Ndërkombëtarët ofruan plan kompromisi para takimit Rama-Basha. Pse refuzoi opozita?

Para takimit Rama-Basha, palëve iu paraqit një variant i ri, ku kërkohej që secili të përshtaste pozicionet, por PD-ja refuzoi. Kjo është arsyeja se përse Ambasada e Shteteve të Bashkuara deklaroi të mërkurën se ndërsa “Qeveria shfaqi fleksibilitet, në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë”, në takimin e realizuar të hënën mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të Partisë demokratike. Burime ndërkombëtare thanë për “Zërin e Amerikës” se SHBA-të dhe BE-ja i paraqitën qeverisë dhe opozitës, javën e shkuar një plan kompromisi për reformën në drejtësi. Plani, i cili i paraprinte takimit mes dy udhëheqësve politik shqiptarë, iu kërkonte të dy palëve të përshtatnin pozicionet e tyre. Burimet saktësuan se “Qeveria e pranoi planin e kompromisit 100%. Opozita pranoi shumë nga aspektet e propozimit por këmbënguli për metodën e vendeve të rezervuara për përzgjedhjen e këshillave të ndryshme”. Pikërisht kjo këmbëngulje nga ana e PD është motivi pse Ambasada e SHBA-ve u shpreh se opozita nuk dëshmoi fleksibilitet.

Formula e vendeve të rezervuara do të thotë një ndarje proporcionale mes shumicës dhe opozitës të emërimeve që do të realizohen nga Parlamenti. Ashtu si dhe mbrëmë, kur si kundërpërgjigje ndaj deklaratës së Ambasadës Amerikane, publikoi komunikimet me e-mail në periudhën shkurt prill me misionin amerikan Opdat, edhe dje deputeti Oerd Bylykbashi nënvizoi se, “ajo që ne propozojmë është e propozuar e zezë mbi të bardhë nga Komisioni i Venecias, paragrafi 17 i raportit final, fusnot-i 4, thotë: 2 zgjidhen nga lista e profesionistëve të propozuar nga opozita dhe 3 zgjidhen nga lista e profesionistëve të propozuar nga maxhoranca. Kaq e thjeshtë”. Sipas Bylykbashi deklarimet e kryeministrit për të çuar drejt votimit projektin e reformës, në kushtet kur shumica nuk i ka numrat e nevojshëm në sallë dëshmojnë se “ose parlamenti do të gëlojë nga korrupsioni politik nëpërmjet blerjes së deputetëve dhe ky do të ishte një turp i madh dhe një rrënim jo për këtë parlament por për politikën shqiptare, ose ky zotëri që do të ishte më e mundshmja që mund të ndodhë, nuk i ka këto vota dhe duke mos i pasur këto vota kjo i intereson atij dhe partnerëve të tij në qeveri. Sepse me 94 vota të pabëra reforma në drejtësi dështon dhe kushtetuta e përcakton të zezë mbi të bardhë, në nenin 177 “reforma në drejtësi për kënaqësi të kryeministrit do të shtyhet me një vit”.

Ambasada amerikane në deklaratën e saj të djeshme shprehej se “Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet përpjekjet e Qeverisë shqiptare për ta çuar draftin drejt miratimit. Do të jetë përgjegjësia e anëtarëve individualë të parlamentit të vendosin nëse duan të mbajnë sistemin e sotëm të drejtësisë të korruptuar dhe të politizuar apo nëse do ta mbështesin këtë reformë.