Në prill rritet taksa e shtëpive, ja si do e paguajnë qytetarët

Taksa e re e shtëpive do të paguhet nëpërmjet faturave të energjisë elektrike.  Formula e re për taksën e apartamenteve do të nisë zbatimin nga 1 prilli.

Nisur edhe nga rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, qeveria ka nisur punën për përcaktimin e mënyrës së arkëtimit të kësaj takse. Burime nga qeveria, konfirmuan për gazetën se një grup me përfaqësues të Ministrisë së Financave, Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë dhe një ekspert i huaj, që ka asistuar në ngritjen e kadastrës fiskale në Kosovë, pasi Kosova ka në zbatim një model të ngjashëm, kanë nisur punën për mbledhjen e të dhënave.

OSHEE-së do t’i jepen vlerat e taksës, e cila më pas do t’i shpërndajë nëpërmjet sistemit kompjuterik për t’i hedhur në faturën e dritave. Mbledhja e të dhënave për OSHEE është çështje modalitetesh dhe ekspertësh, pasi vlera e taksës të jetë përpunuar nga pushteti vendor.

Kadastra fiskale, që do të ketë të gjitha të dhënat mbi shtëpitë që nga vendndodhja, sipërfaqja dhe vlera, do të jetë pronë e pushtetit vendor. Mbi këto të dhëna, pushteti vendor do të kryejë llogaritjet për vlerën e taksës.

Formula e re, që u miratua nga Komisionet Parlamentare, parashikon që taksa e shtëpive të llogaritet mbi vlerën 0,05 për qind e çmimit të apartamentit, e llogaritur me çmimet fiskale, ndërsa për biznesin 0,2 për qind. Projektligji i miratuar përcakton se pagesa e taksës bëhet çdo muaj apo për periudha më të gjata, në varësi të kategorisë së taksapaguesit, sipas përcaktimeve që do të jepen në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Pavarësisht se taksa do të arkëtohet te faturat e dritave, të ardhurat do t’i kalojnë buxheteve të njësive vendore. Me formulën e re taksat do të rriten për të gjitha shtëpitë në 12 qarqet e vendit. Në shembujt e Ministrisë së Financave janë llogaritur taksat e reja për një shtëpi banimi me sipërfaqe 100 metra katrorë.

Referuar tabelave zyrtare, në Tiranë, çmimi mesatar fiskal është 89,137 lekë/ m2. Vlera e shtëpisë është 89,137 lekë. Shuma e taksës së re që do të paguhet, llogaritet 4,457 lekë.

Sot, një familje që banon në një apartament të ndërtuar para ’93, paguan 1500 lekë, kurse për ndërtesat pas ’93 paguhet 3 mijë lekë. Me taksën e re, për një familje që banon në shtëpi para ’93, ngarkesa do të rritet 2,957 lekë, kurse për shtëpitë pas 1993, taksa do të rritet 1,457 lekë./panorama