Nga gojdhëna te kënga. Kënga hap arkivat vjeneze

Prej vitesh kisha dëgjuar për një figurë mjaft të rëndësishme të Bajrakut të Spaçit, por edhe të krejt Mirditës. Flitej në oda e në biseda të vjetrish gjithnjë me frikë, pasi edhe pse Zef Ndoc Ndreca  ishte vrarë nga rregjimi i Zogut, dy djemtë e tij Ndue e Gjon Zef Ndoci të rritur jetimë, në vitin 1949 u arratisën nga Shqipëria duke qëndruar në egzil politik deri me rrëzimin e rregjimit komunist. Por edhe se vitet bënin punën e tyre, vargjet e një kënge që mezi mbahej mend nga mosha të vjetra do të thonin diçka. Përmes atyre vargjeve ndërtohej një histori sido që shfaqej si një vegim që nuk donte të “dorëzohej” ndoshta si një amanet kontributi të pa vlerësuar. E në këtë mëdyshje historike mes dilemash për mungesë dokumentacioni, por vetëm duke u bazuar në gojdhëna u vendos që Zef Ndoc Ndrecës ti ngrihej “piedestali” i munguar për shumë dekada.

Ne gjurmet e vargjeve drejt një kenge “Hit”

Për muaj me rradhë u punua për renditjen e vargjeve të vjetra të ruajtuara në memorjen e shumë burrave të vjetër. Ato vargje që u mblodhën në formë skeleti poetik thonin diçka, por gjithësesi kohët kishin ndryshuar.
U mjaftua vullneti dhe penda e artë e poetit mirditas Viktor Gjikolaj, i cili në një kohë të shkurtër renditi vargjet plot kuptim për figurën dhe aktivitetin e Zef Ndoc Ndrecës së Spaçit. Vargjet u “shtrine” në notat muzikore të maestro Kol Susaj, nën  orkestrimin e artistit të mirnjohur muzikolog Edmond Zhulali, e natyrisht kënga mori jehonë nga zëri brilant i këngëtarit të mirnjohur mirditas, Gjin Dona. Në kohë rekord ajo pushtoi hapësirën shqiptarëve kudo në botë përmes televizioneve dhe internetit, duke shënuar një numër të konsiderueshëm shkarkimesh, ndërkohë që gjithnjë e më shumë kjo këngë këndohet në dasma dhe gëzime familjare në Mirditë, por edhe në zonat mirditase në Kosovë.

Jehona e këngës “çan” arkivat e Vjenës…

Pikërisht vargjet të tilla si  “Krah për krah o me krerë të Shqipërisë, bash në Vienë o të Austrisë, Zef Ndoc Ndreca rreshpja e malit, dekoratën merr prej Krajlit”  kanë tërhequr vëmendjen një studiuesi të pa lodhur shqiptar, Pjetër Logoreci nga Shkodra, por që prej vitesh jeton dhe punon në Vienë të Austrisë. Pjetër Logoreci pa dyshim si historian dhe gjurmues i pa lodhur i arkivave është njeriu që ka meritën historike për gjetjen dhe sjelljen në atdhe të eshtrave të bashkthemeluesit të shtetit shqiptar, Dom Nikoll Kaçorrit.
Teksa dëgjonte këtë këngë më drejtohet përmes emaileve duke më thënë se çfar dëgjon në tekstin e këngës është e vërtetë, pasi Zef  Ndoc Ndreca është i “gjallë” në arkivën e Vienës, madje për kontributin e tij për Shqipërinë shkruhet shumë, duke evidentuar faktin se ishte njeri i shkolluar pikërisht në Vienë. Nga dokumentat vërtetohet se ai ka qënë një politikan i njohur, bashkpunëtor dhe krahu i djathtë i kapedanit të Mirditës.
Por z. Logoreci thotë që ajo çfar i ka bërë më shumë përshtypje është dokumentimi i plotë nga kronikanët e kohës i një vizite të gjithë krerëve të Shqipërisë, ndër  ta edhe Zef Ndoci në Vienë, ku ishin pritur nga Krajli i Austrisë.
E gjithë kjo vizitë e 34 burrave më në zë të Shqipërisë ka nisur më 17 prill të vitit 1917 dhe është pasqyruar në shtypin e kohës austriak nga kronikani perandorak Leo Freundlich. Sipas shtypit që përcillet në dokumentat historike që ndodhen në muzeun e Vienës, delegacioni shqiptar u prit në stacionin hekurudhor në Vienë nga shumë personalitete diplomatike dhe ushtarake.
Përpara se delegacioni të mbërrinte në Vjenë shtypi perandorak kishte bërë një biografi të shkurtër për secilin pjestarë delegacioni.

Ja çfar shkruhej për Zef Ndoc Ndrecën në gazetën austriake nga gazetari Freundlich:

“12. Zef Ndoci vojvoda (plaku i bajrakut i plotfuqishwm nw vendimarrje)  i Spaçit (i biri i Ndoc Ndrecës, komandant i Mirditës në kohën e turkut) ka qenë për shumë vjet mësues në famullinë e Spaçit. Mori pjesë aktive në qëndresën kundër turqve, në luftën kundër serbëve dhe kundër Esad Pashës, të cilit i shkaktoi dëme të mëdha. Shqiptar nacionalist dhe simpatizant i monarkisë Austro Hungareze. Mbajtës i kryqit të artë për merita të veçanta”.
Në arkiva austriake ka edhe mjaft fakte të tjera, dokumenta të shkruara për edhe fotografi të Zef Ndocit dhe patriotëve të tjerë të kohës.
Por sërish kënga ka nxitur edhe memorien e njërit ndër historianëve me origjinë mirditase të vendosur disa shekuj më parë në Prizren, por me aktivitet shumë vjeçar në Detroit, SHBA, z. Tom Mrijaj. Në një prononcim me këtë rast  Tom Mrijaj shkruan:

 Shumë faliminderit mik Aleks se më bëre të njohur me këtë këngë.

 Kënga shumë e bukur, janë kujtime. Në odat tona në Gjakovë dhe Prizren ku jam rritur flitej se si Zef Ndoci ka qenë i pa ndarë me kapidan Marka Gjonin. Marka Gjoni e ka mbajt pranë vetit si njeri të shkollum. Ne takim me Pashiqin dhe në çdo  takim që ka bërë Marka Gjoni është konsultuar me Zef Ndocin. Une jam nip i Marlekajve te Spaqit e dajat e mi jetojnë në fshatin Perlin, në Lug te Drinit, në Gjakovë. Janë familje shumë e madhe dhe kanë nxjerrë këto vitet e fundit shumë kuadro to rinjsh intelektualë si mjekë, mësues, jurist etj.

Pershendetjet e mija Toma.

                                                                      Kush ishte Zef Ndoci?

Zef Ndoc Ndreca lindi në vitin 1883 në fshatin Kodër Spaç të Mirditës, një fshat piktoresk në shpatin e një mali përballë Oroshit,  ku edhe në ditët e sotme ndodhen rrënojat e 7 kishave. Dokumentat historike por edhe gojdhënat saktësojnë se Kodër Spaçi ishte qendra e bajrakut të Spaçit, madje ka qenë një fshat i mbipopulluar me banesa pranë e pranë, aq sa “macet lëviznin fare lehtë nga çatia ne çati”. Por mbipopullimi dhe mungesa e tokës bujqësore bëri që Spaçi të shtrihej në një gjatësi të konsiderueshme deri në Qafë Mali, ndërsa shumë familje u shpërngulën në luginën e Drinit në Gjakovë, Prizren e pjesë të tjera të Kosovës.
Zef  Ndoci ishte djalë i vetëm i kapiten Ndoc Ndrecës i cili ishte një ushtarak dhe politiak i njohur me aktivitet të dendur në Shkodër. Në një kohë të gjatë Ndoc Ndreca ka qënë komandant i xhandarmërisë së Shkodrës, dhe aktivist i njohur në luftë kundër turqve. Duke qënë në pozicione të tilla Ndoc Ndreca kishte vizionin e duhur, por edhe gjendjen e mirë ekonomike për të dërguar për shkollim birin e tij të vetëm Zef Ndoc Ndrecën. Zef Ndoci fillimisht mbaron shkollën fillore në Kodër Spaç, shkollë e cila ishte hapur nga dom. Zef Gjinali dhe më tej vijon shkollimin në Vienë të austrisë. Përfundimi i shkollimit të njohur aso kohe nën emërtimin seminaturë, koincidon me vrasjen e babait të tij Ndoc Ndreca nga shërbimet e pushtuesit turk, e për këtë arsye Zef Ndoci  detyrohet të braktisë Vienën dhe të kthehet në Kodër Spaç.
Në Kodër Spaç ai punon për një kohë të gjatë si mësues i zonës, por duke mos lënë pas edhe aktivitetin e tij politik në mbrojtje të Mirditës dhe tokave shqiptare. Kjo do ta evidentonte atë si një figurë të rëndësishme në Mirditë, madje për këtë arsye ai zgjidhet edhe deputet  në rradhët e grupimit politik të Fan Nolit. Por aktiviteti i tij politik u pa me sy jo të mirë nga Ahmet Zogu dhe për këtë arsye për ti shpëtuar ndonjë veprimi të fshehtë të Zogut, së bashku me Marka Gjonin detyrohen të qëndrojnë për disa vite në arrati, kryesisht në Kosove dhe zona të tjera ballkanike. Gjatë kësaj kohe Zef  Ndoci shërben si mësues në Kosovë, ndërsa me daljen e një dekreti falje nga Zogu, së bashku me Marka Gjonin kthehen në Mirditë. Pikërisht në këtë kohë Ahmet Zogu e fton Zef Ndocin për bisedime duke i premtuar postin e Ministrit të Punëve të Brëndshme, nëse ai hiqte dorë nga mbështetja dhe bashkëpunimi me Marka Gjonin. Por përgjigja ishte kategorikisht kundërshtuese, madje me një lëvizja spektakolore mundi të detyronte një avion të postës ta çonte në fushën e Shtoit në Shkodër, ku mundi ti shpëtonte një atentati të mundshëm. Por jo për shumë kohë, pasi disa muaj më vonë Zef Ndoci vritet në një pritë me njerëz të paguar nga Ahmet Zogu, teksa kthehej nga fshati Mashtërkor për në Kodër Spaç. Kjo ndodhi në vitin 1925.

Nga: Aleksandër Ndoja

7 dhjetor 2013

Tirana Observer