Në 195 vjetorin e vrasjes së Marko Boçarit, heroi arvanitas që ra në luftën për pavarsinë e Greqisë

Nga Duro Mustafai

Marko Boçari ishte një kapiten i luftës guerile dhe Heroi i Revolucionit për pavarësinë e Greqisë kundër pushtuesve osmanë, me pjesëmarrje të madhe të arvanitasve. Ai lindi në krahinën shqiptare të Sulit, më 1790 dhe u vra, duke luftuar në Karpenis, më 9 gusht 1823, në moshën 33 vjeçare
“ .. .
Labëria kur dëgjoi /Se u vra Marko fajkoi /Ra në zi e vajtoi, /Kënga i mbeti në gojë…”.
Më i lavdishmi i farës suliote të Boçarëve, Marko Boçari lindi në Sul të Janinës më 1790 në një familje të dëgjuar që kishin dalë shumë burra trima si Kiço Boçari, Kosta, Dhimitri, Jorgji dhe kapedani i madh i revolucionit të 1821, Noti Boçari.
Marko Boçari përveç bëmave të tij trimërore dhe burrërore dhe bukurisë, na la trashëgim edhe një vepër. Është fjala për të famshim “Fjalori dy gjuhësh greko-shqip”.
Babai i Markos, Kiço Gj. Boçari u martua tre herë dhe kishte 18 fëmijë.
Sipas të dhënave banorët e parë që u ngulën në Sul ishin ushtarët e Skënderbeut.
Mbas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, rreth 200 luftëtarë arvanitë (shqiptarë) me familjet e tyre, si fisi Boçari, Xhavelasit etj, formuan krahinën e Sulit dhe luftonin kundra turqve për lirinë e gjuhës dhe të drejtën fetare.
Më vonë Suli u zgjerua si krahinë dhe u popullua nga shqiptar ortodoksë çamër, që për t’i shpëtuar skllavërisë osmane turke, u shpërngulën nga fshatrat e tyre të Çamërisë rreth viteve 1500 dhe u vendosën në Sul të Janinës, që krijuan fshatra të rinj me emra shqiptar. Që suliotët janë çamër këtë na e deklaron anglezi V.M. Lik “Suliotët janë një farë e Çamërisë, njëra prej katër degëve të Shqipërisë”.
Ndërsa studiuesi Ciapolini shkruan- “Suliotët nuk dinin fare greqisht, gjuha që ata përdornin është, shqipja e dialektit të Çamërisë”…
Sulioti Marko Boçari nuk ishte vetëm një nga heronjtë shqiptarë më i rëndësishëm të revolucionit grek të 1821, i njohur për aftësitë ushtarake dhe guximin e tij, por edhe për dëshirën e madhe për shkrimin dhe edukimin.
Markoja bashkë me Odise Andruçon dhe Gjeorgjio Karaiskaqin u edukuan në oborrin e Ali Pash Tepelenës në artin ushtarak, politik dhe zgjuarsisë. Ëndrra e Markos ishte që të edukonte suliotët shqiptar që të dilnin nga gjendja e luftëtarit të pamësuar që luftonte pandërprerë, pa një ardhme, të jetojë paqësisht në një shoqëri të lirë e të drejtë.

“Dua të shkollohesh, i shkruante në letër, djalit të tij Dhimitrit, që gjendej në Ankona të Italisë, por veç kësaj dua të brumosesh me traditat suljote, të mbetesh përherë suljot siç ka mbetur tata i yt”. Karakteri i arvanitas është që ai të jetë kudo i pari, të tregojë përpara të gjithëve krylartësinë, trimërinë dhe mosnënshtrimin.
Dhe arvanitët e dëshironin edukimin arsimor, por pa rrezikun e tjetërsimit dhe bierjes së vlerave tradicionale vetjake e të bashkësisë. Vdekja Marko Boçarit u bë e njohur në të gjithë Europën, ai i kishte shkruajtur një letër Bajronit kur ky ishte rrugës për në Mesollogji. Poeti i madh anglez Lordi Bajron erdhi kur Marko Boçari kishte vdekur, dhe mbajti një fjalim mbi varrin e Markos i veshur me kostumin e njohur kombëta shqiptar ose arvanitas..
Boçari vdiq, por figura e tij u bë legjendë.  Marko Boçari është varrosur në Mesollonjë, në Kopshtin e heronjëve. Varri i tij ngrihet me një statujë nga skulptori David d’Angers.
Në Tiranë, një rrugë mbanë emrin e tij. Në Paris, në qarkun e 19-të , një stacion i metros dhe një rrugë mbajnë emrin e tij. Në Strasburg, një shesh i vogël mbanë emrin e tij. Hollivudi ka realizuar një film kushtuar Marko Boçarit.
Boçari konsiderohet si një ndër figurat më të shquara kombëtare të Greqisë dhe nderohet nga grekët, si “Heroi i tyre”, duke i mohuar se vinte nga fiset e Sulit, me gjak të pastër shqiptari.
Në “Kopshtin e Heronjve” të Athinës, krahas gjeneralëve të tjerë të shquar, pjesëmarrës në luftën për pavarësi të Greqisë , gjendet edhe busti i arvanitasit Marko Boçari, që patëm rastin ta shohim vite më parë, siç tregon edhe fotoja e më poshtme, që u bë edhe nxitje e frymëzim i poezisë “Sytë e burgosur të Marko Boçarit’’

Sytë e burgosur të Marko Boçarit
Kush ka njohur lirinë e Greqisë,
Më parë duhet të kish njohur Marko Boçarin,
Malet e Sulit në shkrepat e Ilirisë,
Dhe djemtë, që edhe për lirinë e të tjerëve,
ndezur mbanin zjarrin.
Athina bust mes lulesh i ngriti shqiptarit,
Por ende nuk e di që shqiponja erdhi nga Shqipëria,
Dhe sytë ia kanë burgosur Marko Boçarit,
Që të mos shohë sa vuan nën’ e tij, Çamëria.

Sytë ja kanë burgosur shqipëtarit,
Dhe këmbët duan tua lidhin vëllezërve nga Çamëria,
Nuk duan ti afrohen Marko Boçarit,
Qe kokën e mban nga Shqipëria.

Lulet skuqin si gjaku te busti i tij,
Se për lirinë e Greqisë dha jetën gjenerali,
Po ai, i mvrenjtur, në piedistal rri,
Kur dëgjon të thonë se “s’ka gjak shqiptari”!
Dhe zemra i dridhet e sytë i ndizen si zjarri.
D. Mustafai ‘’Kopshti i Heronjëve”-Athinë,