranon një kasolle familjare, sesa një gradaçelë. “Mbledhja e djeshme e kryesisë pasqyrë e shëmtuar e degradimit të PD-së në drejtimin e Bashës. Jo vetëm se pati debat, por cilësia dhe përmbajtja problemi. Basha tregoi se ka mentalitet bolshevik. Dje la të kuptohej se pranon një kasolle familjare, sesa një gradaçelë. Është nevojë e anëtarësisë së PD-së për t’u përfaqësuar. S’kemi pritur aspak që Basha të vepronte ndryshe. Nuk na zhgënjeu, ne do i imponohemi. PD mund të jetë e vetmja parti në botë që bën zgjedhje, pastaj analizë. Dje u la të kuptohet se nuk është problem as kryetari i partisë dhe as lidershpipi, por anëtarët. Ne do të imponohemi me gjithë forcën tonë. Nëse Basha nuk e pranon realitetin, do jetë përgjegjësi e tij jo vetëm për katastrofën elektorale, por edhe për shkatërrimin e asaj që ka mbetur nga kjo parti. Ne do e detyrojmë Bashën që të mbajë një qëndrim tjetër”, tha Patozi. Pak orë pas kësaj deklarate, ish-numri 2 i selisë blu do të reagonte sërish me anë të një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin e tij social “Facebook”, duke publikuar dhe videon që reagoi më herët në një deklaratë për media ku është shprehur se Basha ndihet mirë në një kasolle, dhe se nuk do një gradaçelë. Astrit Patozi, ka shprehur shqetësimet e tij për atë për gjithë sa ndodhi dje në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike. “Duhet të ndalim degradimin e mëtejshëm të PD. Basha po kërkon t’ia faturojë anëtarësisë përgjegjësinë për humbjet. Për të është më mirë një kasolle, ku është pronar i vetëm, se sa një gradaçel, ku ka edhe aksionarë të tjerë”, shkruan Patozi. Për Patozin nuk është e qartë akoma sesi do të vijë ky imponim nga brenda Partisë Demokratike, sepse kundërshtarët e Bashës nuk kanë asnjë plan tani për të krijuar një parti të re. “Ne do i imponohemi me forcën tonë, kam bindjen se demokratët janë të shumtë që duam një parti tjetër demokratike. Ne do imponohemi me presionin që anëtarësia e PD do e detyrojë zotin Basha të mbajë një qëndrim tjetër”, deklaroi Patozi. Përpara mbajtjes së këtij qëndrimi, Astrit Patozi u konsultua me ish-drejtuesit demokratë Ridvan Bode dhe Genc Ruli, si dhe me anëtarë të Kryesisë së Partisë Demokratike.