Në Durrës ky sezon veror ka ndëshkuar mbi 1700 biznese private të cilat po shkojnë drejt rrënimit, për mungesë infrastrukture

E ndërsa qeveria ka nisur prej muajsh aksionet e saj për energjinë elektrike, ujin e pijshëm, dhe prishjen e objekteve pa leje, duket se e gjithë kjo situatë ka dëmtuar rëndë sezonin veror 2017. Pavarësisht se disa agjenci të huaja kanë nisur ta shfaqin emrin e Shqipërisë si “vendi me thesare të pazbuluara” duke u rekomanduar turistëve të mos humbin rastin për ta vizituar, duket se ky sezon veror, do të jetë i vakët dhe pse jo, edhe i dështuar. Asnjëherë ne nuk kemi ditur ti bëjmë punët tona me urtësi, asnjëherë ne nuk kemi dashur dhe nuk jemi përpjekur të vendosur mbi gjithçka kodin e mirëkuptimit dhe tolerancës. Diku një pallat 4 katësh pa leje i prishur, diku një tjetër pallat 5 katësh që ka “prishur” masterplanin e vijës bregdetare, diku një lokal luksi i ngritur buzë superstradës sërish pa leje, restorante dhe disko, vila dhe karabina të goditura nga fadroma. Madje shpesh prishja e tyre ndodh brenda 24 orëve, duke e kthyer gjithçka në një pamje të cilën do ta kishte zili edhe Assad-I Sirisë në zonat e tij bregdetare. Vija bregdetare në tërësinë e saj, po mbulohet nga veriu në jug, nga male me godina të shembura nga tritoli, i cili më tepër se kurrë, sot është bërë malli më i dashur për këtë qeveri. Po përse kjo fushatë kaq e egër dhe me tritol ndaj pallateve dhe investimeve miliona euro në zonat turistike, dhe pikërisht kur sezoni veror 2017 është në pikun e tij? Agjencitë turistike shprehen se, prenotimet kanë rënë në afro 40 përqind, nuk kemi interesime, madje edhe kroçerat dhe jahtet që vjet mbushnin portin e Durrësit dhe Vlorës, kanë ndryshuar intinerarin, dhe kjo padyshim do të thotë një sezon të dështuar, zhytje në krizën që ka mbërthyer rajonin, dhe kapitullim të bizneseve turistike. Specialistët e fushës mendojnë se “zgjidhja duhej të ishte më racionale, më e studiuar, më tolerante, nga qeveria duke mos harruar se kjo situatë do të ishte dhe mund të jetë edhe për vitin e ardhshëm, një goditje për turizmin, në një Shqipëri e cila ka investuar shumë vitet e fundit për promovimin e tij në mediat e huaja, për prezantimin e resurseve tona të çmuara në zonat bregdetare e malore”. Vitet e fundit Shqipëria po bëhej ndër epiqendrat e turizmit, dhe një vend i dashur për turistët nga Europa Qendrore dhe ajo Perëndimore. Ne jemi ndoshta ndër të pakta vende, ku kemi ngritur mjaftueshëm infrastrukturën në turizmin malor, bregdetar, liqenor, lumor, dhe kulturor. Po ashtu nuk na mungon deti, lumi, liqeni, malet, fshatrat me klimë të shëndetshme, gatimet tradicionale, stanet, kullotat, bujtinat, etj. Por ne na mungon më e rëndësishmja, dëshira për të bërë shtetin, dëshira për të zbatuar ligjet, për të investuar kapitalet tona mendore dhe intelektuale në dobi të vendit, për të vendosur ura bashkëpunimi e tolerance në shërbim të së ardhmes, për ne, dhe brezat që do të vijnë. Të paktën në Durrës ky sezon veror, ka ndëshkuar mbi 1700 biznese private, të cilat po shkojnë drejt rrënimit, për mungesë infrastrukture, ujit të pijshëm, apo dhe mospagim të taksave që siç thonë ata “po rriten çdo vit” . Duke parë dhe analizuar situatën, operatorët turistikë mendojnë se ky sezon veror (në mos edhe ai i rradhës) mbetet një mision i pamundur për dikasteret promovuese, dhe grupet e interesit, një mundësi më pak për rritjen e nivelit të arkëtimeve në arkën e shtetit, dhe mbushjen e xhepave të bizneseve në zonat bregdetare.  Artur Ajazi