Nikë Bunjaj, kelmendasi i shquar i penës dhe i parmendës së dijes

Malsia e Madhe është një trevë e pasur; me histori, me tradita, me vlera të jashtëzakonshme të promovimit të vetëdijes kombëtare, sikurse me shembullin e spikatur në memorin e kohës, të të gjithë atyre që, me vepër dhe kontribut, me vlera dhe dinjitet, me trimëri dhe urtësi, e lartësuan Malsinë në piedestalin e krenarisë të mirënjohjes.
Në mes gjithë atyre emrave që udhëshkruan lavdinë e Malsisë së Madhe, një vend të veçantë zënë personalitetet e dijes dhe krijimit, ku padyshim për tu veçuar është roli dhe angazhimi i Nikë Bunjaj, kelmendasi i shquar e penës dhe i parmendës së dijes.
Ai nuk është më mes nesh prej afro një viti, por emri që la, përkushtimi që dha, vepra që shkroi, nderimet dhe vlerësimet që mori, mbeten sot dhe përgjithmonë si pjesë e së tërës së këtij personaliteti të spikatur të Malsisë së Madhe dhe Kelmendit.
Sikurse edhe mund ta dini, Nikë Bunjaj, ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, dega Gjuhë-Letërsi dhe Filozofi, për të vijuar me specializimin pasuniversitar për Filozofi. Mbante gradën shkencore, “Doktor i Shkencave”.
Më mirë se asgjë tjetër për veprën dhe vlerat që ai la si themelet e një krenarie që kemi legjitimitetin të mburremi është kolona e pasur e krijimtarisë që la trashëgim, Nikë Bunjaj.
Përveç shkrimeve shkencore e pedagogjike, ka botuar edhe një seri librash me karakter letrar dhe historik si: “Dritë në Malësi”, tregime e përshkrime; “Heroi që lindi në çerdhen e lirisë”, monografi; “Nora e Kelmendit”, poezi; “Zemra e nënës”, roman; “Agjenturat dhe agjentët”, roman; “Nora e Kelmendit”, monografi; “Shqipëria në mes jetës a vdekjes”, publicistikë’ “Vëllim me vjersha e poema” (Lotët që s’thahen); “Zhvillimi historik i tre feve kryesore”, “Deri kur…?!”, roman; “Mbretëresha me zemër e shpirt shqiptar”, monografi; “Emigracioni dhe emigrantet”, roman; “Dashuri, vuajtje dhe shpresë”, roman; “Na lini pak atdhe”, tregime të zgjedhura; “Zemra e nënës ribotim me shtesa e përmirësime”, kushtuar luftës heroike të Popullit të Kosovës, 1998-1999; “Nusja me vellon e lirisë”, monografi; “Dashuri, vuajtje dhe shprese”, ribotim, duke shtuar edhe një kapitull; “Një histori e çuditshme e një gruaje 117-vjeçare”, monografi; “Agjentura dhe agjentët”, ribotim me një kapitull shtese, roman; “Libri me poema e poezi”, kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare; “Libri me tregime të jetuara”, përshkrime e reportazhe të shkruara ndër vite…
Përmes një kolane të tillë krijimtarie, kaq të larmishme dhe të bollshme, ne arrijmë të konturojmë profilin e një personaliteti me vlera të jashtëzakonshme, të një intelektuali me një përgjegjësi të lartë kombëtare, e cila reflekton në tematikën e krijimtarisë dhe trajtesave të tij, e cila është në vetvete një lëmë i pasur për historinë tonë, për traditat dhe pasurinë tonë. Ajo është gjithashtu një bagazh dijeje dhe ndërgjegjësimi për brezin e ri, ata që do të vijnë për të qenë pasues dhe vazhdues të kësaj tradite, të këtij përkushtimi, të këtij shpirti të paepur të punës dhe vlerave.
Gjithë ky angazhim krijues, kjo vepër e bollshme dhe e pasur, natyrshëm nuk ka mundur të iki pa marrë vëmendje dhe vlerësime. Për Nikë Bunjaj, janë shkruar disa shkrime, janë bërë shumë vlerësime nga shkrimtarë, historianë e gazetarë, brenda e jashtë vendit, duke e cilësuar si shkrimtarin më të suksesshëm, kryesisht këto njëzetë vitet e fundit. Veprat e tij janë shitur me tirazh të larta, si brenda dhe jashtë vendit.
Para katër vitesh, Nikë Bunjaj, ishte nderuar me titujt e lartë, “Mirënjohja” dhe “Qytetar Nderi”, dhënë nga këshilli i komunës Kelmend. Po kështu, në dhjetor të vitit 2012, këshilli i komunës së Bushatit, i ka dhënë titujt, “Mirënjohja e komunës” dhe “Qytetar nderi” me këtë motivacion: “Për merita të veçanta civile, në fushën e krijimtarisë letrare, për zhvillimin dhe promovimin e kulturës, traditës dhe vlerave letrare dhe artistike”. Gjatë viteve të jetës së tij, si para dhe pas viteve ’90, Nikë Bunjaj është nderuar me pesë dekorata, dhënë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe më vonë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Ky është kelmendasi, Nikë Bunjaj, ky është ai emër i mëkuar me vlera dhe nderim që ai la, kjo është ajo vepër cilësore që ai i’a besoi gjeneratës sonë, si një testament, si një gurë kilometrik i rrugëtimit krenues të traditës së Malsisë së Madhe.
Çdo libër që ai shkroi dhe tematikë që trajtoi me penë, zemër dhe me shpirt të pasuruar me dritë e dashuri; çdo përvojë që ai la si një kontribut në shenjtërimin e mësuesit, mëkuesit të dijes dhe përçuesit të aspiratave të larta sociale, çdo vepër e dinjitetit njerëzorë që ai ofroi si një obligim për ëndrrën e madhe të qytetarisë dhe progresit, çdo gjë që ai la në kujtesën e të afërmve, miqve, kolegëve, admiruesve, malsorëve krejt ku janë, është gjëja më e vlertë që ai dhuroi si shpërblim, për jetën që e mbushim me vepër dhe me vlera.
Zani i Malsisë