‘Në Muzeun e Durrësit u vodh Kleitia ilire pa vlerë tregtare dhe u lanë vazot greke 50 mijë USD copa’

Gazetari i vjetër durrsak, Thanas Mustaqi, në një postim në Facebook, ka hedhur dritë mbi një moment të trishtë të historisë së Muzeut Arkeologjik në Durrës. Në vitin e mbrapshtë 1997, edhe Muzeu Arkeologjik nuk i shpëtoi vjedhjes dhe shkatërrimit të disa objekteve që ndodheshin në ambientet e tij, e që sipas arkeologëve të njohur të Durrësit “hoqën e grabitën atë pasuri, e cila në treg nuk është e kushtueshme, por në studimet arkeologjike dhe në identitetin tonë si pasardhës të qytetërimit dhe kulturës ilire ishte me vlera të jashtëzakonshme”.

Mustaqi nënvizon në postimin e tij, se gjatë grabitjes nuk u morën vazot greke që në tregun e zi kapnin vlerën 50 mijë USD copa, por u vodhën Kleitia ilire pa vlerë tregtare, por që ishin objekte të periudhës ilire.

Mustaqi nuk harron të kujtojë edhe Uran Sabriun, që ndërsa po përpiqej të mbronte muzeun, është qëlluar nga hajdutët dhe ka vdekur.  “Uran Sabriu, një dëshmor monumentesh i kohëve moderne, në viti e mbrapsht 1997” shkruan Mustaqi.

Postimi i plotë:

Një korrigjim i nevojshëm
1997. Në muze u vodhën Kleitia ilire pa vlerë tregtare dhe u lanë vazo greke 50 mijë USD copa

“Bust i një gruaje ilire nga Dyrrhachium-i me emrin Kleitia (Kleitia Lusand Haire). Shekulli II p.e.s. Punuar në gur. 34 cm i lartë. Gjendet në Muzeun Arkeologjik të Durrësit”, që e postova në FB. Kështu shkruhej në albumin “Shqipëria arkeologjike”, 1971. Por m’u kujtua se në 14 mars 1997, bashkë me prof. Fatos Tartarin, kemi qenë në mjediset e muzeut të vjetër arkeologjik, që sapo ishte grabitur (për këtë kam botuar një fotoreportazh me ngjyra në ish-gazetën “Dita Informacion”).

Po më thoshte prof. Tartari: “Shih, paskan grabitur objekte të periudhës parahelenistike, ilire. Këto sende të grabitura janë enë prej balte, armë prej metali, bronzi, hekur. U morën figurina e skulptura. Një e tillë është skulptura Kleitia (busti i saj) me veshje ilire. Emër të tillë nuk e kanë as grekët, as sllavët. Të shohësh atë skulpturë, vëren kulturën e krehjes së flokëve, mjeshtërinë e punimit të metalit”.
Kështu, Kleitia nuk dihet se ku ndodhet.

Prof. Tartari thotë objektet që vodhën grabitësit misteriozë ishin të gjitha të ekspozuara. Hynë në fonde dhe prishën disa objekte me keqdashje. Ata vodhën vetëm objekte të periudhës ilire.

Aty kishte vazo që shkonin në 50 mijë dollarë copa, por nuk i morën. Nuk morën asgjë përveç objekteve të periudhës ilire.  Morën një qelq mozaik, që ishte i periudhës ilire, që është shumë i rrallë.

Vjedhja u bë jashtë orarit të punës, pas orës 17:30. Ishte e mirorganizuar nga specialistë. Për prof. Tartarin vjedhja ishte e organizuar nga brenda, kjo është e padiskutueshme.

Nuk morën monumente e objekte të kulturës së periudhës greke, që kushtojnë shumë në treg (shih fotot).

Përkundrazi, hoqën e grabitën atë pasuri, e cila në treg nuk është e kushtueshme, por në studimet arkeologjike dhe në identitetin tonë si pasardhës të qytetërimit dhe kulturës ilire ishte me vlera të jashtëzakonshme.

Ndërkaq, pati dhe një ngjarje tragjike, që më ka prekur personalisht. Mësova se shoku im dhe i Bardhyl Agasit në gjimnazin “Naim Frashëri”, Uran Sabriu, që kishte një lokal përballë muzeut arkeologjik, teksa po përpiqej të mbronte muzeun, është qëlluar nga hajdutët dhe ka vdekur.
Uran Sabriu, një dëshmor monumentesh i kohëve moderne, në viti e mbrapsht 1997.

Fotot:

1. Busti i femrës ilire me emrin Kleitia (Kleitia Lusand Haire), emër që nuk e kanë as grekët as sllavët. Shekulli II p.e.s. Punuar në gur. 34 cm i lartë. Gjendej në Muzeun Arkeologjik të Durrësit dhe u vodh më 13 mars 1997. Nuk kishte vlera tregtare, por historike dhe kombëtare.

Objekte që nuk u vodhën dhe që kishin vlerë tregtare mbi 50 mijë dollarë copa:

1. Enë me figura të kuqe (shek. III para erës sonë), sipas albumit “Shqipëria arkeologjike”, 1971.
2. Amforë me figura të kuqe (shek. III para erës sonë), sipas albumit “Shqipëria arkeologjike”, 1971.
3. Amforë me figura të kuqe (shek. III para erës sonë), sipas albumit “Shqipëria arkeologjike”, 1971./portalidurreslajme