Nga SHBA autoblinda për ushtrinë shqiptare. Shqipëria është “një nga katër aleatët e NATO-s në Europë që merr këto makina të avancuara”

Në Shqipëri kanë mbërritur 6 automjetet e para të blinduara, pjesë e 248 mjeteve të tilla që Qeveria amerikane i ka ofruar në formë dhurate për ushtrinë shqiptare. Në total vlera e tyre shkon në 12 milion dollarë.

Shqipëria është “një nga katër aleatët e NATO-s në Europë që merr këto makina të avancuara”, u shpreh ambasadori amerikan Donald Lu në ceremoninë e marrjes në dorëzim të automjeteve nga autoritetet shqiptare. Ambasadori amerikan theksoi se qeveria e SHBA-ve është e përkushtuar të forcojë aftësitë e ushtrisë shqiptare si aleat i NATO-s. “Kjo aftësi e re do të jetë një hap vendimtar që Forcat e Armatosura të Shqipërisë të arrijnë objektivin parësor të NATO-s që të kenë një grup këmbësorie të modernizuar plotësisht operacional dhe autonom deri në 2019”, deklaroi ambasadori Lu.

Për ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli “në rritjen e standardeve të Forcave të Armatosura, këto mjete janë pjesë e paketës së mjeteve të blinduara, një projekt të cilin ne e nisëm së bashku që në vitin 2015. Kjo ndihmë vjen absolutisht në kohën e duhur, në momentin kur Batalioni i Dytë i Këmbësorisë po rrit ndjeshëm angazhimet në kuadër të Aleancës dhe kjo do të ndikojë cilësisht në përmbushjen e detyrimeve dhe objektivave e kapaciteteve” deklaroi ministrja Kodheli duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara janë “një aleat dhe mik strategjik i Shqipërisë.

Automjetet e blinduara për transport janë të markës HMMWV 1114 dhe kanë shpejtësi maksimale 125 km/h, kapacitet mbajtës 1+3+1 pushkatar, peshojnë 6 ton si dhe kanë autonomi lëvizjeje 443 km. Mjetet e blinduara janë të pajisura me sistem të mbajtjes së armëve mitraloz të rëndë dhe mitraloz të lehtë si dhe granatëhedhës. VOA