Nënë Tereza, sot 90 vite nga nisja e “Golgotë” së Kalkutës që e shenjtëroi mëshirën dhe përkushtimin e saj

Më 6 janar 1929 – Tereza, vajzë e re shqiptare, murgeshë e përkushtur, mbërrin në Kalkuta për të filluar punën mes njerëzve më të varfër e më të sëmurë në Indi. Sot, pas vdekjes, ajo mban titullin kishtar “Tereza e Bekuar e Kalkutës”, por njihet si Nënë Tereza.

Kjo shqiptare e lindur me 26 gusht 1910 (v. 5 shtator 1997) themeloi urdhërin Misionaret e Bamirësisë, sot aktiv në 133 vende, me shtëpi për personat me HIV / AIDS, lebra dhe tuberkuloz, me kuzhina për ushqim falas, jetimore, shkolla e etj. Anëtaret e misionit te saj quhen Motra; ato duhet t’i përmbahen zotimit për “dëlirësi, varfëri dhe bindje, shërbime të përzemërta dhe falas për më të varfërit e të varfërve”.

Nënë Tereza ka marrë nderime të shumta nga bota, përfshi Çmimin Nobel të Paqes (1979). Ajo vdiq me 5 shtator 1997. Në fund të vitit 2003, Nënë Tereza u lumturua nga Vatikani; një mrekulli e dytë e kryer me ndërmjetësimin e saj është e nevojshme të vërtetohet, para se ajo të mund të njihet si shenjtore nga Kisha Katolike. Nënë Tereza, e adhuruar dhe respektuar nga shumë njerëz, ka edhe kritikët e saj, që thonë se ajo nuk siguroi kujdes mjekësor për njerëzit e sëmurë, ose se ka patur marrëdhënie të mira me diktatorë.

Duke analizuar veprat e saj, Papa Gjon Pali II pyeti: “Ku e gjeti forcën dhe këmbënguljen Nënë Tereza, për të vendosur veten tërësisht në shërbim të të tjerëve? Ajo e gjeti atë në lutje.”

Privatisht, Nënë Tereza pati një përvojë mundimesh mbi bindjet e saj fetare, të cilat zgjatën gati 50 vjet deri në fund të jetës së saj. Duke parë gjithë ato vuajtje për rreth, njerëzit shpesh bëjnë pyetjen – Pse Zoti i lejon? – dhe në ditarin e saj, Nënë Tereza shkruante: “Ku është besimi im?… Në se ka Perëndi – ju lutem më falni…. Sa e dhimbshme është kjo dhimbje e panjohur – Unë nuk kam Besim..Nëse nuk ka Zot, nuk mund të ketë shpirt. Në se nuk ka shpirt atëherë, Jezus, Ti gjithashtu nuk je i vërtetë.”