Ndarja e Shqipërisë, pengu i atit të mëvetësisë së Shqipërisë-Ismail Qemalit

Ndarja e Shqipërisë mbeti pengu më i madh i Ismail Qemalit. Në kujtimet përpara vdekjes, ai rrëfen: “Mbi gjysmën e territorit të vendit tim ja kishin dhënë Serbisë, Malit të Zi e Greqisë. Qytetet më të lulëzuara e rajonet më prodhimtare të vendit i ishin shkëputur atdheut. Shqipëria kishte mbetur gati krejtësisht në zonat më të thata e më shkëmbore.”

Më 29 korrik 1913, fuqitë e mëdha nën ndikimin e Italisë dhe Austrisë, dhanë vendimin përfundimtar. Në një dokument me 11 pika ato njihnin shtetin e ri, përcaktonin një mandat 10 vjeçar kontrolli që mbikëqyrej nga Komisionin Ndërkombëtar i Kontrollit me përfaqësues nga fuqitë e mëdha dhe caktuan për sigurinë në vend ngritjen e një xhandarmërie që do drejtohej nga oficerë suedeze. Me tërheqjen e Suedisë, kjo ju ngarkua ushtrisë holandeze. Shqipëria përcaktohej principatë autonome dhe e trashëgueshme. Princi do të vendosej brenda vitit në mirëkuptim nga 6 fuqitë e mëdha. 29 korriku, është dita e njohjes zyrtare ndërkombëtare të shtetit shqiptar, deklaruar nga Kuvendi i Vlorës, 9 muaj më parë, më 28 Nëntor 1912.

Vjen një princ dhe një dukë

Mars 1913, banorët e Vlorës që gjendeshin në afërsi të Skelës, u befasuan kur dalluan një anije të re, të ndryshme nga dy fregatat e vjetra greke që ruanin qytetin, të hynte në bankinën provizore të portit. Ajo ecte shpejt dhe për befasinë e të gjithëve kishte ngritur lart flamurin shqiptar bashkë me atë francez. Njeriu i parë që zbriti nga jahti luksoz ishte Mark Kakarriqi, djali i ri që kishte pritur Ismail Qemalin në Stacionin e Tristes në nëntor 1912 dhe që tani po vinte në Vlorë me dy personazhe mjaft interesantë. Njëri prej tyre ishte Princi Gjika me gjak shqiptar, tjetri Duka Ludvig Ferdinand i Monpansjes, nga dera e Burbonëve. Duka kishte mbërritur në Shqipëri, për t’i paraqitur Qeverisë së Vlorës, ofertën e tij për Mbret i Shqipërisë. Edhe pse këtë gjë e vendosnin qeveritë e 6 fuqive të mëdha. Duka i Burbonëve e ftoi Ismail Qemalin për mëngjes në jaht dhe pati me të një bisedim mjaft miqësor. Ndër të tjera, ai pranoi që të merrte nga Vlora në Brindizi një delegacion prej 7 përfaqësuesish të Qeverisë së Vlorës që do të shkonin në Londër pranë Konferencës së Ambasadorëve.

Qeveria provizore

Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini dhe 4 të tjerë u nisën po atë mbasdite. Ata udhëtuan me jahtin privat të Dukës deri në Brindizi e prej këtej me tren deri në Paris. Ismail Qemali pati takime interesante në Romë e Paris e më vonë në Vienë, por takimet më të rëndësishme do të ishin në Londër. Përfaqësia e Qeverisë Provizore u vendos në Hotel “York” dhe ajo shoqërohej në pjesën më të madhe të kohës, nga Lordi Herbert, një mik i Shqipërisë. Ata patën takime me gjithë Ambasadorët e Fuqive të mëdha, përfshi mikpritësin e konferencës, Ministrin e Jashtëm britanik Eduard Grej. Grej dukej i ftohtë dhe fare pak racional. Po të mos lësh mënjanë një batutë që pjesëmarrësit aty e kanë kujtuar gjithnjë më vonë. Në hyrje të Foreign Office, Isa Boletini u detyrua të linte koburen që mbante gjithnjë me vete. Në mbyllje të takimit, ku Grej kish qenë miqësor kryesisht me Boletinin i qe drejtuar këtij të fundit:

–          Gjeneral, shtypi do të shkruajë nesër që Isa Boletini që s’e çarmatosi dot as Mahmut Shefqet Pasha, u çarmatos në Londër!

–          Jo besa, as këtu jo, tha Isa Boletini duke nxjerrë nga xhepi i brendshëm një revolver të dytë!

Në fakt, Eduard Grej refuzoi t’i njihte pretendimet e shqiptarëve. Në fund të shekullit të XX, pasardhësi i tij, Ministri i Jashtëm Robin Kuk, deklaroi gjatë luftës së Kosovës më 1999 në Parlamentin britanik se ai i kishte shqyrtuar dokumentet e konferencës së Ambasadorëve dhe se vendimi i saj kish qenë i detyruar nga momenti:

Ne po zhbëjmë padrejtësitë që bëmë në fillim të shekullit të kaluar”, tha ai!

Delegacioni qëndroi edhe ca ditë në Londër dhe kësaj here si adresë e tij jepet Rruga “28 Bruton Street U1”, afër “Bond Street”. Me gjasë kjo ka qenë shtëpia e Aubrey Herbertit, ku ata u takuan edhe me Edit Durhamin.

Në fund të Marsit delegacioni u kthye sërish në Vlorë. Në kthim Ismail Qemali nuk qëndroi më në shtëpinë e Xhemil Vlorës, por përshtati si seli të qeverisë, ish godinën e karantinës së portit. Një godinë e vogël, por me ballkon. Po ai ballkon ku Petro fotografi do ta fiksonte më 28 nëntor 1913, bashkë me shumë firmëtarë të tjerë të aktit të pavarësisë. Në një prej fotografive më të rëndësishme të historisë së shqiptarëve.